“Federalizmi” Ndërshqiptar, dhe Kushtetuta “Problematike”!

(S. Guraziu – Ars Poetica, Q 2025 – Koment)

Në portalin Alb-Spirit (për të cilin përkujdeset z. Çerçiz Loloçi) e lexova një shkrim mjaft “interesant” (nga aspekti imagjinar, fiksional : ) me autor Ismet Hajrullahu, dhe me titull “Pse jo, federatë Shqipëri-Kosovë”. Epo… ku di unë pse jo, edhe vetë shpesh them, e kam thënë dhe po them, pse jo?

Them, e kam thënë, sipas meje s’ka shqiptar që s’e ka thënë… sipas meje sëpaku nga 1 herë të gjithë do e kenë thënë. Unë madje them pse jo “Federatë dhe me Federatën e Amerikës”? Po po, mos u çuditni, pse jo?! S’është nevoja as për çuditje as për pikëçuditje. Anise, hm… s’di si tingëlluaka “federatë me federatë”, si shprehje tashmë që e shkrova u dukërka e pakuptimtë, por lexuesi e di se ç’desha të them, fjala ishte për “bashkim”. Pra do propozoja që (nëse na pranon Amerika) të shpallemi “shteti i 51-të i Amerikës”, pa i pyetur as gjermanët, as francezët… as evropianët, madje as shqiptarët e andejshëm, dmth. të Shqipërisë.

O ta zgjedhim një Miss-Albania si Presidente (aso misss-esh me 3 s-ja, sss brrrrr, enkas për ta hutuar Trumpidentin – s’di pse kosovarët s’e patën përkrahur idenë time, ende çuditem, e pata publikuar si ide në prag të fitores së Trumpit, s’u bë i gjallë kush, s’ma varen : ) o t’bëhemi shteti i 51 i Amerikës Federale – federalizëm që definitivisht do e forconte edhe Amerikën, s’do guxonte më kurrë as Kina as Rusia të “kolliten”.

Mendova nuk i “pyesim politikanët” e andejshëm, e pyesim sovranin real, patjetër që do e pyesim popullin, por JO politikanët – këtë mendova. S’është nevoja t’i pyesim “politikanët”. Ehuuu nëse politikanët si “mumie politike”, si mumie-marioneta, s’guxojnë as dhe 1 fjalë “kritike” ndaj politikave të Trump-administratës, kurrë s’guxuan as 1 “gëk”, vallë si është e mundur, mos vallë Trumpi na qenka idealizmi perfektë, aq perfektë na qenka ai, athua vallë as dhe 1 “vërejtje” të vetme politikanët dhe mediatikët shqiptarë s’e paskan ndaj politikave të Trumpidentit, hiç as 1, kurrë as 1-herë !!! Ehuuu atëherë më mirë të “federalizohemi me Amerikën” (kuptohet, me kusht që t’na pranojnë, u muar vesh kjo, s’mund të bashkohemi me zor as me Amerikën : )

Siç ia bëjnë politikanët e atjeshëm z. Hajrullahu (në sintoni të përkryer, kuptohet, me mediatikët), qebesa ashtu garant dhe gjyshja ime do kishte qeverisur e mbretëruar pa asnjë pikë problemi, do shtirej mbretëreshë e perandoreshë e gjithë Ballkanit. Si duket edhe politikanët (njësoj si politikologët e portaleve) pandehin që nëse i fiton “Musolini” votat (ose i blen votat me metelikët e multi-miliarderëve) automatikisht duhet urraaaa… rroftë Duçja, apo vjen Fyhreri në Kosovë dhe urraaaa… rroftë Fyhrer-identi, pastaj nëse e varin Duçen prapë urraaa… mirë ia bënë, le ta varin, i meritonte dhe pështymat e gjithë Italisë, apo fiton me ndërskamca disi Zogu i VII (me ndihmat “jugosllave”, s’ekziston më, por si imagjinatë dmth.) dhe prapë urraaaa… Viva Zog-Naltësia e Tij, ik pastaj Zogu sepse ia bëjnë me hile DEBATIK-asit e proletariatit, asgjë, prapë urraaaa… mirë bëri që iku, i lumtë Xhaxhi-Kuqit : )

Çuditem nganjëherë me aftësitë “adaptive… adaptuese” të politikologëve shqiptarë, të politikanëve, të portalistëve, të analistëve. Sidoqoftë, pyetja ishte “Pse Jo Federatë Ndërshqiptare”?
Problemi është, kam frikë z. Hajrullahu, edhe po t’na pranonte Amerika për “bashkim”, për “federalizim”, për “konfederalizim” etj etj. këso ide të ngjashme whatever… do ishte kot, sepse na e pamundëson Kushtetuta. Dmth. ashtu-keshtu fillimisht na duhet ta bindim sovranin për NDRYSHIM të Kushtetutës… e tek pastaj të flasim për strategjikat e federalizmit shqiptar (qoftë shqiptaro-shqiptarizmat, apo dhe shqiptaro-amerikanizmat, meqë e cekëm si propozim, le ta përkrahim sadopak dhe propozimin tonë si “ide federaliste me Amerikën” : )

Sinqerisht, ju kuptova plotësisht, e lexova shkrimin tuaj, por ma besoni që Kushtetuta e Republikës së Kosovës fillon si vijon:
Ne, Populli i Kosovës,
Të vendosur për të ndërtuar një ardhmëri të Kosovës si një vend i lirë, demokratik dhe paqedashës, i cili do të jetë atdhe i të gjithë qytetarëve të vet;
Të përkushtuar për krijimin e një shteti të qytetarëve të barabartë, i cili do të garantojë të drejtat e secilit qytetar, liritë qytetare dhe barazinë e të gjithë qytetarëve para ligjit;
Të zotuar që Kosova të jetë shtet i mirëqenies ekonomike dhe i prosperitetit social;
Të sigurt që shteti i Kosovës do të kontribuojë në stabilitetin e rajonit dhe të mbarë Evropës, duke krijuar marrëdhënie të fqinjësisë dhe të bashkëpunimit të mirë me të gjitha shtetet fqinje;
Të bindur që shteti i Kosovës do të jetë anëtar i denjë i familjes së shteteve paqedashëse në Botë;
Me synimin që shteti i Kosovës të përfshihet në proceset integruese Euro-Atlantike;
Në mënyrë solemne, miratojmë Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Menjëherë pas këtij tekstit solemn të sovranit (si hyrje, akoma pa ia filluar Kushtetuta) fillon pastaj dhe “Kapitulli I – Dispozitat Themelore, Neni 1 [Përkufizimi i Shtetit], në pikën 3 thuhet:

3. Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe [ nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti. ]

Dmth. kryekëput “kushtetutë problematike” z. Hajrullahu, siç e shihni dhe ju vetë : ( u ngrysa sepse këtu fillon PROBLEMATIKA [ Kosova …nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti ] – kjo është pengesa më SERIOZE tani për tani. Ju garantoj që nuk është problem mungesa e ideve, kemi plot ide, për fat të mirë jemi mjaft kreativë dhe të frytshëm sa u përket ideve. Nëse ju duket sadopak ngushëlluese lirisht mund ta quani “Kushtetutë e Kushtëzuar”, “Kushtetutë me Kushte”, sepse sepse sepse… s’e kemi idenë PSE.

Ndoshta politikanët kosovarë-shqiptarë i mbajnë gjërat “fshehur”, aspirojnë monopol të njohurive politike, i mbajnë strikt për vete. Ndoshta kështu ia patën “kërkuar” Kosovës dikur Evropa, Amerika… shpalle PAVARËSINË i thanë por… por… por… por… kujdesu si e shkruan Kushtetutën. S’po themi se ia patën kërkuar Kosovës që t’mos përmenden “federatat as konfederatat”… por por por, ja… më mirë ta mbyllim, sepse ia filloi keqardhja – më së miri kjo fjali të mbyllet me keqardhje.

Anise, ç’është e vërteta, z. Hajrullahu, Kushtetuta kosovare nuk thotë askund që nëse Amerika (helbete, nuk i dihet) apo Shqipëria, apo Italia, Francia, uroj jo Turqia… na “lusin të bashkohen me Kosovën…” atëherë fatlumnisht askund nuk thuhet se “duhet t’i refuzojmë… na falni por s’ka bashkim as me juve konfederalistët as me federalistët amerikanë, me askend në fakt, qofshi dhe federalistë shqiptarë”. Fat i madh që përpiluesit e Kushtetutës së Kosovës e kanë “harruar” këtë detaj, kështu që ekziston njëfarë “vrime kushtetutare” për t’u përbiruar idetë imagjinare “federale”. Ma besoni që them dhe unë, e kam thënë shpesh, ja po e them rishtas, edhe 1 x… PSE JO?!