Armët dhe “Doktrina” Multi-polare e Globalizmit të Trump!

(S. Guraziu – Ars Poetica, 28 Qershor 2025 – vështrim, infografikë)

(…rreth 70% të gjithçkaje ushtarake amerikane nxirret dhe rifinancohet nga shitja e armëve, 41 kompani amerikane (shih infografikën) i gjeneruan ~681 miliardë gjatë 2023 – shpenzimet ushtarake të ShBA për v. 2024 ishin 997 miliardë $, kjo përbënte 66% të shpenzimeve totale ushtarake të NATO-s, dhe 37% të shpenzimeve botërore…)

***
Shumë gjëra në arenën globale sikur janë mjaft të “çuditshme”, përfshir dhe kërkesën prej 5% të shpenzimeve të NATO-aleancës. Do provojmë ta sqarojmë “çudinë” tonë sadopak, duke ecur më poshtë shkrimit. Në një artikull tjetër (rreth para 1 jave) e pata akuzuar “botën” e tregtarëve të armëve, e pata përmendur se si Trump dhe mbreti i Arabisë Saudite e nënshkruan marrëveshjen për armë prej 110 miliardë $, dhe se saudët synojnë të blejnë armë me vlerën marramendëse prej 350 miliardë $, gjatë 10 viteve në vazhdim.

Një dekadë e vetme, dhe Arabia planifikon me qindra miliarda investime në armë. Trumpi e vizitoi në Maj 2025 dhe pasoi shit-blerja marramendëse (sa u përket verdhushkave), pothuaj prapa “kulisave”. Mirëpo edhe gjatë 2024 Arabia Saudite ishte shpenzuesi më i madh ushtarak në Lindjen e Mesme, dhe shpenzuesi i 7 më i madh ushtarak në botë.

Bazuar në të dhënat e SIPRI* (2025) mbi 100 vende të botës i rritën shpenzimet e tyre ushtarake gjatë v. 2024. Shpenzimet ushtarake të botës do e arrinin shumën 2.718 trilionë $, rritje prej 9.4% nga v. 2023. E megjithatë, në Qershor 2025, NATO-aleanca (ose më saktë, administrata e Trump) u kërkon anëtarëve të NATO-s rritje të dyfishuar të shpenzimeve të mbrojtjes, tashmë 5% thotë! Ankohet Spanja, Trumpit s’i pëlqen aspak, ngryset, “mërrolet”, mirëpo NUK ankohet as Luksemburgu as Islanda (kjo e fundit i ka 0 (zero) ushtarë aktivë, Luksemburgu 500 ushtarë aktivë : )

Parë globalisht, 5 shpenzuesit më të mëdhenj ushtarakë – ShBA, Kina, Rusia, Gjermania, India – përbënin 60% të totalit global, me shpenzime të kombinuara prej 1.635 trilion $. Gjysmën e këtyre (680.74 miliardë $) Amerika fillikat i nxjerr me tregti armësh, nga fabrikat e veta. Bota i ka 2 “hemisfera” prodhuesish të armëve, globi ndahet në dysh, njëra duke qenë ShBA dhe gjysma tjetër pjesa tjetër e botës (bërë bashkë me Kinë e me Indi, me Rusi e me Britani, me Francë e me Gjermani, të gjithë). Aq e madhe është industria e armëve amerikane.

***
Pak ditë më parë (24-25 Qershor 2025), 32 anëtarë të NATO-s u takuan në Hagë dhe u morën vesh që t’i rrisin shpenzimet e mbrojtjes në 5% të PBB-s. E njëjta pati ndodhur dhe në v. 2014, edhe atëherë aleatët qenë zotuar për synimin e shpenzimit prej 2% të PBB-s. Atëbotë, qenë dakorduar për vendet që shpenzojnë më pak se 2%, nëse e vështirë jo mirë… por megjithatë këto vende duhet t’ia dalin disi, duhet të “synojnë arritjen e 2% shpenzimeve brenda një dekade”.

Samiti në Hagë tashmë thoshte 5% të PBB-s. Njësoj duhet shpenzuar Amerika, njësoj Luksemburgu, njësoj Islanda, të dy këto shtete të vogla ishin anëtare-themeluese të NATO-s në v. 1949, bashkë me Amerikën. Mirëpo dallimi është se Islanda i ka jo më shumë se 0 (zero) ushtarë aktivë, Luksemburgu jo më shumë se 500 ushtarë aktivë! Madje as Shqipëria, e anëtarësuar “gjysmë shekulli” më vonë nuk i ka më shumë se 7000 ushtarë aktivë.

Dhe pas 1 dekade, nga Samiti i 2014-ës, takohen rishtas në Hagë dhe tashmë zotohen për 5% të PBB-s, të arrihet gjatë 1 dekade, deri në v. 2035. Pavarësisht se akoma (janë 7-8 vende) që s’e kanë arritur as 2% si zotim të 2014-ës. S’janë vende aq të “vogla” por fjala është psh. për Spanjën, Italinë, Kanadanë, Portugalinë, Belgjikën etj. Në Hagë, siç e pamë Spanja u “ankua”, jo mbi 2 % por as më pak, aty diku rreth 2%, anise të gjithë të pajtuar, synohej 5%. Ankesa e Spanjës nuk i pëlqente Trumpit aspak, prore duke e kritikuar Spanjën – por s’kanë pse pikëllohen, do pajtohen dhe ata, e pata dëgjuar tek u thoshte gazetarëve.

E “çuditshmja” është se gjatë 2024 shpenzimet ushtarake i rriten mbi 100 vende anembanë botës – shtrohet pyetja pse? Ç’është ky “trend” i rritjes së shpenzimeve ushtarake, dhe pse kaq shumë? Si ia dalin? Pse Italia 50-milionëshe, gjithë ai shtet as 1.5%, pse Meloni aq e mërrolur në Hagë? Pse Kanadaja as 1.4%? Pse duhej të ankohej Spanja? Pse Spanja, si shembull, akoma dhe sot ka ngelur në 1.28%, ku është pra zotimi nga Samiti i 2014-ës?

Meqë Polonia që tani ndodhet në 4.12% të PBB-s (derisa Spanja psh. 1.28 %, madje dhe Kosova e shpenzon 1.5% të PBB-s së vet (mbase do e ketë hedhur “cucllën e newborn”, Kosova tashmë me biberon : ) atëherë i bie se për Poloninë do jetë aq e lehtë 5%. Padyshim nuk do jetë vështirë as për Greqinë, për Amerikën, Estoninë etj. qëkur edhe këto shtete ndodhen mbi 3%. Mirëpo thuase do jetë e vështirë, dhe PSE t’jetë aq “vështirë” për Spanjën, Italinë, Kanadanë, Portugalinë, Belgjikën etj.

Tashmë aleanca i ka 32 aleatë, atëherë kur qe themeluar NATO-ja, në v. 1949 anëtare-themeluese ishin 12 shtete (Amerika, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Luksemburgu, Franca, Holanda, Belgjika, Portugalia, Danimarka, Norvegjia, Islanda). Atëbotë, në v. 1949 ShBA i shpenzonte 5.3% të PBB-s, në rregull tashmë e themeluam NATO-n, brenda 2-3 viteve, nga 1949 deri në v. 1952 shpenzimet e ShBA do kërcenin çuditshëm në 13.9% të PBB-s. Mbase refleks i Luftës së Vietnamit, dhe që do zgjaste 20 vite. Mirëpo edhe pse luftë 20-vjeçare, nga 1952 pastaj pandërprerë shpenzimet u zvogëluan gradualisht, për 70 vjet rresht, për ta arritur në v. 2024 vlerën 3.4% të PBB-s amerikane. E çuditshme, pse në vlugun e luftës 1955-1965 shpenzimet ushtarake patën pësuar zbritje të përkryer “graduale”.

Njësoj dhe me Mretërinë e Bashkuar, sikur dhe me Francën. Në v. 1953 Mbretëria e B. i shpenzonte 11% të PBB-s, pastaj që nga atëherë do vinte rënia graduale për ta arritur në v. 2024 vlerën 2.3% të PBB-s. Franca nga 7.6% në 1953 në 2024 erdhi në 2.1%.
Ndërsa tashmë papritmas diç si “çmenduri shpenzimesh”. Booom, gjatë 2024 shpenzimet ushtarake i rrisin mbi 100 vende anembanë botës. Dhe akoma duhet rritje për “mbrojtjen” e NATO-s! Andaj në Qershor 2025 Boss-i thotë duhet 5%…

Vallë ku qëndron problemi, pse pikërisht tani. Nga njëra anë Trumpi trumpeton, vazhdon me trumpetat se Putini nuk është “rreziku” i Perëndimit, përkundrazi, Putini tashme “mik”, Zelenskyy është ai që i takon skaji i kalbur i tërkuzës. Tashmë Amerika i respekton të “mëdhenjtë” (Rusinë, Kinën, Indinë) sepse me gjasë Amerika më në fund është pajtuar me multi-polaritetin e globalizmit. Jo më Amerikë që kollitet si polic global por tutje diç si “tryezë e rrumbullakët” ku ulen të mëdhenjtë dhe ia bëjnë si t’u pëlqejë me boten rreth-e-rrotull, herë lozin “poker” me raketa, merren me matjen e pulsit të Zelenskyy, të Khameneit, herë i hedhin zaret për fatin e të tjerëve.

Nëse Putini s’qenka “rreziku” i Evropës, atëherë pse duhen shtuar shpenzimet e NATO-s z. Trump, pse duhet dyfishuar, pse 5% – akoma duke u çuditur Spanja? India kurrë s’na ka kërcënuar, as Kina, shtete aq madhështore dhe + paqësore, ishim ne mozomokeq, jeni Ju z. Trump, e pushtuat gjithë atë Amerikë dhe kurrë s’u ngopet, “lufta e ftohtë” nuk ishte me Indinë por siç e dimë mes Amerikës dhe Sovjet-Rusisë. Pse duhej mbi 100 vende të botës t’i rrisnin shpenzimet ushtarake gjatë 2024? E po ashtu dhe NATO-ja tashmë pse duhet dyfishim, mos valle keni “surplus” armësh, lloj-lloj tepricash, më tepër se ç’duhet raketa, dëm të ndryshken, mjafton që ndryshken nëndetset tona, fregatat, pse duhet “oksiduar” dhe raketat, kushtojnë me miliarda…

***
Duke u bazuar në infot e SIPRI, edhe vetë Amerika i ka rritur shpenzimet, në v. 2024 shpenzimet ushtarake të ShBA pësuan rritje prej 5.7%, duke arritur në 997 miliardë $, kjo shumë marramendëse përbën 66% të shpenzimeve totale ushtarake të NATO-s dhe 37% të shpenzimeve botërore në v. 2024.

Kina, si shpenzuesi i dytë më i madh i botës ushtarake, i rriti shpenzimet e veta me 7%, rreth 314 miliardë $.

Në Evropë, përfshirë dhe Rusinë, shpenzimet ushtarake u rritën me 17%, në 693 miliardë $. Çdo vend evropian (përveç Maltës) i rriti shpenzimet e veta ushtarake.
Nëse e veçojmë Rusinë, në v. 2024 shpenzimet ushtarake ruse arritën ~ 149 miliardë $ (shpenzime prej 7.1% të PBB-së), duke shënuar një rritje prej 38% nga v. 2023.

Gjatë 2024 shpenzimet e Ukrainës u rritën me 2.9%, duke kapur shifrën 64.7 miliardë $, jo më pak por 34% të PBB-së së tyre, më e madhja nga çdo vend i botës.

Shpenzimet në mbarë Lindjen e Mesme arritën në rreth 243 miliardë $ në v. 2024. Arabia Saudite ishte shpenzuesi më i madh ushtarak në L. e Mesme, duke i rritur shpenzimet ushtarake me 1.5%, rreth 80.3 miliardë $. Arabia Saudite është shpenzuesi i 7 më i madh ushtarak në botë.

Ndërsa shpenzimet ushtarake të Iranit në v. 2024 ishin 16.7 miliardë $. Shtet 90 milionësh, dhe vetëm 16.7 miliardë $, ndërsa Izraeli shpenzimet e veta ushtarake i rriti në plot 46.5 miliardë $ në v. 2024, 8.8% e PBB-së, i dyti në botë për shpenzimeve ushtarake të larta, sipas SIPRI.

***
Përveç shpenzimeve ushtarake të vendeve që nga 1949 deri 2024, SIPRI e mirëmbanë dhe diç si Top-listë e 100 Kompanive Kryesore të Prodhimit të Armëve dhe Shërbimeve Ushtarake, listë e aktualizuar sëfundi në v. 2023. Vendosa t’i qasem, por paksa më “ndryshe”, i filtërova në një anë prodhuesit e armatimeve të ShBA + Izraelit, dhe në anën tjetër prodhuesit e gjithë botës, më të mëdhenjtë e botës së ngelur.

E besueshme apo jo, majtas i veçova 41 kompani armatimesh të SHBA + 3 të Izraelit > me 695.86 miliardë dollarë të ardhura totale gjatë v. 2023.
Dhe djathtas 43 kompani nga bota e ngelur, të gjithë të mëdhenjtë, me Kinë, Rusi e me Indi [ Kinë, Indi, Japoni, Rusi, Mbretëri e Bashkuar, Gjermani, Francë, Turqi, Itali, kompanitë Trans-Evropiane ] > me 894.69 miliardë $ të ardhurash totale në v. 2023.

Dmth. dhe vetëm kjo infografikë si pasqyrë e prodhuesve të armatimeve mjafton për ta parë “situatën”, 87 Kompani të Botës duke i shitur 1.590.55 trilionë $ armatime në v. 2023. E cekëm pakëz më lart se 5 shpenzuesit kryesorë ushtarakë – Amerika, Kina, Rusia, Gjermania, India – përbënin 60% të totalit global, me shpenzime të kombinuara prej 1.635 trilion $. Shuma e tregtisë me armët e prodhuara prej 1.590.55 trilion $ është përafërsisht baraz me 1.635 trilion $ të shpenzimeve për mbrojtjen ushtarake : )

Apo ja dhe një “krahasim” tjetër, akoma më simpatik. ShBA me 41 prodhues armatimesh i ka gjeneruar 680.74 miliardë $ të ardhura në v. 2023 – ndërsa shpenzimet e mbrojtjes në v. 2024 ishin 997 miliardë $. Kjo shumë përbën 3.4% e PBB-së amerikane (PBB-ja e SHBA në v. 2024 ishte 28.7 trilionë $). Dmth. Amerika i shet ~681 miliardë $ ARMATIME (psh. Arabisë Saudite, Katarit, EBA-s, Holandës, Jugo-Koresë), dhe nga PBB-ja i ndanë + nja 316 miliardë $ shtesë për ta financuar gjithë mbrojtjen dhe zhvillimin e vet ushtarak. Kjo shumë marramendëse prej 997 miliardë $, përbën 66% të shpenzimeve totale ushtarake të NATO-s, dhe 37% të shpenzimeve botërore në v. 2024.

Trumpi e mori “fronin” në Janar 2025, brenda pak muajve i mori nga Europa e “frikësuar” prej Putinit afro 700-800 miliardë $ ekstra. Në Maj ua shiti me qindra miliarda armatim arabëve, dhe tashmë në Qershor në samitin e Hagës e dyfishon “mbrojtjen” e NATO-s… kërkon 5% – ndërsa Spanja çuditet, ankohet : )

Imagjino, rreth 70% të gjithçkaje ushtarake për nevojat e veta Amerika i nxjerr-rifinancon nga shitja e armëve, 41 kompani amerikane (shih infografikën) i gjeneruan ~681 miliardë gjatë 2023, dhe Trump sapo ia ka filluar, ka kohë për akordimet eventuale të paqes (psh. pasi t’kenë luftuar palët e armiqësuara ca vite mes vete, pasi t’jenë “lodhur”), si Ukraina, si Ruanda, si RD Kongos, si Irani i rraskapitur (gjithë ai shtet, të ngratët as 20 miliardë $ s’i kanë investuar për mbrojtje gjatë 2024). Ndërsa Izraeli i “vogël” 46.5 miliardë $ për shpenzimet ushtarake të 2024, BB-ja e Izraelit ishte 540.061 miliardë $ por gazanët duhet të vdesin urie, Natanjahu me “lejen” e Trump dhe të Evropës ende merret me eksperimente gjenocidale, i ndjek dhe i shfarosë sapo kërkojnë pak ushqim.

Izraeli madje dhe vetëm me tregtinë e armëve (15 miliardë $ për v. 2023, tregti modeste, shih infografikën) i nxjerr shpenzimet ushtarake të Iranit. S’është nevoja t’ prekin fare 540 miliardë $ të PBB-së.

* SIPRI – Stockholm International Peace Research Institute (Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve për Paqen në Stokholm)
Baza e të Dhënave të Shpenzimeve Ushtarake e SIPRI përmban seri konsistente mbi shpenzimet ushtarake të vendeve për periudhën 1949–2024. Të dhënat e SIPRI aktualizohen çdo vit. Mirëpo, kuptohet, të dhënat e shpenzimeve ushtarake bazohen vetëm në burimet e hapura. Askush s’ka qasje në gjërat që shtetet i mbajnë sekrete, SIPRI s’ka si t’ofrojë info për gjërat që s’i di askush. Diç si shembull i ambiguitetit “absurd” do ishte bie fjala programi sekret bërthamor i Izraelit.

[ ngjitur: Infografikë nga Sky Division, Qershor 2025 – Të dhënat: SIPRI Arms Industry Database, Dec. 2014 – + një foto, mbreti Willem-Alexander dhe mbretëresha Maxima me anëtarët NATO-s ]