Kinezët prijatarë me gjithçka : )

(senad guraziu – ars poetica, 19 k 2025)

mos pyet, na lodhi Kina me zotësinë shkencore, me përparimet, me avancimet, me gjithçka – uroj ta djegin “flotën” prapë, thjesht ashtu kot, nga hiçasgjëja, nga mërzia, uroj u mbushet mendja si kalamajve me “kullat e rërës” në plazh, i shembin për t’ia nisur nga e para : )

***
Kina, Kina, Kina… na lodhi Kina, sikur po thosha mëvete nga “inati” : ) sepse kinezët tashmë duke mbidominuar dhe duke i diktuar gjeopolitikat e reja rreth shkencave, rreth Inteligjencës Artificiale, e që do t’thotë (nënkuptohet) kushdo ta mbajë përparësinë sa u përket shkencave dhe avancimeve, do i përcaktojë dhe ndikim-faktorët e së ardhmës…

Derisa në v. 2000, numri i punimeve kërkimore lidhur me Inteligjencën Artificiale ishte më pak se 8500, analizat tashmë thonë se në v. 2024 numri u rrit në 57.000. Po ashtu, derisa atëbotë (25 vjet më parë) Kinës i takonin vetëm 671 punime lidhur me fushën IA-së, në v. 2024 kinezët i kaluan gjithë “perëndimorët” duke i sjellur 23.695 botime shkencore, tejkalim komplet i prurjeve të kombinuara të ShBA (6378 sosh), Mbretërisë së Bashkuar (2747) dhe BE-së (27 vendeve të BE-së, me 10.055 punime).

“Ndikimi i ShBA-së në studim-kërkimet e Inteligjencës Artificiale po bie, ndërsa Kina tani duke mbidominuar”, shkruante Daniel Hook, CEO i Digital Science, në raportin “DeepSeek dhe Gjeopolitika e Re e Inteligjencës Artificiale: Ngritja e Kinës drejt përparësisë kërkimore në fushën e IA”.
[ https://doi.org/10.6084/m9.figshare.29336588 ]

Po ashtu, në Science Insider, Dennis Normile rreth para 1 jave shkruante se Kina e ka tashmë epërsinë komanduese me “bumin” e zhvillim-kërkimeve rreth Inteligjencës Artificiale (IA), pavarësisht kufizimeve të ShBA për eksportimin e çipave kyç tek kinezët.

[ https://www.science.org/content/article/china-tops-world-artificial-intelligence-publications-database-analysis-reveals ]

Vërshimi i studimeve rreth IA-së si prurje shkencore, apo si dokumente prodhuar në Kinë e solli gjithashtu dhe rekord-nivelin e patentimeve të tyre. Sipas Dennis Normile (Science Insider) në v. 2024 studiuesit kinezë i paraqitën 35.423 aplikime për patentë lidhur me IA-në. Dhe kjo shifër pothuaj “brengosëse, e pikëllueshme, që ngjallë keqardhjen”, sepse është më shumë se 13 herë tejkalim i 2678 patenteve të paraqitura gjithsej nga ShBA, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Japonia dhe Jugo-Koreja së bashku.

Shkurt, mos pyet, na lodhi Kina me zotësinë shkencore, me përparimet, me avancimet, me gjithçka – uroj ta djegin “flotën” prapë, thjesht ashtu kot, nga hiçasgjëja, nga mërzia, uroj u mbushet mendja si kalamajve me “kullat e rërës” në plazh, i shembin për t’ia nisur nga e para : )
Dikur, para 12 viteve, në një qasje poetike “Multiversum Yjor” pata shkruar si vijon: “Kinezët, si yjet mbi Murin Kinez, zhyten në histori, kujtohen se si një shekull më pas De Gama s’e kuptonte dot, nëse e gjithë bota e tyre mund t’ishte, vallë pse kinezët e dogjën flotën kot”…

Sipas meje, dhe dmth. poetikisht duke aluduar sipas eksploruesit De Gama, mirë që kinezët e dogjën flotën atëbotë, sepse përndryshe mos pyet, e gjithë bota do ishte e tyre, do e zbulonin ata Kinarikën, jo Amerigoja, s’do quhej Amerikë por Kinarikë or something… s’do kishin shans as Kolumboja as askush, qëkur kinezët do arrinin atje të parët : )

MULTIVERSUM YJOR
S. Guraziu, 2013

(çdo yll e qetëson lavjersin e vet
i gozhduar diku me gjilpërën
magnetike në glob, dhe pretendon
të jetë në qendër të universit)

***
Arabët modernë i quajnë yjet
me emra satelitësh, këmbët
ngulur në dunat, nëpër pishina
nafte i zbardhin “baluuzaat”,
celularët në veshë, përtypin
hurma dhe “bla, bla” me Zotin.

Eskimezët çuditen pse yjet
e qiellit që këputen s’bien
pingul në akull, si toptha drite
drejt në vrimën rrumbullake,
peshqit e uritur të ndriçoheshin,
dhe ata vetë që të ngopeshin.

Evropianët pandehin gjithë yjet
e gjithësisë janë të “krishterë”,
ndonjëri aty-këtu jo por të tillë
janë yje mashtrues, prandaj
Kolumbo dikur ia huqi Indisë
atij ia hodhi vetë Polaris.

Amerikanët i hedhin pesëdhjetë
yje në zjarr, insistojnë Amerigo
Vespucci thjesht pati fat, qëlloi
italiani i parë me emër të vërtetë,
dhe aspak mafioz, athua cili do jetë
Al Capone me fat për në Mars.

Kinezët, si yjet mbi Murin Kinez,
zhyten në histori, kujtohen se si
një shekull më pas De Gama
s’e kuptonte dot, nëse e gjithë
bota e tyre mund t’ishte, vallë
pse kinezët e dogjën flotën kot.