Ndihma e IA për t’i lexuar gurët e Romës së lashtë

S. Guraziu – Ars Poetica, 26 Korrik 2025

Vetë pikësëpari s’kam ditur se rreth 1500 mbishkrime të reja romake u zbuluakan çdo vit, dmth. duhet nënkuptuar pllakash guri me gdhendurina germash nga koha e perandorisë romake. Shumë prej tyre, kuptohet gjetur pas mijëra viteve, patjetër se do jenë të dëmtuara, të thyera etj. Por që paska shumë këso pllakash, dhe çdo vit koleksionit te gjetjeve iu shtuakan + nga 1500 sosh.

Andaj ekspertët e Inteligjencës Artificiale qenkan marrë me një IA-vegël speciale për të ndihmuar në çështjet e leximit dhe kompletimit të shenjave ndër pllakat. Modeli i IA i cili qenka trajnuar enkas të ndihmojë me deshifrimin e me përplotësimin e teksteve që mungojnë (të cilin IA-model e paskan pagëzuar simbolikisht me emrin e heroit të Romës, “Enea”) qenka trajnuar me mbi 200.000 të tilla mbishkrimesh, që veç njihen. Këto mbishkrime latine datojnë duke filluar nga shek. VII pes., e deri në shek. VIII të es. Dmth. 1 mijëvjeçar komplet, i stërnbushur i lashtësisë, me gurë-mbishkrimet e kohës e me lloj-lloj pllakash.

Sipas meje mjaft interesante që qenkan rreth një çerek milioni këso pllakash e mbishkrimesh (afërmendsh, Roma perandori e “zgjeruar dhe e stërzgjatur” me shekuj e shekuj, mund ta kem marrë me mend se do jenë shumë, por jo kaq shumë : ) Dhe po ashtu mjaft interesante që IA-veglat qenkan efikase me ndihmën e tyre, s’paska pse humbet kohë duke i idealizuar avancimet e së ardhmes – qëtani ndihma e IA qenka e jashtëzakonshme.

Të përdoret IA për t’i “lexuar gurët e së kaluarës”, për ta kompletuar historinë e para mijëvjeçarëve, ku di… mjaft interesante. S’para kam pritur se IA do na ndihmojë + në këtë drejtim tani, ndoshta më vonë por jo tani, mjaft interesant e simpatik dhe ky aspekt në vetvete. Imagjino nëse Profesori Indiana Jones i industrisë hollivudeske ta kishte dhe ndihmën e IA, argëtim e përtej argëtimit, do kënaqeshim “ekstra” me aventurat e tij, qëkur zgjidhjet e enigmave nga ai do ishin shumë më të mençura, secili mister do ishte më i nuancuar etj etj : )

Ku di, tani për tani ende “herët” – do kem thënë mëvete (pavetëdijshëm), s’duhet iluzione të tepëruara as me tekno-veglat. Mbase në të ardhmën – do kem pandehur, sepse ndoshta akoma herët, sipas meje IA sikur ende s’është mirëfilli vegël e së tashmes. Pavarësisht se disa aspekte të IA janë avancuar dukshëm, në njëfarë mënyre sikur ende e mban “vulën e veglave të ardhmërisë” : )

Tekefundit ashtu mund t’kem pandehur, jo si “diskriminim” a zhvleftësim i meritave të IA, larg qoftë, thjesht nga mosdija, pa të keq. Për fat të mirë paskam qenë (jo gabim por) dobët i informuar, puna qenka ndryshe, ndihma e IA për t’i lexuar gurët e Romës së lashtë qëtani qenka e disponueshme. Kështu që tashmë “Enea” mirëfilli do u ndihmojë historianëve që t’i plotësojnë tekstet e dëmtuara latine nëpër pllakat (shkruante dje Science). Madje qoftë dhe nëse gjysma e pllakës të mungojë, sepse e thyer, e humbur etj. Shih grafikën ngjitur, nëse s’gabohem grafika e përdorur nga Science është e Google DeepMind – vërtet mbresëlenëse, mrekullia vetë, mungon gjysma e pllakës, no problemos amigos : ) IA thjesht e kompleton.

Dihet, meqë pllakat e gurit janë dëshmitë më të besueshme të së kaluarës (nuk thuhet kot “gdhendur në gur”), mbishkrimet e lashta romake ofrojnë dritare të “pastra” kur është fjala për ligjet, ekonomitë, ritualet dhe jetën e përditshme të njerëzve që kanë jetuar mijëra vite më parë. Duke i plotësuar në mënyrë efikase karakteret që mungojnë, duke i risjellur germat latine në mbishkrimet romake, modeli i ri “Enea” premton vështrime më të hollësishme rreth jetës së njerëzve të lashtë.

Mirëpo shumë mbishkrime që janë ndarë, apo veçuar, apo këputur nga aty ku e kishin vendin, “rrokullisur” e degdisur nga vendet e tyre origjinale (psh. nëse t’i kenë takuar ndonjë portali, a fasade etj), ose janë thyer ose janë bërë të palexueshme për shkak të konsumimit, dhe kështusoj duke u vështirësuar analizimi i mbishkrimeve të reja romake që shtohen si gjetje, vit për vit. Tashmë mbushja e “boshllëqeve” të historisë është bërë më e lehtë falë “Eneas”, model i IA ashtuquajtur Model i Madh Gjuhësor (LLM – Large Language Model) i prezantuar më 23 Korrik 2025 në Nature [ https://www.nature.com/articles/s41586-025-09292-5 ], model që është projektuar enkas për interpretimin dhe kontekstualizimin e mbishkrimeve romake – thoshte Science.

“Enea” mund ta analizojë tekstin ose imazhin e një mbishkrimi të thyer dhe thjesht t’i plotësojë karakteret që mungojnë, madje dhe nëse apo kur studiuesit s’e dinë që mbishkrimi kishte pjesë që mungonin. Modeli “Enea” gjithashtu mund ta vlerësojë datën dhe vendin e krijimit të mbishkrimit me saktësi relativisht të mirë, teksa paralelizon dhe identifikon mbishkrime të tjera të njohura tashmë, me fraza e funksione të ngjashme.

Ekspertët po ashtu nuk u brengoskan sa i përket problemit të mirënjohur të IA-halucinimit, sipas tyre ka më pak të ngjarë që “Enea” të halucinojë përgjigje të sajuara (siç ia bëjnë IA-modelet gjuhësore me qëllim të përgjithshëm, modelet që tashmë jemi mësuar me to, si ChatGPT etj). Sepse modeli “Enea” është trajnuar në mënyrë specifike, duke mësuar nga një grumbull masiv të dhënash të specializuara latine.