Vetëm koalat dhe njerëzit me shenja unike “gishtash”!

S. Guraziu – Ars Poetica, M 2016

Gjithmonë kam menduar “di mjaftueshëm” për koalat. Apo, me fjalë të tjera: jo se di për to… por di aq sa më është dashur të di! Zakonisht kaq dhe na mjafton, apo jo. Nëse mjaftohemi me aq sa dimë, atëherë, kuptohet s’është nevoja t’i aspirojmë “ekspertizat”. Një detaj që nuk e dija për koalat, e mësova mbrëmë. Mirëpo mbrëmë s’kisha kohë t’i tregoj botës se ç’kam mësuar të re : )

Koalat qenkan të vetmet kafshë, si gjitarë që paskan shenja unike “gishtash”, sikur dhe njeriu! Në këtë drejtim njerëzit dhe koalat na qenkan baraz, secila koalë i paska “shenjat” unikale. Mbrëmë m’u duk mjaft interesant ky detaj, dhe koalat rishtas më habitën!

Ndonëse gjithmonë kam qenë ngapak i çuditur me koalat, që nga kur di për këto krijesa. Për mua koalat sikur janë kafshët më të “shkreta” dhe më interesante të planetit (pothuaj sikur më dhimbsen për jetën e tyre totalisht sedentare, aty për aty ma kujtojnë pafajësinë – njëjtë sikur dhe qengjat e njomë që asociojnë atë pafajësinë më të natyrshme). Ndoshta gjithkush “habitet” ngapak me koalat, padyshim. Lidhja e tyre me pyjet eukaliptike si habitat, pastaj ekskluzivisht me gjethet e këtij druri si ushqim, dhe është diç për t’u habitur. Ky detaj mund t’jetë njëri ndër të parët që më pati fascinuar dikur.

Pothuaj s’ka artikullshkrues i cili merret me “përkrahjen” e religjionit, e t’mos i përdor koalat si shembull. E kam fjalën për aso autorë që merren me shkrime si “dëshmi” për ekzistencën e Zotit. Pothuaj të gjithë flasin për koalat dhe eukaliptusin, dmth. për ta “grushtosur” evolucionin dhe darvinizmin. Sepse sikur e pamundur të anashkalohet një “mrekulli” e tillë pa u përmendur si mrekulli. Aq interesante pra janë koalat.

Anise, shikuar nga aspekti shkencor për koalat thjesht dihet mjaftueshëm, ka dy shekuj tashmë që shkenca merret me to. Është fakt që gjethet helmuese të eukaliptusit për shume gjitarë te tjerë do ishin fatale, dhe është fakt që koalat ushqehen vetëm me këto gjethe. Por dihet që neutralizimi i substancave toksike mundësohet fale mikroorganizmave te veçantë që jetojnë në aparatin e tretjes së tyre.

Shkenca s’e ka sqaruar ende si kanë arritur mikroorganizmat e tillë në stomakun e tyre, e vërtetë kjo. Por shkenca sëpaku nuk spekulon bie fjala se përse asnje kafshë tjeter nuk u “pajis” me mikroorganizmat anti-toksikë. Shkenca s’merret me spekulime për gjërat që s’dihen as nga vetë shkenca, për koalat thjesht thotë: “natyra i ka adaptuar në mënyrë unike për t’i neutralizuar kimikatet toksike eukaliptike…” : )

Më poshtë shkurtazi dhe disa gjëra për koalat.
– koalat shtiren sikur nuk e dinë që dita zgjatë vetëm 24 orë, ato për ta kursyer energjinë thjesht ia krisin gjumit dhe flenë jo më pak por 18-22 orë në ditë : )
– thuhet se 10-12 vite eshte mesatarja e jetëgjatësisë se koalave (por valle si mund te jete kjo e sakte.. kur ato gjumashe per 20 e kusur ore te dites)
– koalat tërë jetën mund t’mos hanë gjë tjetër pos gjetheve helmuese të eukaliptusit, të cilat janë shumë fijëzore, me vlerë të ulët ushqimore, për shumicën e kafshëve tjera tepër helmuese
– koalat rralle pinë ujë, ose dhe fare… ato dhe lëngjet i marrin nga gjethi i eukaliptusit
– në Australi ka mbi 600 lloje të eukaliptusit, por janë gjethet e vetëm 2-3 llojeve që koalat i hanë, në ndonjë regjion vetëm 1 lloj
– koalat janë kafshë strajcore (marsupius (lat.) = strajcë)
– koalat ishin pjesë e miteve të indigjenëve australianë për mijëra e mijëra vite, madje dhe i kanë vizatuar nëpër shpella, por evropianët për herë parë kanë mësuar për to rreth v. 1800
– truri i koalave është me “zbraztësi”, dhe i vogël, ne krahasim me proporcionet e kokës
– mesatarja e peshës së koalave femra eshte nga 8 – 5 kg, por të vegjlit kur lindin peshojnë më pak se 1 gram dhe janë rreth 2 cm (rriten pastaj në strajcën për 7-8 muaj)
…etj etj.