SG – Shih dy anët e dhimbjes

SHIH DY ANËT E DHIMBJES
S. Guraziu, 2010

një velo i çuditshëm na ndanë,
si pëlhurë e tejdukshme, thuase
dy piktorë të verbër e ngjyrosin
dhimbjen me fjalë, edhe pse
për ty ana ime s’është fare imazh,
as ndonjë “mirazh” piktural, i
ngjanë dyfytyrësisë, sipas teje
brushat e mia kuturu shkasin,
kot… e njollosin pangjyrësinë!

anës sime të “telajos” shoh
pafundësinë – mahnitës peizazhi
i paanë, ngjyrat e mia përzihen
në syprinen e syve matanë, në
shikimin tënd një ylber piktoresk,
afrohu, provo ta ndjesh,
kritikoje “artistiken” e anës sime,
rrënoje dhe idiliken, pse jo,
por me fjalë të sinqerta
të kritikës, zhyti buzët në freskinë
e së kuqes, guxo, futu më thellë
në fshehtësinë e pikturës, do t’i
gjesh të gjitha detajet që të duhen,
dhe vetë “konturat” e puthjes!

[ piktura: Wilhelm E. Daege (1805-1883) – Shpikja e Pikturës (Shpikja e Artit Piktural), 1832 – detaj ]