Tirana kishte dhe ka nevojë për ndonjë “Lady Justice”!

s. guraziu – ars poetica, f 2016 (Koment)

Se përse tiranasit nuk “pajtohen” me opinionet e mia (sidomos këto 10-15 vitet e fundit), s’e kam idenë! Ndoshta… meqë s’jam fare tiranas. Ç’arsye tjetër mund të kenë : )

Si opinion personal e kam thënë qëmoti, Tirana duhet t’ia gjejë vendin diku një statuje të “Lady Justice”, të Zonjës Drejtësi. Mund të merret dhe metaforikisht, por e kam fjalën për një skulpturë reale… realisht. Do ishte mirë t’u bëhet vend dhe disa simboleve tjera të ngjashme “universale”. Tirana do duhej ta kishte bërë që para 20 vitesh ndoshta. Ose sëpaku para 10 viteve. Një “Lady Justice” madhështore, thjesht si kujtim për qytetarët dhe si fluksim të vetë kujtimit për disa çështje të virtyteve dhe të qytetarisë. Mundësisht në anën tjetër të sheshit… andej përballë monumentit të Skënderbeut. Thjesht sepse aty rrotull “gravitojnë”, kush më pak e kush më rrallë, pakashumë të gjithë shqiptarët. Si ilustrim tutje i “gravitacionit”, sikur i bindur jam që s’ka asnjë vlonjat e as prishtinas i cili s’ka kaluar së paku një herë andej pari.

Si opinion e kam thënë qëmoti, disa gjëra i shohim si tepër nëpërmjet prizmit nacionalist, të atij patriotik, fetar, kombëtar etj. I shohim ashtu ndonjëherë kur duhet, por dhe mjaft shpesh kur nuk duhet. S’ka diç tjetër që mund t’ua “shesësh” shqiptarëve më lehtë sesa klishetë e nacionalizmit-patriotizmit! Thuase ndokush tjetër i botës “ngutet” për ta konsideruar veten më shqiptarë sesa vetë shqiptarët! Thua se do t’ngelemi mbrapa për t’ia dëshmuar botës faktin që jemi shqiptarë (e jo diç tjetër). Pse t’mos e pranojmë, i kemi dhe ne ca frikërash e vesesh interesante.

Në këtë ngjyrësi të “prizmit” e të euforisë, bie fjala, gjërat shpesh na dalin më të “kuqe” sesa ato janë, ne vetë përshfaqemi më të “kuq” sesa realisht jemi. I ujdisim gjërat në kokën tonë (përgatitje psikologjike), i tendosim zemrat dhe idealizmat për 2-3 javë rresht, i ndezim të gjithë fitilat, i skuqim aq shumë flamuj e simbole “patriotike” dhe gjithçka rreth e rrotull pastaj frymon e ngulfatur nga këso detaje.
Një e tillë përskuqje u vërtetua më së miri me rastin e euforisë “historike” për garat e UEFA. Përskuqje e gëzim, që psh. ndoshta do duhej të kishte ndodhur me rastin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, por joooo, as që pati atëherë ndonjë përskuqje. Thjesht ca gjërash e urimesh “gjoja” protokolare, fare ftohtë thuase s’duhej bërë bujë që gjysma e kombit të përvuajtur më në fund e shpalli veten “të pavarur”! Thuase po t’bënim “bujë” atëherë (me euforinë e justifikuar), do t’na hidhëroheshin serbët, grekët, malazezët… evropianët. Thuase i paraqiteshim botës racionalë sa i përket gëzimit, të “matur”, me sens, taktikologë e ekspertë politikë.

Ndërsa në rastin e “UEFA” politikanët desh u mërdhezën, aty për aty filluan ta “patriotizojnë” futbollin, sportin, fanatizmin, rastësinë, suksesin, fatin, arritjen… deri në kulm, deri në marramendje. Duke i kthyer mediat (të cilat politikanët vetë i kontrollojnë) andej kah eventi dramatik dhe duke e zhvendosur vëmendjen lidhur me problemet eventuale politike fare diku tjetër. Ehuu, thuase nuk shihen dhe nga sateliti, të tilla manevrimesh politike. Një “Sandri” e kemi gjithsej, dhe një “top-channel”, të tjerët janë satelitër, kthehen me “remote controller”, si vetë kanalet e tyre televizive me butonat e pultit. Sa e sa spotet filmike i pati kullufitur Youtube ato ditë, sa e sa videot me muzika e xingla-mingla thërrisnin për “bashkim kombëtar”… vetëm Youtube e di.

Por dhe nëse t’mos i kishim fare këso rastesh të mëdha (dmth. të justifikueshme, si rasti i UEFA-së), për ne sikur gjithmonë do t’jenë: o propaganda dhe problematikash fetare, o aso hesapesh politike-patriotike. Tjera variante-opsione sikur s’kemi. Në këtë vazhdë dhe shërbehemi me simbolet adekuate, me relikte, flamuj, ngjyra, reklamash.. dhe të gjitha janë “(mbarë)kombëtare”. Trazohemi dhe pastaj qetësohemi, euforizojmë dhe pastaj sikur ulemi e racionalizojmë.

Mirëpo gjithmonë, edhe në eufori, edhe në qetësinë e pastajme të rutinave të përditshme, duke i harruar totalisht disa gjëra të vogla, por aq vitale, “universale”. Ose dhe mirë, s’shembet bota ta duam veten euforikisht sa më shuuuuumë, sikur t’mos i linim anash dhe ca gjërash fondamentale të “universales”. S’duhet t’i harrojmë, sepse na duhen, pse t’mos i instalojë dhe Tirana “statujat e Drejtësisë, të Lirisë, etj. etj. Meqë ra fjala, pse t’mos ta ketë dhe Tirana një “Liberty”… ç’të keqe ka, why not, liria aq e shtrenjtë, s’duhet harruar : )