Një Dekadë Rritje e Shpenzimeve Ushtarake në Ballkanin Perëndimor!

Shpenzimet Ushtarake në Ballkanin Perëndimor (2015-2024)
S. Guraziu (Sky Divison) – Gusht 2025

Të dhënat e SIPRI të filtëruara enkas për vitet 2015-2024, flasin se dekada e kaluar dëshmon për rritjen e konsiderueshme dhe të vazhdueshme të shpenzimeve ushtarake në gjithë Ballkanin Perëndimor. Rajon i cili sikur ende duke u përballur me sfidat e rrugëtimit për integrimin evropian, pas fazës konfliktuoze të fundviteve të shek. XX. Të dhënat nga Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI) për periudhën 2015-2024 flasin qartë: shtetet ballkanike po investojnë më shumë në mbrojtjen dhe në asetet ushtarake sesa në çdo kohë tjeter. Kjo rritje padyshim se nxitet nga përzierja komplekse e presioneve gjeopolitike, e aspiratave për integrimin euroatlantik, dhe dinamikave të brendshme politike.

Tipari më i habitshëm i të dhënave (filteruar nga databazat e SIPRI) është shkalla e madhe e shpenzimeve të Serbisë dhe Kroacisë. Në terma absolutë ($ dolarë amerikanë – i lamë ashtu siç figuronin në SIPRI, anise mund të konvertoheshin në Euro) këto dy shtete i kalojnë apo i tejkalojnë dukshëm fqinjët e tyre. Shpenzimet e Kroacisë u rritën nga 891 milionë $ në v. 2015 në mbi 1.6 miliardë $ në v. 2024, ndërsa investimet e Serbisë u rritën ndjeshëm nga 700 milionë $ në një shifër marramendëse prej 2.3 miliardë $ gjatë të njëjtës periudhë. Kjo i vendos këto 2 shtete në një kategori “tjetër”, duke përbërë pjesën më të madhe të shpenzimeve totale ushtarake të rajonit. Shpenzimet ushtarake te ketyre 2 shteteve i pasqyrojnë ekonomitë e tyre më të mëdha, por ndoshta dhe rivalitetin tradicional dhe dëshirën për të qenë fuqitë kryesore ushtarake në rajon.



Sipas variables së dytë – Megjithatë, metrika më domethënëse është shpesh shpenzimi ushtarak si përqindje e PBB-së, e cila metrikë e matë barrën ekonomike që një shtet është i gatshëm ta mbajë (dhe ose ndajë) për shpenzimet e mbrojtjes. Këtu shfaqet një narrativë e ndryshme. Ndërsa shpenzimet e Serbisë janë të larta në shifra absolute, pjesa e PBB-së është gjithashtu e konsiderueshme, duke lëvizur rreth 2.2% deri 2.6% në vitet e fundit – shifër kjo që e përmbush dhe madje tejkalon objektivin e NATO-s prej 2%.

Veçanërisht, Serbia (si jo-anëtare të NATO-s) dhe Shqipëria tani janë shpenzuesit më të mëdhenj në krahasim me madhësinë e ekonomive të tyre. Shpenzimet e Shqipërisë panë një kërcim të jashtëzakonshëm, për t’mos thënë “dramatik”, nga një mesatare e qëndrueshme prej rreth 1.2% të PBB-së në 2.04%, në v. 2024. Kjo rritje është një dëshmi e fuqishme e angazhimit të Shqipërisë si anëtare e NATO-s, veçanërisht në periudhën e pasigurisë së shtuar, pas fillimit të luftës në Ukrainë.

Për vendet e tjera, aspirante për anëtarësimin në NATO – Bosnja dhe Hercegovina, Kosova dhe Maqedonia e Veriut – pamja është më e larmishme. Maqedonia e Veriut ka bërë një përpjekje për t’u përshtatur me standardet e NATO-s, me shpenzimet e saj që u rritën nga 0.99% e PBB-së në v. 2015 në 2.1% në v. 2024, pothuaj pakashumë e njëjta “pasqyrë” si me Shqipërinë.
Kosova, ndërsa pati filluar nga një bazë shumë e ulët, tashmë më shumë se i ka dyfishuar shpenzimet e mbrojtjes gjatë dekadës. Bosnja dhe Hercegovina, padyshim meqë e pllakosur nga mosmarrëveshjet e brendshme politike, mbetet shpenzuesi më i ulët në rajon, krahasuar me PBB-në vendore, me vetëm 0.75% në v. 2024. Kjo shifër e ulët padyshim i nxjerrë në pah sfidat e konsensusit mbi politikën dhe të mbrojtjes boshnjake.



Sipas variables së tretë – Shpenzimet për frymë banori zbulojnë koston e shtetit, krahasuar dmth. si kosto për numrin e popullates. Kroatët e kanë shpenzimin më të lartë me rreth 419 $ për person në v. 2024, të ndjekur nga serbët me 344 $. Përsëri e dukshme është rritja në Shqipëri, me shpenzimet për frymë banori që kërcejnë nga 46 $ në v. 2015 në 191 $ në v. 2024 – rritje kjo katërfishore që tregon ndryshimin e thellë të prioritetit kombëtar.

Mendojmë se janë disa faktorë të ndërthurur që i shpjegojnë këto tendenca. Së pari, padyshim që lufta në Ukrainë ka vepruar si një katalizator i fuqishëm, duke krijuar një ndjenjë cenueshmërie dhe duke nxitur një rivlerësim të nevojave të mbrojtjes në gjithë rajonin. Së dyti, shtytja e vazhdueshme për anëtarësim në NATO ishte prore si nxitje e fuqishme për aspirantët që t’i modernizojnë forcat e armatosura dhe t’i përmbushin standardet e shpenzimeve të Aleancës. Për anëtarët ekzistues të NATO-s, si Shqipëria dhe Kroacia, patjetër se ndjehet dhe si çështje solidariteti dhe ndarjeje e barrës së aleancës.

Nga ana tjetër, rritja e shpenzimeve të Serbisë ndodh jashtë kornizës së NATO-s. Beogradi e citon neutralitetin ushtarak dhe nevojën për t’i modernizuar pajisjet e veta usharake të epokës sovjetike, mirëpo investimet e mëdha të Serbisë shihen gjithashtu gjerësisht si një mjet për ta forcuar pozicionin strategjik (në krahasim me Kosovën, dhe fqinjët e saj të mbështetur nga NATO). Shpenzimet e larta ushtarake të Serbisë padyshim se nxisin potencialisht dhe prore një dilemë rajonale të sigurisë.



Si përmbyllje mund të thuhet se të dhënat e SIPRI e pasqyrojnë, ose e paraqesin pamjen e rajonit ballkanik në linjën e vazhdueshme të militarizimit. Faktorët nxitës janë përzierja e shtrirjes së jashtme të ndikimeve (psh. NATO-influencat, faktorët makropolitikë si Rusia, Kina si aleat i Serbisë dhe Rusisë, lobizmat e industrive ushtarake dhe aspiratat drejt aleancës) sikur dhe tendencat e brendshme të “politizimit” të fuqisë ushtarake. Derisa integrimi euroatlantik ofron një kornizë të strukturuar për shpenzimet e mbrojtjes (anise tashmë dukshëm më të larta), investimet e konsiderueshme nga Serbia (si jo-anëtare e NATO-s) e sjellin po ashtu dhe elementin e konkurrencës strategjike.

Vitet e ardhshme, ose dekada tjetër, padyshim se do e shpalosin nëse kjo rritje e vazhdueshme e shpenzimeve ushtarake ndikon të “çimentoset” e ardhmja më paqësore, më pacifistike e Ballkanit. Rritja e armatimeve është e qartë gjatë viteve 2015-2024, patjetër se do shihet nëse ky “trend militarizues” i dekadës së fundit do ndikojë që rajoni ballkanik ta ketë stabilitetin politik, apo ndoshta do shihet fare e kundërta, megjithatë bëhet burim i tensioneve të reja të rajonit.

[ infografika ndëraktive, bazuar në të dhënat e Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI), 2024 ]