Gjuha, Tirana, dhe Amsterdami si “Kryeqyteti i Internacionales”!

S. Guraziu – Ars Poetica, G 2013

(…çfarë nëse Tirana t’i kishte 170 nacionalitete, aty mu në zemër të vërtiteshin me bizneset multimilionëshe të tyre, me restorantesh e kazinosh… panumër kinezë e eskimezë, komançë e lulandezë, apaçë e kikirezë… obobo (imagjinoni ta kishte Tirana një “Chinatown” heh), vallë si do dukeshin tabelat e dyqaneve? A mund ta “kapërdijmë” ne shqiptarët disi idenë e “evropianizimit”, idenë e “ndërkombëtarizimit” etj etj. – apo mbase do ta kapnim kokën, s’do ta duronim kurrë bie fjala një vëllim ekstra, aq voluminoz sa fjalori aktual shpjegues i Shqipes, me “turqizma”, me “sllavizma” a me “greqizma”…)

– – –
“…në Tiranë shkruhet me të gjitha gjuhët e botës anglisht, frëngjisht, italisht. Vetëm jo Shqip. “Tobacco Shop” duhet të ketë cigare e prodhime duhani. A nuk ka një emërtim respektiv në gjuhën shqipe për këtë lloj dyqani? Një dyqan dyshekesh ka emrin “Vorld Flex”. Të gjitha klubet e kanë “harruar” shqipen dhe shkruajnë “Club”. Të gjitha kafenetë e kanë “harruar” emrin shqip dhe e shkruajnë “Cafee”. Tutje sheh tabela dyqanesh “Chic Woman”, “Vita Boutique”, “Madison Aveny”, “Favorii Shop”, “Evona Nyense” etj. etj. Se si lexohen këto nga një njeri i thjeshtë nuk ka koment. Edhe dyqanet e pakta të bulmetit, të bukës apo të gazetave me emra shqiptarë rrinë si të drojtur, si jetimë përballë kësaj lukunie gjuhësore… [ shkëputur nga “Një qytet duhet në mjediset e tij të flasë shqip!“, autor N. Selmani ]
– – –

***
Si info mund të tingëllojë paksa e “çuditshme” – është për t’u çuditur por holandezet sikur as “pesë pare” s’i japin për problemin në fjalë (dmth. për emrat e dyqaneve etj). Në këtë drejtim 1 milion herë më keq i ka punët Amsterdami sesa Tirana, garant. Por kjo që thashë nuk vlen bie fjala për gjermanët, e as për belgët (per këta të fundit assesi, me sa di unë, lidhur me këtë “problematike” belgët janë shumë rigoroze). Se përse holandezët nuk bëjnë aq “bujë e poterë” lidhur me problemin në fjalë, s’e kam idenë mirëfilli!

Nëse flasim për Amsterdamin si qytet, ky s’është “kryeqytet” siç është rasti me Tiranën, Amsterdami s’është “kryeqytet administrativ” i Holandës (është Den Haag). Mirëpo aty jetojnë jo më pak por 177 nacionalitete të botës, dhe pra Amsterdami është qyteti më “ndërkombëtar” i botës, sëkëndejmi është njëfarëlloj Kryeqyteti i mirëfilltë i Internacionales. Pas tij vjen Antwerp (i Belgjikës) si qyteti i dytë “international”, me 160 nacionalitete. Ndërsa metropolit “monstruoz” New York i “takojnë” 150 nacionalitete… dhe kështu New York është i treti në botë sa i përket “internacionales” : )

Po mendoja tani: “vallë po sikur t’i kishte Tirana 170 nacionalitete, aty mu në zemër të vërtiteshin me bizneset multimilionëshe të tyre, me restorantesh e kazinosh… panumër kinezë e eskimezë, komançë e lulandezë, apaçë e kikirezë… obobo (imagjinoni ta kishte Tirana një “Chinatown” heh), vallë si do dukeshin tabelat e dyqaneve? A mund ta “kapërdijmë” ne shqiptarët disi idenë e “evropianizimit”, idenë e “ndërkombëtarizimit” etj etj.?

Ngushëllimi është ndoshta vetë Fakti: “nëse nuk zhytemi në gjumë e në harresa” s’duhet të kihet frikë për gjuhën, shqiptarët kanë tashmë 100 vjet shtetformim, zgjim e mëkëmbje! Sipas përsiatjes sime shqiptarët kurrë s’kanë qenë më të “zgjuar”. Unë mendoj që Rilindasit tani vërtet mund t’jenë të qetë, të prehen në qetësi – kanë pritur denjësisht si meritorë të pashembulltë!

Mirëpo duhet alarmuar sa i përket “gjumësisë institucionale”, si dhe në përgjithësi sa u përket pakujdesive të instancave të Gjuhës…, “pakujdesi” që ironikisht na përvidhen aq shpesh. Para disa muajve pata lexuar diç nga publikimet e Fletores Zyrtare, dhe psh. më pati çuditur vetë “Ligji për Komunikimin Elektronik”… apo si të thuhet pa e “zgjatur”, më pati çuditur gjuha e përdorur aty, në një Fletore Zyrtare.

Për një gjuhë si Shqipja, që kokë e këmbë ndodhet në “procesin” e modernizimit, në fazën jetike të pasurimit të bagazhit të vet (për ta patur konformitetin e kërkesave të shkencës e kulturës së sotme të globalizuar – fusha e leksikut dhe e terminologjisë është njëra nga hallkat parësore), andaj them që është absurd dhe aq e pakuptimtë të anashkalohen me moskujdes hapat e “fillimeve” siç janë Dokumentet Zyrtare e LIGJET!
Nga ana tjetër nëpër media trumpetojmë se jemi aq “syçelë”, aq të aktualizuar… sa s’ka më, “up to date”! Sa e sa njerëz bëjnë aq shumë zhurmë me artikuj gazetash për “papastërti” të gjuhës dhe për huazime të panevojshme, por kurrë pa ofruar alternativa askush nga kompetentët, pa ofruar asgjë si “zgjidhje” reale!

Tani sikur na e imponon dhe vetë koha, dhe aspiratat për mireqenien ekonomike, na e imponon biznisberja moderne, na e imponon… në Tiranë, në Vlorë, Shkodër, Prishtinë e gjithandej! Bie fjala do duhej të “sinkronizohemi gjuhesisht” me gjithçka të mundshme dhe ekzistente, me të gjitha poret e fushave, të aktiviteteve. S’jemi me asgjë mbrapa, jo aq “seriozisht” mbrapa, s’duhet harruar, as të tjerët e Evropës nuk i patën punët më mirë.

Sa për një shembull më tepër për faktin këtu, po e mbyll prapë me një shembull të holandezëve: pas shekujsh ndoshta “mosmarëveshjesh”, 12 provinca holandeze me tekat e tyre “dialekto-logjike” tek voooonë, në vitet e fundshekullit XX mund të “krenohen” që ia dolën me marreveshjen për implementimin e një “Holandishteje të Unisuar” (ABN – Algemeen Beschaafd Nederlands). Mirëpo prapë, fjalori shpjegues i tyre (shembull: botimi i botuesit prestigjioz van Dale) ka 1 vëllim të tërë në vete (aq voluminoz sa fjalori shpjegues i Shqipes) me fjalë të frëngjishtes, dmth. me “frëngji-zma!
Nganjëherë them mëvete “ne do ta kapnim kokën, s’do ta duronim kurrë bie fjala një vëllim ekstra, sa ai që kemi tani, me “turqizma”, “sllavizma” a “greqizma” 🙂