Të shkosh pas të panjohurës, “pa ia ditur hallin vetes”!

S. Guraziu – Ars Poetica, Shtator 2013

(…e di që atë spektakolaritet e kanë përcjellur me miliona…, por po ashtu e di që 6-7 miliardë të tjerë s’e kanë përcjellur. Jam krenar që në çastet e fundit ia dola të plasohem dhe unë në taborrin e shumicës, të mos bie “pre” e artificialiteve mediatike…)

Nëse duhet marrë veten si shembull, e vetmja forcë shtytëse prapa shkrimeve, vjershave, prapa komenteve etj. që shkruaj për blogun “Ars Poetica” është ai pasioni personal dhe impulsi kreativ brenda nesh, dashuria e kulluar për letërsinë, artin dhe kulturën shqiptare e botërore. Madje dhe postimet, lista e adresave si aktivitet (paçka se listë e thjeshtë personale adresash) është skajshmërisht e tërësisht apolitike, neutrale, nuk merret me “përkrahje” të asgjëje që lidhet me “nuancash” politike, preferencash religjioze, partiake, ideologjike… dhe tutje bla bla, të ngjashme!

Mirëpo bota njeh lloj-lloj pasionesh, nëse për mua qenka “hobby” përcjellja e letërsisë dhe arteve nga pozita apolitike, ndokush tjetër psh. e ka pasion e hobby të ngjitet bjeshkëve dhe Everesteve. Apo të çapitet mbi kabllo, mbi “wire” të çmendurisë duke thërritur tërë kohën “Jesus Almighty, help me…”, për t’hyrë në Histori. Dmth. si ai Wallenda që ia doli ta kalojë Kanjonin Grandioz të Çmendurisë, the Grand Canyon në… the Little Colorado River, ShBA.

Pra bota njeh dhe “skywires” të çmendurisë, të verbërisë… e padyshim dhe të guximit! Atë kanjon e njoh më gjatë se dyzet vite ndoshta si “magjepsje” e largët (e natyrës). Që nga fëmijëria në ata western-filmat (ishin aq të popullarizuar, sikur akoma muzika e Morricone, sikur ende ai tingulli i çuditshëm i “coyote” në veshë, isha dhe vetë sa e sa herë në lagje me rolet e ngjashme të shpageti-mrekullisë italiane “The Good, the Bad and the Ugly”, kisha dhe vetë një rrip të Eastwood… pastaj sigurisht dhe të Wyatt Earp, të Doc Holliday… si dhe natyrisht, pa to s’bënte assesi, dy revole “Smith & Wesson” prej plastike të aluminizuar, deri në shkëlqim 🙂

Kur është fjala per kanjonet, disa muaj më parë ma besoni që pata pritur pothuaj 1 orë e më tepër i “hundzgjatur” nga komentatorët dhe marifeti “artifiça” i Discovery Channel për ta përcjellur “live” atë event çmendurak (e kam fjalën për show-spektaklin që mund të shihet në video-arkivin e Discovery). Dhe kur heroi ynë-protagonist më në fund u nis i përcjellur nga kamerat e botës, i filmuar nga të gjitha këndet e përspektivat e mundshme, s’munda ta përcjell tutje, e lash fare, mbylla laptopin dhe provova të fle (ndodhesha në shtrat). Thjesht u luta që ai t’ia dilte atij misioni, të mos kthehej në “mission impossible”, t’mos binte atje poshtë në kthetrat e vdekjes.

Por ishte dhe çështje tradite e krenarie, babai i tij (sipas të thënave që u përsëriten sa e sa herë) dikur paska humbur jetën duke rënë nga “wire”. Protagonisti më dhimbsej, jo vetëm për atë të “panjohurën” brenda nesh që na shtynë të ndërmarrim gjëra “pa biletë kthyese, njëdrejtimshe”. Por më shumë më dhimbsej diçka shumë e shenjtë, familja e tij. Ndieja keqardhje e dhimbje dhe nga vetëm ideja që të shembej ai tempull, familja është më e shenjtë sesa suksesi i tij. Me gjithë respektin që kisha për pasionin, për aftësitë psiko-fizike dhe guximin e protagonistit Nik Wallenda – kështu quhej, dhe fatmirësisht akoma i gjallë njëjtë quhet : ) sipas meje s’kishte tutje asnjë kuptim për një ndërmarrje të tillë.

Thjesht s’dua ta përcjell tutje kete çmenduri, dhe pikë – i thashë vetes. Në fakt sikur gjithçka qe kthyer në një spektakolaritet mediatik-komercial të super-koordinuar për t’i rritur statistikat e “shikuesve” duke reklamuar botërisht “një Jesus tokësor”, tani një vdekatar modern që bën mrekullira. Si protagonist, apo si dikush në qendër të vëmendjes, e gjitha çfarë të duhet na qenka të jesh “shëndetërisht i çmendur”, pra ta posedosh një çmenduri të shëndoshë dhe të “besosh në Jezu Krishtin…”. Mrekulli, arritje se jo mahi, sa më përkiste mua ishte një lloj arritjeje vetëm për mediatikët, për botën e biznesit.

Gjithsesi, diçka apo dikush e mëshiroi kësaj radhe kryeneçin Nik Wallenda, e mëshiroi për arsyen e “mjegulluar”, ia fali këtë “judgement error” lidhur me tempujt e suksesit… dhe ata të tjerët, tempujt e shenjtë. Ndoshta ishte pikërisht lutja ime që ka luajtur ndonjë rol, pse jo, fare lehtë mund të jetë : ) Ngjashëm si ajo çështja e votave për politikat, në peshoret e balotazhit, nuk thuhet kot “every vote counts”!
Ama, ironikisht, dhe titulli i lajmit nga NBC ishte me atë “daredevil” përpara, dhe kjo fjalë në zhargonin ditor nuk ka kuptim negativ, mirëpo më thellë figurativisht në rrënjët e nënshtresat kuptimore sikur gjithçka është e lidhur me “djallëzoren”, me të pakufishmen e gjithçkaje demoniake… me të mistershmen, madje qoftë dhe të vetë inteligjencës.

E di që atë spektakolaritet e kanë përcjellur me miliona… ndoshta 70 milionë, ndoshta 100, ndoshta 200 milionë shikues, por po ashtu e di që 6-7 miliardë të tjerë nuk e kanë përcjellur. Jam krenar që në çastet e fundit ia dola të plasohem dhe unë në taborrin e shumicës, të mos bie “pre” e artificialiteve mediatike ku pothuaj gjithmonë mezi pritet që të përdoren si qëllime “shumshtresore”, e edhe për propagandat “indirekte” nga më të ndryshmet, gjoja propaganda fare “pafajsisht”, të rastit, të paqëllimshme!