Këmbëngultësia e Merkel dhe Euforia e “Refugjatëve” e Der Spiegel!

S. Guraziu – Ars Poetica, Shtator 2015

Ballina mjaft kreative e Der Spiegel, nr. 39, 19 Shtator 2015, me titullin kryesor po ashtu mjaft ironik, “Mutter Angela” (si Nënë Tereza) dhe me nëntitull “Merkels Politik entzweit Europa” pakashumë (gjoja figurativisht) e “pasqyron” përmbajtjen e dy artikujve nga brendia. Artikulli i parë titullohet “Testi i Guximit”, dhe ka të bëjë me si vijon:
Për herë të parë në kancelarllëkun e saj Angela Merkel bën politikë duke rrezikuar deri në kulm: me politikën e saj për refugjatët ajo qëndron e vendosur rezistente ndaj kritikës nga vetë radhët e veta, dhe nga Evropa. (Mbase) Merkel llogarit ose mbështetet në altruizmin e bashkatdhetarëve të vet. – Kështu është rrumbullakësuar artikulli nga vetë Der Spiegel.

Si dhe artikulli i dytë me titull “Mbretëresha e Zemrave”, në formën më abstrakte prapë sipas vetë Der Spiegel do ishte: Qeveria e Merkel e vë në lojë gjithë kapitalin e vet të mirëbesimit, për refugjatët. Por partnerët evropianë rebelohen dhe kolegët e partisë së vet besojnë që kancelarja është përhumbur nga politika e zemërbutësisë (mëshirës) ndaj realitetit të mirëfilltë. Sfida tani është që të ruhet qetësia dhe nervat, që t’mos ketë vend për panik, madje edhe nëse dyshimet janë përherë e më të mëdha. Athua ia dalim ta bëjmë këtë?

Der Spiegel, e njohur si opinion-formuesja më influente e botës gjermanishtfolëse, për dekada e mirënjohur për të ashtuquajturën “gazetari investiguese” dhe për hedhjen lakuriq në shesh të skandaleve, e njohur dhe e respektuar për objektivitetin e palëkundur… me nëntitullin “politika e Merkel e përçanë Evropën” sikur vetëm sa ia shton dhe një faqe më tepër “dosjes Merkel”, asaj të çuditshmes Merkel, të pavendosurës Merkel!
“…E cila herë-herë di ta përdor retorikën e ish-Kancelarit H. Kohl për mrekulli, por që i mungon ai besimi dhe vizioni të cilin e kishte Kohl. Duke lënë në sfond një Bashkësi Evropiane të hutuar, konfuze dhe që assesi s’ia del ta kuptojë se çfarë në fakt, gruaja më e fuqishme e kontinentit dëshiron”. Kështu e mbyllin artikullin e tyre në “Der Speigel-International” (Korrik, 2015) dy artikullshkruesit, P. Müller dhe R. Pfister.

Ndërsa sa për “ndarjen e Evropës” gjithandej është shkruar e komentuar, përpara se Der Spiegel ta “rishkruante temën e ndarjes”, përpara se t’i hidhte dhe ca pika më shumë vaj në “zjarrin” e dekadës merkeliane. Sa për të marrë ndonjë shembull, vetëm dy javë më herët, në artikullin e publikuar në “Slate”, me titullin po ashtu mjaft euforik “Katastrofa Evropiane” gazetari Lucian Kim pyeste fort kureshtar: vallë do ta përçajë Bashkësinë Evropiane kriza e refugjatëve?

Unë vetë, tani duke analizuar “euforinë” e Der Spiegel, them “Jo”! Pse? Sepse 100 refugjatët e parë veç janë akomoduar në lagjen time. Po, pikërisht në lagjen time, dhe kam marrë 3 fletushka, 2 nga Bashkia dhe 1 nga lagjia, ku më “informojnë” se lagjia jonë do t’i strehojë 350-400 refugjatë javën që vjen. Madje më kanë ftuar që dhe unë “helbete” t’i shpalos opinionet e mia dhe sugjerimet eventuale lidhur me këtë ndihmë humanitare që lagjia duhet ta realizojë denjësisht dhe me sukses. Aty madje përmendet që para 70 viteve e gjithë lagjia paska ikur, atëherë për t’iu shmangur tmerreve të luftës. Dmth. s’do koment, mesazhi prej 1 rreshti histori në fletushkën është i qartë.

Frikën se mund të “dështojë” Evropa, me përçarje për arsye krizash ekonomike, qofshin “a la greke” qofshin tjera, apo për arsye të mospajtimeve rreth politikave për refugjatët, askush s’e ndjen më shumë sesa Merkel. Ajo e ndjen më shumë se kushdo tjetër, dhe vendosmërinë e saj lidhur me Flüchtlingspolitik do ta quaja madje “vizion”. Sepse në histori do t’vulosej “shtrembër” e gjithë dekada e saj qeverisëse. Përkundër rolit të saj që të konsolidohet Gjermania si lider ekonomik botëror (meritë që po ashtu nga shumë analistë të politikave shpesh “kontestohet”), duke qenë si femra e parë Kancelare në historinë e Gjermanisë, si gruaja më e fuqishme e kontinentit… megjithatë sikur gjithçka do t’vulosej e “dështuar”. Unë besoj që këmbëngultësia e Merkel në kursin e “politikës së mëshirës” për refugjatët është dëshmia sa i përket vizionit të saj evropian.

Ndërsa se do “rotullohet” timoni i politikës gjermane pas një dekade, kjo është (mund të jetë) fort logjike dhe e pritshme. Andaj Der Spiegel me plot ndjenjë politike e luan rolin e vet, natyrisht që kujdeset për farërat e “mbjellura” të opinionit. Pse t’mos jetë, nëse është nevoja të jetë! Psh. një dekadë i pati takuar atëherë Bushit, një dekadë pastaj timonin e titanikut ia besuan Presidentit të ri “historik” Obama. Jo më larg por dje në “The Guardian”, P. Oltermann shkruante: “Gjermania funksionon pakashumë ngjashëm si ata vakum-robotët pastrues: enden përgjatë dyshemesë dhe mjaftueshëm butësisht, por duhet ta godasin diku murin para se t’mund ta rinisin sistemin e tyre për ta ndryshuar drejtimin“.

Përshkrim fort i qëlluar dhe mjaft i ngopur me sensin politik. Sipas meje, Oltermann nuk e ka përshkruar saktë “funksionimin” vetëm të Gjermanisë, por dhe të ShBA-ve… e edhe të ndonjë aparati tjetër politik!

(Koment në Fb – 26 Janar 2019)

…sipas meje kjo analizë me “jep te drejten” te shkruaj si analist i politikave sa herë t’më mbushet mendja – nëse eventualisht ju duhet ta dini sa “e njihni” politiken (dhe gjerat që vertiten rreth-e-rrotull politikave), thjesht shihni c’keni shkruar ju vete ca vite më parë, dhe do ta keni të qartë : )