(S. Guraziu – Ars Poetica, Shtator 2025 – fotot: Noemi Caraban Gonzalez, CERN)
E gjithë bota mbarë impenjohet dhe vazhdimisht thuhet se nevojiten përpjekje të mëtejshme për ta siguruar barazinë gjinore në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë (sidomos dmth në fushat e STEM – science, technology, engineering, mathematics). Edhe OKB-ja s’ndalet duke thënë se bota duhet ta njeh rolin e femrave të shkencës, jo vetëm si përfituese, por dhe si bartëse, si kontributore të ndryshimit progresiv.
Këtë synim e përkrah dhe komuniteti shkencor i botës në përgjithësi. Siç dihet ky komunitet s’është aspak i vogël, pakashumë sot e gjithë bota merret “ngapak” me shkencat. Bota i ka panumër institucione, panumër universitete, panumër organizata e organizmash që merren me shkencën. CERN është laboratori kryesor i gjithë planetit, i mbarë botës shkencore për fizikën thërmijore, aty merren me çështje të mëdha të shkencës, madje dhe me aso të “përtej” shkencës : )
Qëkur shumë shtete të botës i kanë bashkuar forcat tekno-shkencore (bashkimi bënë fuqinë) aty në CERN merren së bashku me shumçka serioze, kryhen lloj-lloj eksperimente të shkencës e të përtej-shkencës. Bie fjala merren dhe me “materien e errët”, me “anti-materien”, me “energjinë e errët”, me “asimetrinë e materies-antimateries”, me eksperimente rretherrotull “big-bang”, me “vrimat e zeza” etj. etj., panumër hulumtime, eksperimente, kërkime e eksplorime ndodhin në CERN.
Andaj CERN në v. 2017 do ta fillonte programin “Gratë dhe Vajzat në Shkencë e Teknologji”, ata insistojnë se karriera në fushat e STEM është e arritshme dhe për vajzat, njësoj sikur dhe për djemtë. Aktualisht në CERN vetëm 21.9% e personelit të punësuar janë femra. Gjithsesi, objektivi aspirativ me “25% femra shkencëtare” synohet që t’përmbushet deri në fund të v. 2025. Aspiratë aq e bukur, apo jo.
Para ca kohe i pata lavdëruar dhe vetë (anise fjalët e mia tingëllojnë “shakalogjike”, por e kisha me gjithë mend – atëbotë pata komentuar rreth 2 Nobelave të së madhes Marie Curie), CERN është diç si vetë marramendja e shkencës moderne – pata thënë, marramendja e gjithë planetit shkencor, e gjithë globit rrotullues, aty qe zbuluar dhe ajo “grimca e Zotit”, ai bozoni i Higgs… dihet se CERN është Laboratori Evropian i Fizikës Thërmijore ku rrinë mbledhur gjithë shkencëtarët e botës, dihet që është “shtëpia” e Hadron-aparatit të Madh (LHC), e aparatit më të avancuar shkencor që ka ndërtuar njeriu ndonjëherë, jo vetëm gjatë 400 viteve të shkencave por gjatë gjithë historisë zhvillimore… njerëzimi kurrë s’ka patur ndonjë aparat më të avancuar shkencor sesa CERN – andaj është fort e rëndësishme nëse femrat e punësuara aty ta arrijnë 25% deri në fund të 2025 (kanë ngelur dhe ca muaj, dhe nja gjysmë viti – pata shkruar : )
Fotografja Noemi Caraban Gonzalez dhe grupi i Grave në Teknologji (WIT) në CERN disa herë kanë synuar të rrisin (sëpaku me foto) përfaqësimin e grave në bazën e të dhënave të CERN (CDS). Sipas tyre, qe kuptuar se kishte mungesë të imazheve me cilësi të lartë që i përshfaqin femrat në mjedisin e tyre profesional. Kështu që do prodhoheshin seri fotografike në vitet 2020 dhe 2021. Në v. 2024 do bëhej një seri fotosh pas ekspozitës “Jo Punë Grash” (në OKB të Gjenevës – gjoja si refuzim i klisheve se “shkencat dhe teknologjitë s’na qenkan punë grash). Tani, këto foto që po i hedhim këtu në blog-faqen tonë, janë seria më e fundit shkrepur nga fotografja Caraban Gonzales në CERN. Ajo thotë se çdo grua është fotografuar në vendin e saj të punës, dhe fotografitë synojnë të tregojnë shumëllojshmërinë e punëve në CERN.
LHC-ja e tashme, dhe FCC-ja e së Ardhmes
CERN (shkurtesë kjo nga frëngjishtja, pakashumë do t’thotë Organizata Evropiane për Kërkime Bërthamore) është diç si majë-everesti i shkencës – çdo vit, a vit për vit, rreth 10.000-15.000 shkencëtarë nga më shumë se 100 vende të botës vijnë aty për t’i përdorur mjediset kërkimore, aparatet, laboratoret e CERN. Aty janë montuar disa nga instrumentet shkencore më të mëdhenj dhe aparaturat më komplekse krijuar ndonjëherë nga njeriu.
LHC-aparati gjigant është i groposur thellë nën kufirin franko-zviceran (afër Gjenevës), është një tunel rrethor ~27 km i gjatë. Hadron-përplasësi i së tashmes (sado madhështore t’jetë unaza magnetike 27-kilometërshe), do ishte diç si “xhuxh” krahasuar me përplasësin e ri të propozuar me diametrin prej 100 km. Future Circular Collider (FCC – Përplasësi Rrethor i së Ardhmes) është akoma vetëm si koncept… por dmth. koncepti na shërben sa për ta patur idenë e marramendjes hadronike : )
Qëllimi i shkencëtarëve që “gravitojnë” rreth CERN është që ta kuptojnë (jo vetëm gravitetin – meqë ra fjala, por : ) se nga çfarë përbëhet universi komplet, e po ashtu t’i kuptojnë dhe ligjet e fizikës që e diktojnë sjelljen fondamentale universale. Synohet që të kuptojnë gjithçka, materien, anti-materien, energjinë e errët… ligjet me gjithë nënligjet e universit.
LHC (Large Hadronic Collider) i përdor më shumë se 1000 magnetë gjigantë (35 t), magnetë dipolarizues superpërçues që mbahen të ftohur në temperaturë prej -271.3°C, thonë se kjo është mos pyet, më ftohtë se vetë “ftohtësia” kozmike. Magnetët (që ne i shohim ndër fotot si gypa të pafund përgjatë tunelit) shërbejnë për t’i drejtuar dy flukse grimcash, zakonisht protone, në drejtim të kundërt rretheqark unazës 27-kilometërshe. Protonet e kësaj rrezeje përshpejtohen pothuaj deri në shpejtësinë e dritës, detajet teknike thonë se me shpejtësinë e tillë i kryejnë mbi 11.000 xhiro brenda 1 sekonde të vetme.
Dy rrezet me drejtime të kundërta e rrisin gradualisht shpejtësinë në mënyrë që të ndeshen sa më “eksplozivisht” mes vete. Aty ku rrezet ndeshen, afërmenndsh protonet përplasen me njëri-tjetrin dhe thërmohen në grimcash më të vogla. Shumica e grimcave të prodhuara në përplasje janë të paqëndrueshme dhe zhduken (shpërbëhen në forma grimcash më të qëndrueshme) pothuaj menjëherë. Rreth katër zonave të përplasjes përgjatë unazës ka 7 detektorë gjigantë, diç si “kamerash kolosale dixhitale”, montuar për t’i kapur të dhënat rreth grimcave tepër të rralla (nëse dhe teksa ato shfaqen shkurtazi në ekzistencën e tyre). Në v. 2012, 4 vite pas fillimit të punës së LHC (pati startuar në v. 2008), ashtu qe zbuluar bozoni i Higgs.