Niçe – Gratë janë lojë-lodrat më të rrezikshme të burrave!

S. Guraziu – Ars Poetica, J 2019 (Mustakologjitë niçeane për gratë)

“…budallenj si burrat, thonë gratë: zemërlepurushe (frikacake) si gratë, thonë burrat. Pasi budallallëku (si term, a si kuptim) për gratë thjesht s’mund të grua-zohet (s’mund të implementohet : )

“Gruazimin” si term, si folje e shpika tani unë vetë, po çfarë s’ka shkruar Niçe për gratë, mos pyet… zor t’ia kalojnë dhe gjithë burrat-shkrimtarë të “këqinj” së bashku. Natyrisht… si një mustakolog i madh që ishte, ka “menduar” dhe për dashurinë, për femrat, për natyrën e njeriut, për të pafajshmen e gjithçkaje, për dështimet, për të bukurën, për komiken brenda nesh etj etj.

Një tjetër thënie “al-kaponeze” nga askush tjetër por nga vetë mustakologu Niçe, ishte:
burrat e vërtetë i donë dy gjëra: rrezikun dhe lojën. Ja pse burri i do gratë, meqë ato janë pra lojë-lodrat më të rrezikshme” (të cilat zoti pati gabuar dhe i shpiku : )

Megjithatë sipas meje, për Niçen gratë ishin po aq të “pafajshme” sa dhe burrat.

***
Pothuaj rrallë e asfare femrat e kësaj bote mund ta kultivojnë ndonjë simpati për mençuritë e Niçes (përveç ca shkollareve, ca grave “akademike”, kuptohet, ato i shohin gjërat drejt). Dhe shumkush çuditet pse kokash gjeniale, njerëz të mëdhenj si psh. Ajnshtajni, Niçeja, Tesla etj etj. ishin aq të “vetmuar” (ka sa të duash vetmitarë të mëdhenj)! Çudisë në bisht mund t’i ngjitet dhe vetë pyetja: pse njeriu do ishte i vetmuar, qoftë i “madh” a i “vogël”, qoftë i njohur a i panjohur, qoftë i famshëm… a cilido njeri?
Epo, nëse ta kesh “humbur” dashurinë ideale, ose nëse t’kesh dështuar me dashurinë… natyrisht që do jesh i “vetmuar”!

Gjithsesi, nuk e mohon kush që Niçe ishte një mustakolog i madh, një mendimtar i madh, rrallëkush mund t’jetë zhytur aq “thellë” sa Niçe me konkluzionet e veta për gjithcka, se mos vetem per gratë.
S’ka pothuaj sferë të jetës / aktivitetit të njeriut që Niçe s’është “përzier”, që nuk e ka “prekur” me mendjen e tij, pothuaj s’ka fushë që nuk e ka “vizituar” me makinën e vet filozofike.

Madje ka mjaft gjëra “të cilat sikur devijojnë nga koherenca, aty-këtu thëniet e tij sikur bien në kundërshti me “vetveten” (me diç të thënë më herët – ai mjaft shpesh “ndryshonte” dhe mendje). Thëniet e tij për gratë, nëse të shiheshin jashtë kontekstit të filozofisë së tij, në kuptimin qesharak do dukeshin madje dhe kontradiktore (njëherë pati thënë se “femrat ishin gabimi i dytë i zotit” – e lehtë, dihet se “gabimi i parë” ishin meshkujt, apo thjesht të kujtohemi që zoti i Niçes s’ishte madje as “ekzistent”, ose tekefundit ishte një ngutulush, një dikush që prore gabonte, një dikush që pas burrave gaboi rishtas dhe i shpiku gratë : )
Ec e mos buzëqesh…