SG – “Regina Pacis” e zemrave tona!, 2010

“Regina Pacis” e zemrave tona!
S. Guraziu, 2010 (ose Arbitra të inatosur – Skicë)

[ histori mjaft e vërtetë, në muajin e qershive të vitit… ]

Shani Taf-tufi i vodhi me krrabzë “pesëdhjetë qese”, nga arka e lokes Hajrie. Na qerasi të gjithëve, ashtu fshehtas… për shtatë ditë rresht, e bëmë festë, e shuam mallin me çokollata e limonata. Ishim të gjithë prush, të barabartë nga pjekuria, si gishtat e njërës dorë, si nga mosha… pesë-gjashtë-shtatë, si me ëndrrat, si me shtat.
Thjesht kalamaj të njomë në delirin e kënaqësisë. Mirëpo në xhepat e tij, përveç hajnisë e pafajësisë kishte dhe “paramendime” – ai panumër plane i kurdiste pas shpine. Bie fjala, tinëz nesh kishte blerë sandale për Drenushën. Para saj ne shtangeshim, ajo disi na qetësonte… pa përjashtime, sytë e saj kishin mjaft ëmbëlsi për çdosecilin, veç e veç nëpër ëndrrat e kishim diç si princeshë, pa e ditur as vetë, mbi zemrat kishte pushtet. Shkurt, ishte diç si “Regina Pacis” e zemrave tona.

Përveç sandaleve të saj, dhe për vete i kishte blerë një palë “patika t’Kinës” dëborë të bardha (në atë kohë vlenin si “adidas” a “nike” të shtrenjta). As sandalet nuk e gjetën vendin, por as atletet fringo kurrë nuk i mbathi. Thuase kishte (para)menduar për secilin detaj, thuase e kishte kuptuar që mund të zbulohej hajni. Pra s’e pamë kurrë me to, i mbante fshehur në koliben e mixhës Abaz.

Një ditë prej ditësh dikush nga kalamajtë i gjeti, e t’plasi lufta aty në mes të sheshit. Bujë e poterë, ngelëm të gjithë nga habia, sepse dolën në pah sekretet e të papriturat, nuk prisnim hapa “konspirativë” dhe as tradhti nga një picimul. Trim-cimilimi u mërdhez, hidhej si kacagjel, kërcente si taf-tuf i vërtetë (këtë nofkë mirë ia patën vënë, e mbante me të drejtë).
Ai pra, dora vetë Shani Taf-tufi, që dy gurë s’i linte bashkë, më i vogli për nga shtati, por më sherraxhiu… për sherre më i madhi (merre me mend donte ta vidhte zemren e “Queen”, me sandale e sheqerka). Ngulte këmbë, nuk dorëzohej, në pluhurin e mejdanit insistonte “të miat janë”.
Paçka se kot, prova të sakta s’kishte. Ne arbitrarët rrotull ia besonim, e dinim mirë të tijat ishin, por i rrudhnim krahët, i kishim vënë kapak gojës, heshtnim për inat. Natyrisht, s’kishim as ne faj, qemë trazuar, s’ia falnim dot – aspiratat e fshehta s’mund t’i kapërdinim. Ai thjesht na pati “tradhtuar”… me zotësinë, me planet prapa shpinës, e me mençurinë.


August Riedel (1799-1883) – Portret i Felice Belardi (nga Albano), 1841-42