Pafajësia Lupinus, dhe imagjinata romaneske “harri-potereske”!

S. Guraziu – Ars Poetica, Sh 2019

(…mrekullia partogjenezike bimore do ishte tepër shumë komplekse për t’u “arritur” (si kthehet vallë një trëndafil në ujk, a në vampir!), madje dhe për imagjinatën e magjistarllëkun e Rowling ngelet mjaft e vështirë. Anise luledielli, bie fjala i “vardiset” diellit tërë ditën, asgjë, bimëve s’iu pëlqen të shtiren “transformerë”…)

Nga legjenda e Remit dhe Romulit (e themeluesve të Romës) e dimë që ata qenë rritur me qumështin e ulkonjës. Pastaj kur u rritën e u bënë burra, trimat i përvolën mëngët për ta themeluar e ndërtuar Romën. Problemi lindi kur duhej ta zgjedhnin emrin për qytetin madhështor, assesi të pajtoheshin rreth emërtimit të qytetit, s’mund të akordoheshin se emrin e cilit prej tyre ta mbante. Në zënkë e sipër, Romuli thjesht ia bëri me hile vëllait të vet, jo vetëm duke e mashtruar… por duke e vrarë “seriozisht”, duke e shuar ekzistencën e tij.

Nëse diç jua përkujton karakteristikat e “ujkut” atëherë ajo diç mund të përshkruhet si “lupinoze” (dmth. ujqërore, meqë kemi të bëjmë me diç që na “flet” ujqërisht). Bie fjala, jo se Romulit do t’i ketë shkuar në “nerva” buzëqeshja cinike e Remit, por ja që buzëqeshja e mprehtë e vëllait tuaj mund të përshkruhet paksa si “lupinoze”. Ose mund të ketë vend për shqetësim sa i përket vesit “lupinoz” të motrës suaj (dmth. për ulërimat e trishta gjatë hënës së plotë). Apo dhe thjesht të mos ketë asnjë shenjë ujqërishte, thjesht si admirim… të admirohet profili fisnik “lupinoz” i qenit tuaj.

Dhe ku mund të “eksploatohen” të tilla karakteristika “ujqërore” më mirë sesa në legjendat, në mitet, në romanet e magjistarllëkut, në rrëfenjat e shtrigave etj. Jo rastësisht JK Rowling në librin e saj “Harry Potter dhe Shenjtorët e Vdekjes” e përdor pikërisht këtë element.

Shkrimtarja Rowling madje dhe emrat e personazheve i ujdis bazuar në legjendat dhe “misteret”. Nëse na duhet një personazh i cili është “transformer” (“njeri-ujk” – person që gjatë hënës së plotë transformohet në ujk), atëherë aq e lehtë, thjesht e huazojmë emrin e Remit (të Romës) dhe mbiemrin nga bima “Lupinus”. Dhe voilaaaa… kështu do ta kemi ujk-njeriun me emrin Remus Lupin, dhe i cili do t’i kryejë të gjitha detyrat që ia “caktojmë” ne vetë si shkrimtare. Në rastin e “Harry Potter…”, bie fjala Remusi duhej dhe të martohej me bukuroshen Nimfodora.

Mirëpo ky Remusi (i Rowling) nuk është ai vëllai i vdekur i Romulit romak, s’është ndonjë zombi që s’e ka gjetur dot qetësinë hadesiane. Është saktë siç na teket dhe t’na duhet për nevojat romaneske. Është njeri-ujk vetëm ca ditë gjatë hënës së plotë, pastaj gjatë gjithë muajit një njeri i zakonshëm, fare normal, siç jemi dhe ne lexuesit vetë. Kështu ai mund ta shkaktojë shtatzaninë e Nimfodorasë pa ndonjë pasojë, pa komplikuar asgjë.

Sipas “magjistares” Rowling, djali i tij nuk do jetë pastaj ndonjë “njeri-ujk”, as ndonjë vampir… por thjesht një metamorfogon i pafajshëm, njësoj siç është dhe nëna e vet. Fantazia është e mrekullueshme për shumë gjëra, mirëpo refuzimi për t’iu nënshtruar logjikave dhe ligjeve të “fizikës” nuk mund të krahasohen me asgjë si mrekulli : )

Gjithsesi, meqë fjalën e kishim tek bima “lupinus”, mrekullia partogjenezike bimore do ishte tepër shumë komplekse për t’u “arritur” (si kthehet vallë një trëndafil në ujk, a në vampir!), madje dhe për imagjinatën dhe magjistarllëkun e Rowling ngelet mjaft e vështirë. Anise luledielli, bie fjala i “vardiset” diellit tërë ditën, mirëpo asgjë, bimëve s’iu pëlqen të shtiren “transformerë”, shumëzohen e lulëzojnë siç iu ka hije bimëve, nuk influencohen nga “hënat e plota”, nga baticat plazmike diellore, as nga hënat gjysmake, a drapërore.

Sidoqoftë, imagjinata “harri-potereske” është e pafajshme po ashtu, tekefundit sjell me miliona e miliarda verdhushka.

Bima Lupinus, gjinia e së cilës i përfshika mbi 200 varietete – Shprehja qenka nga frëngjishtja, e cila fjalë frënge rrënjet i paska në latinishten, në fjalën “lupinus = i ujkut” (nga lupus = ujku).
Fotoja: Lupinus Perennis – Mbretëria: [ Plantae ] (Fare)Fisnia: [ Genisteae ] Nën-fisnia: [ Lupininae ] Gjinia: [ Lupinus ]