Gjermano-Austria (Deutschösterreich) dhe “Po-ja” për Hitlerin, 1938!

S. Guraziu – Ars Poetica, Shkurt 2019 – Pak histori…

“Gjermania e Madhe” si ide e si “Anschluss” realistik qe NDALUAR nga 2 traktate, por ç’e do… i forti s’të pyet fare : )
Siç e dimë (madje dhe ne johistorianët), “Depresioni i Madh” e pati paralizuar ekonominë “globale”, me Evrope, me Amerike, me Oqeani e me Japoni… gjithandej krizë mos pyet, anembanë botës stomakut ekonomik i bënin zorrët “grrrr”. As Austria s’i kishte punët fare mirë.

Paçka se Austria ishte vend i pasur me lëndë të para, e furnizonte mbarë Gjermaninë me magnez dhe me produktet e industrisë së çelikut, kishte rezerva ari, kishte aq shumë punëtorë të kualifikuar dhe gjithë “proletariatin” të papunë, i kishte qindra fabrika të “heshtura” dhe potencial të madh të burimeve hidroelektrike, thjesht ishte një vend-parajsë për kapitalin e investimeve gjermane.

Ndërsa industria gjermane sikur pati filluar të kthehej në një përbindësh resursesh, industri e pangopshme, për “çudi” Gjermania naziste po ri-armatosej shpejtë, gjithçka gjermane fliste për interesin e aneksimit te Austrisë.
Ashtu-kështu dëshira për “bashkim të gjermanëve” ishte njëra nga pjesët kyç të politikës naziste, dmth. për t’i sjellë gjithë gjermanët etnikë përjashta… brenda një Gjermanie të Madhe.

Pas përfundimit të Luftës I Botërore, me rënien e Perandorisë Austro-Hungareze, në v. 1918, Republika e sapoformuar e Gjermano-Austrisë u përpoq për bashkim me Gjermaninë, por Traktati i Saint Germain dhe Traktati i Versajës (v. 1919) e ndalonin “rreptësisht” bashkimin, madje dhe përdorimin tutje të emrit “Gjermano-Austria” (Deutschösterreich).

Sipas David Walker, kur nazistët të udhëhequr nga Hitleri e morën pushtetin, atëbotë qeveria austriake qe tërhequr nga lidhjet ekonomike me Gjermaninë. Austria do t’kacafytej me turbulencat ekonomike të Depresionit të Madh, me një shkallë të lartë të papunësisë, me tregun dhe industrinë të paqëndrueshme.

Dmth. (edhe sipas meje, jo vetëm sipas historianëve : ) Po-ja për “Anschluss” sikur nuk ishte tutje vetëm nacionalizëm, pëlqim, a zgjedhje politike, por dhe nevojë e dëshpëruar.

Fotot (Arkivi Federal Gjerman):
1 – Fletëvotim, 10 Prill 1938 (Pajtoheni me ribashkimin e Austrisë me Rajhun Gjerman, miratuar më 13 Mars 1938, dhe votoni për partinë e udhëheqësit tonë, Adolf Hitler? – Po, Jo)

2 – Adolf Hitler njofton për “Anschluss”-in – Panumër gjermanë austriakë (pothuaj e gjithë Austria : ) u mblodhen për të dëgjuar Hitlerin (ai ashtu-kështu ishte një gjermano-austriak, i lindur në Austri, i cili i përthithi idetë nacionalizmit që në moshën rinore) tek e shpall “Anschluss”-in, në Heldenplatz, Vjenë, 15 Mars 1938