Oberoni, Titania, Xhuxhi-keqët dhe Metafora Shekspiriane!

S. Guraziu – Ars Poetica, Sh 2019

(…s’kemi si t’i gjykojmë vetë zanat, sidoqoftë në aspektin metaforik fëmija i “shkëmbyer” shërben diç si simbol për fëmijën që ndihet i shkëputur nga familja e vet, pra qoftë figurativisht qoftë realisht…)

Ëndërr e një Nate Verore” si komedi skenike shkekspiriane flet për zhytjen dhe zgjimin nga “magjia” e dashurisë brenda natës, qesharake për nga shkurtësia, brenda një nate të vetme (madje-madje brenda një ëndrre të vetme). Sa për piktorin J. Paton, e qartë që ishte “frymëzim” i mrekullueshëm oniristik-shekspirian, dhe rast për t’i brushizuar mbi 160 zana. Njësoj siç ishte fatlumësi e rrallë pikturale që Carroll t’i gjente një nga një, qoftë dhe me lupë, të gjitha zanat e Paton (për nevojat e veta, për t’i shtuar oksigjen frymëzimit imagjinar e përrallor).

Pata lexuar diku (para 5-6 viteve) se Lewis Carroll, autor i “Alice in Wonderland” (Liza në Botën e Çudirave) i kishte numruar jo më pak por 165 zana në pikturën e Paton 🙂
Në cilën prej tyre nuk specifikohej. Sa për numrimin, s’është për t’u çuditur aspak, cilado nga 2 tabllot e J. Paton është nga aso pikturash me “1 milion” detaje (siç i quaj unë), shkrimtarit mund t’i jenë nevojitur saktë të gjitha detajet. Sinqerisht, vetë s’e kam lexuar ende “Lizën…”, por di që libri i mirënjohur i përshkruan aventurat e magjishme të një vajze me emrin Liza. Lewis Carroll shkruan për botë që qeverisen nga çudirat e magjitë, në botët e tilla asgjë s’është e pamundur.

Në besimet e popullit zanat përfytyrohen(shin) si vajza tepër të bukura, marramendëse… të mirret mendja nga bukuri e tyre, të cilat jetojnë diku nëpër pyje. Përshkruhen si të zonjat e si trimëresha po ashtu. Për t’i parë e takuar paksa e vështirë, zor se do shfaqeshin enkas për neve – njësoj siç nuk shfaqet bie fjala Artemisa, asnjë nga bukuroshet mitologjike. Mirëpo saherë të jetë nevoja, zanat ashtu padukshëm vrapojnë dhe u dalin në ndihmë trimave e princave.

Kuptohet, jo vetëm kaq, ato e kanë fuqinë magjike dhe për të ndëshkuar. Thjesht t’iu shkojë mendja… dhe magjia e kryer. Nëse t’jesh ndonjë i keq a shpirtlig, të mori lumi, sepse hëpërhë tashmë t’kanë shituar zanat. Kështu thotë populli, flitet për “shitimin” e zanave.
Anise (si supozim) magjinë e “shitimit” mbase nuk e praktikonin aq shpesh, ose tepër rrallë e asfare. Sepse dorën në zemër, s’iu ka hije bukurosheve të mallkojnë e të ndëshkojnë, nuk thotë populli kot “e bukur si zanë”, ose “na erdhi nusja-bukuroshja si zanë mali”…

Në përrallat (qofshin aso shekspiriane a të popullit) njësoj siç i kanë njerëzimi mbretëritë e veta, edhe zanat e kishin mbretërinë e tyre. Mbreti dhe mbretëresha na ishin Oberoni dhe Titania. Sipas pikturës së Paton, çifti mbretëror Oberoni e Titania grinden rreth posedimit të një fëmije të “shkëmbyer” (ndërruar). Për fat të keq, gjuha shqipe s’ka term të “veçantë” (dmth. me sa di unë) – por një fëmijë i “shkëmbyer” është një foshnje që vidhej në djep nga kukudhët, xhuxhët ose shkurtabiqët menjëherë pas lindjes dhe zëvendësohej me një tjetër.

Pra as zanat nuk ishin aq-aq të “pafajshme”, ishin hajnesha dhe e sabotonin fatin e fëmijëve. E qartë që fisnikëria e tyre sa u përket “etikave” ka mjaft pikëpyetje në bisht. Pasi dihet, kukudhët e shkurtabiqët ishin në shërbim të tyre, akoma janë dhe sot e kësaj dite, në përrallat asgjë s’ka ndryshuar. Jo pra, fëmijët apo lexuesit e vegjël s’duhet të çuditen me botët përrallore, me asnjë botë çudirash.


Joseph Noel Paton (1821-1901) – Pajtimi mes Oberonit dhe Titanisë, 1847

Xhuxhi-keqët a shkurtabiqët do ta zëvendësonin një foshnje nëse të ishte yll a yllkë, bukurosh a bukuroshe, sepse duke qenë ata vetë të shëmtuar, u vinte inat… e kishin zili pamjen e bukur të fëmijëve njerëzor. Si inatçorë që ishin thjesht do ta ndërronin të bukuren me ndonjë foshnje përrallash, sido që të qëllonte, fort shëmtaraçe apo në rastin më të mirë, më pak shëmtaraçe. Psh. në Mesjetë, foshnjat që lindnin të deformuara e me sëmundjesh të komplikuara konsideroheshin si “shkëmbime” zanash.

Kështu që nëpër lëndina e pyjesh prore rri shtruar pyetja, vallë si mund të justifikohen të tilla padrejtësi zanash?! Le t’i ndihmojnë trimat e princat, mirë magjibërja dhe çudirat e pyllit… mirëpo pse duhet të merren me “sabotimin” e fatit të foshnjave : ) S’kemi si t’i gjykojmë vetë zanat, sidoqoftë në aspektin metaforik fëmija i “shkëmbyer” shërben diç si simbol për fëmijën që ndihet i shkëputur nga familja e vet, pra qoftë figurativisht qoftë realisht.

Mirëpo, grindja mbretërore mes Oberonit e Titanisë nuk është vërtetësi as pikturale as përrallore. Në fakt të gjitha fajet i kishte Shekspiri, gjithçka ishte thjesht një shaka e vogël shekspiriane, ishte “ëndërr-dramë” e ujdisur nga ai vetë. Mbreti Oberon dëshiron ta turpërojë mbretëreshë Titaninë me “parfumin magjik të dashurisë” duke e bërë atë të dashurohet në një gomar. Dhe pasi Titania e magjepsur ia jep foshnjen e “shkëmbyer”, dmth kur është pajtuar që t’i takojë atij, mbreti tashmë ngutet ta zhbëjë magjinë, Titania duke u zgjuar nga magjepsja fillimisht pandeh se ndjenja e saj për “gomarin” ishte ëndërr. Por “realisht” brenda ëndrrës (si dhe rishtas + 1 herë brenda ëndrrës shekspiriane), dashuriçka e saj s’ishte ëndërr, por vërtetësi e shkaktuar nga magjia, nga lëngu magjik i Oberonit.

Ndonjëherë ndodhë dashurohet njeriu në dikend, gjithçka duket si magjepsje, si ëmbëlsi, si ëndërr, dhe kur t’jetë liruar nga deliri i ëndrrës, duket pastaj aq e pabesueshme, si ishte e mundur ta dashuroja një person të tillë, habitet njeriu.