25-vjetori i Legalizimit të Martesës së Çifteve Homoseksuale

(s. guraziu – ars poetica, 1 prill 2026 – Burimet: NOS NL, dhe pakëz ndihmë për listën nga Google AI – Fotoja: Pexels)

Mbrëmë në Bashkinë e Amsterdamit znj. Femke Halsema (ish-liderja e partisë holandeze GroenLinks, tashmë Kryebashkiake e Amsterdamit) i martoi tre çifte homoseksuale. Ceremonia shënoi 25-vjetorin e legalizimit të martesës së çifteve homoseksuale në Holandë. Kryeministri Jetten ishte gjithashtu i pranishëm. Jetten është kryeministri i parë homoseksual i Holandës. Edhe Jetten iu drejtua çifteve, duke u uruar atyre një martesë të lumtur. Ai gjithashtu e quajti nder pjesëmarrjen në ceremoninë e përvjetorit.

Më 1 Prill 2001, Kryebashkiaku i atëhershëm i Amsterdamit, Job Cohen, i martoi katër çiftet e para. Ishte kjo ngjarja e parë e tillë në gjithë botën. Pas Holandës, dhjetra vende tjera e ndoqën shembullin. Pra moment-segment i rëndësishëm në historinë e përfaqësimit politik, sepse harta e liderëve LGBTQ+ në botën perëndimore është zgjeruar ndjeshëm.

Ky trend e pasqyron ndryshimin e pakontestueshëm, ky trend tregon se, pavarësisht debateve politike, pavarësisht krizave dhe mosmarrëveshjeve, pavarësisht ndryshimeve të administratave këndej-e-andejoqeanike, prania e personave LGBTQ+ në nivelet më të larta të vendimmarrjes është kthyer në një realitet të prekshëm, në mbarë sferën e politikave perëndimore.

Holanda me ceremoninë jubilare thuase solemnisht e “rikujton” historinë e krenarisë për “thyerjen e akujve”, në 25-vjetorin e legalizimit të martesave mes gjinisë së njëjtë, duke qenë shteti i parë në botë që hodhi këtë hap. Kryebashkiakja e Amsterdamit, Femke Halsema, me ceremoninë simbolike e “përsëriti” aktin historik duke i martuar tre çifte, njësoj siç pati bërë Job Cohen me “ceremoninë e akullthyerjes”, me katër çiftet e para, 25 vite më parë.

Në ceremoninë jubilare, prania e Rob Jetten si Kryeministër ishte apo është domethënëse për Holandën po ashtu, pasi Jetten është i pari kryeministër homoseksual në historinë e Holandës. Inaugurimi i tij si Kryeministër në Shkurt 2026 dhe në përgjithësi, realiteti i pozitave të larta politike nga komuniteti LGBTQ+ sjellin në pah sa shumë ka ndryshuar peizazhi social dhe politik perëndimor, që nga viti 2001.

Më poshtë një “distilim” (me ndihmën e Google AI) i disa prej figurave më të larta politike në sferën perëndimore që janë pjesëtarë të komunitetit LGBTQ+, duke përfshirë dhe administratën aktuale të ShBA.

ShBA (Administrata Trump, 2025–2026) – Për dallim nga retorikat pararendëse, administrata e dytë e Donald Trump i ka emëruar disa individë të komunitetit LGBTQ+ në pozita kyç politike.

– Scott Bessent: Sekretar i Thesarit. Konsiderohet zyrtari më i lartë homoseksual në historinë e ShBA deri më sot.
– Richard Grenell: Ish-Ambasador dhe ish-Drejtor i Inteligjencës Kombëtare, aktualisht i ngarkuar me drejtimin e Qendrës Kennedy, mbetet një figurë me ndikim të madh pranë Presidentit.
– Tammy Bruce: Zëdhënëse e Departamentit të Shtetit.
– Jacob Helberg: Nënsekretar i Shtetit për Rritjen Ekonomike, Energjinë dhe Mjedisin.
– Ambasadorët: Bill White (Ambasador në Belgjikë) dhe Art Fisher (Ambasador në Austri).

Evropë (Krerë Shtetesh dhe Qeverish) – Evropa mbetet rajoni me përfaqësimin më të lartë të LGBTQ+ në lartësinë e ekzekutivit politik.

– Rob Jetten (Holandë): Kryeministri i parë homoseksual i Holandës, inauguruar në Shkurt 2026.
– Edgars Rinkēvičs (Letoni): Presidenti i Letonisë që nga v. 2023, duke qenë i pari President homoseksual i një shteti në BE.
– Xavier Espot Zamora (Andorra): Kryeministër i Andorrës, që nga v. 2019.
– Gabriel Attal (Francë): Shërbeu si Kryeministri i parë homoseksual i Francës në v. 2024, duke shënuar një thyerje barrierash në politikën franceze.
– Ish-liderë pionierë: Leo Varadkar (Irlandë), Xavier Bettel (Luksemburg) dhe Ana Brnabić (Serbi) kanë hapur rrugën për brezin aktual të politikanëve.

Australi dhe Kanada
Në këto vende, përfaqësimi është i rrënjosur thellë në parlament dhe kabinete:
– Scott Brison (Kanada), ishte ministri i parë homoseksual i kabinetit federal. Sot, Parlamenti Kanadez ka një nga numrat më të lartë të deputetëve LGBTQ+ në raport me popullsinë.
– Penny Wong (Australi), është Ministre e Jashtme e Australisë, nga v. 2022, njëra nga politikanet më të fuqishme dhe me jetëgjatësi në vend, homoseksualja e parë në kabinetin australian.

***
Notë redaktoriale:
Ndërsa sot festojmë këtë përvjetor të dinjitetit njerëzor këtu në Tokë, sytë tanë janë kthyer dhe nga qielli. Sot, më 1 Prill 2026, misioni Artemis II nis udhëtimin drejt Hënës – një tjetër “akullthyerje” që sikur na e kujton se kufijtë, qofshin socialë apo hapësinorë, ndoshta ekzistojnë vetëm sa për t’u tej-kaluar. Ndoshta dhe progresi socio-politik e kulturor është i ngjashëm me atë tekno-shkencor…
(s. guraziu)