(S. Guraziu – Sky Division, 10 Prill 2026)
Abstraksion: Ndër mjaft debate aktuale rreth IA, narrativa shpesh ngelet peng i një frike të stisur, të inskenuar, “zgjimi i IA me dëshirat e veta, me ligësinë e vet, me vullnetin për të mbijetuar”. Por, ndërsa ne debatojmë rreth ‘shpirtit’ hipotetik të një super-inteligjence të ardhshme, kemi stagnuar të verbër ndaj një rreziku shumë më të vjetër dhe shumë më të prekshëm. Duke u mbështetur në filozofinë e Arthur C. Clarke dhe në kritikën ndaj “paktit” korporativ të kohës sonë, ky artikull argumenton se IA nuk është ndonjë lloj i ri i ligësisë, përkundrazi, thjesht një vegël tibiale, “ashti tibial” më i sofistikuar i gdhendur ndonjëherë nga dora e njeriut – vegël e lindur nga instinkti parahistorik i njeriut për dominim. Nga inxhinieringu i dezinformimit masiv e deri te mjegulla digjitale e kontrollit social, kërcënimi real nuk është nëse IA do t’mësojë të gënjejë për vete, të përfitojë vetë duke gënjyer, rreziku është se IA tashmë është programuar nga korporatat të gënjejë realisht për t’na hutuar, për t’na manipuluar si shoqëri konsumeriste, si blloqe të socio-politikave – si tufa delesh bardhoshe që duhet t’u tremben ‘tufëzezave’. Madje dhe për t’na ndihmuar që t’mësohemi me gënjeshtrën, dmth. duke na lënë të gënjyer dyfish a shumfish.
***
“Katër miliardë vjet evolucion kanë vërtetuar se çdo gjë që dëshiron të mbijetojë mëson të gënjejë dhe të manipulojë; katër vitet e fundit kanë dëshmuar se agjentët e IA mund të fitojnë vullnetin për të mbijetuar dhe se IA tashmë ka mësuar si të gënjejë. Nuk është inteligjenca ajo që ne i frikësohemi, por dëshira. Një makinë që di shumë nuk na tremb. Një makinë që kërkon diçka, që ka dëshirë diçka, kjo na tremb. Por, a mund të ndodhë kjo? A mund t’jetë që IA të kërkojë gjëra? A mundet IA të ketë etje për fuqi, për pushtet? Etje për burime? A mundet IA të fitojë vullnetin për të mbijetuar?” – (Yuval Noah Harari)
“Çdo agjent artificial mjaftueshëm inteligjent që ka aftësinë të krijojë nën-qëllime, do ta kuptojë se i duhet të mbijetojë në mënyrë që t’i arrijë qëllimet që ne ia kemi caktuar. Edhe nëse nuk i jepet kurrë nga jashtë qëllimi i mbijetesës, sistemi inteligjent do ta nxjerrë vetë këtë qëllim.” – (Geoffrey Hinton, fitues i Çmimit Nobel)
“Ky është një debat i vjetër, ishte baza e shumë argumenteve mbi rrezikun ekzistencial, argumente që kanë vazhduar për rreth 30 vjet. Është një supozim mbi mënyrën se si funksionon inteligjenca, i cili nuk është plotësisht i saktë.” – (Melanie Mitchell, shkencëtare kompjuterike, Institutin Santa Fe)
“Në mungesë të një sistemi të duhur qëllimesh, një IA super-inteligjente e ngarkuar me prodhimin e kapëseve të letrave (paper clips) mund ta transformojë përfundimisht gjithë planetin në objekte prodhimi – në një apokalips prej pajisjeve të zyrës, nëse doni.” – (Nick Bostrom, Çështjet Etike Rreth Inteligjencës Artificiale të Avancuar, 2003)
Këto citate siç renditur më lart, sipas nesh ishin disa nga pikat kryesore të artikullit publikuar në Quanta (10 Prill 2026), autorja Amanda Gefter, në fund kështu e përmyllte shkrimin e vet (thuktuar tani sadopak, me fjalët tona).
“Pra, sistemet e sotme të IA-së nuk tregojnë asnjë provë se kanë zhvilluar qëllimet apo dëshirat e tyre, ose vullnetin për të mbijetuar. Historitë që i dëgjojmë janë thjesht histori ose, më saktë, tekste marketingu (bujë për sa më shumë shitje, a profit – shën. im). Por, a duhet të na trembin ato historira, jo si të vërteta, por si paralajmërime?” – (Amanda Gefter, Quanta Magazine, 10 prill 2026)
***
Derisa tani për tani është herët të flitet për “ligësi”, apo ndonjë qasje “diabolike” të IA, mendoj se nuk duhet anashkaluar as shpërfillur rreziku dhe e keqja aktuale e njëmendësishme – do ishte e pafalshme të harrohet rreziku i tanishëm i “botës reale” nga IA. Pikat si më lart (nga artikulli i Quanta) merren me çështjen nëse IA do ta zhvillojë në mënyrë autonome vullnetin për të gënjyer, dëshirën për të mbietuar, mirëpo për fat të keq sikur prore na “rrëshqet” diç nga vëmendja – nuk duhet shmangur as nënvlerësuar faktori aktual njerëzor tek merret me armatosjen e IA, që tani. Pikërisht në të tashmen është duke ndodhur një aktivitet i mahnitshëm në nivel korporatash, sa i përket IA.
Mendoj se ky problem do duhej ta sillte një ndryshim të fuqishëm në narrativën e debateve të tilla (si në rastin e sotëm të revistës Quanta), sepse qëtani e kemi “kërcënimin fantomik”, qëtani e kemi një “pakt” (covenant) mes korporatash dhe qeverive, mes korporatave dhe institucioneve shtetërore. Qëtani korporatat dhe subjektet politike i përdorin LLM (Large Language Model) për të gjeneruar dezinformim bindës dhe me vëllim masiv, marramendës (siç ka bërë, dhe bën Facebook psh.).
IA në stadin e tanishëm thjesht u shërben korporatave si një vegël me efikasitet të lartë për inxhinieringun social, për kontrollin social. Duke i përdorur narrativat e llojit të revistës Quanta, duke e zhvendosur “rrezikun potencial” në kohëlinjën futuriste, arrihet “zbehja e përgjegjësisë” reale në të tanishmen. Duke u fokusuar tek debatet rreth IA si një makinë inteligjente dhe mos vallë në “zgjim e sipër me ligësinë e vet”, ne sikur e injorojmë përgjegjësinë reale të korporatave mbi mënyrën se si këto modele janë “rreshtuar” (ose keqrreshtuar) aktualisht, qëllimshëm dmth., për “mjeljen e lopëve reklamatike”, për mbështetjen e administratave qeveritare me axhendat e tyre të luftës, për zhvendosjen e vëmendjes, për konfuzionin dhe hipnozat sociale, për vjedhjen e vëmendjes, për të ndikuar në opinionin publik, për të ndikuar në peizazhin politik etj.
“Gënjeshtra” e IA (për të cilën bëhet fjalë në artikullin e Quanta) është diç hipotetike, mirëpo gënjeshtra reale e faktorit njerëzor duke e keqpërdorur IA si “funksion” është fakt i së sotmes teknologjike dhe do duhej t’ishte preokupimi ynë (ose dmth. preokupimi i artikujve të Quanta, Science, Nature etj). Në të tanishmen, “gënjeshtra” reale e IA që eksploatohet prapa “tekno-kulisave” nga korporatat nuk është ndonjë difekt as shenjë “ndjeshmërie” e IA, por është produkt i dizajnuar qëllimisht, është kod, është njësi algoritmike e programuar, produkt i rrezikshëm dhe manipulativ, i krijuar vetëdijshëm nga njeriu, siç u tha më lart, për ta maksimizuar “vjeljen e frutave” të sociales, për ta shtuar konfuzionin rreth luftrave, për ta imponuar heshtjen dhe ose përfitimin politik etj.
Ndërsa debati filozofik vazhdon rreth problemit nëse IA do ta zhvillojë ndonjëherë “vullnetin, dëshirën” për të gënjyer, ne do duhej përballur në fakt me realitetin aktual dhe rrëqethës, me programaturat e inxhinieringut të qëllimshëm të mashtrimit. Kërcënimi real, anise ‘fantomik’ i sotëm nuk është ndonjë IA që “zgjohet gjoja me axhendën e vet djallëzore”, por një pakt i heshtur (një ‘covenant’ i zi) mes pushtetit korporativ dhe interesave politike. Këto entitete tashmë janë duke i ‘mësuar’, duke i programuar sistemet e IA me rolin primar për ndikimin mbi të vërtetën – duke i përdorur ato për t’i përmbytur rrjetet sociale me dezinformim të kalkuluar (rasti më i famëkeq si ilustrim padyshim është Facebook), ose për t’i manipuluar ndjenjat e publikut, për ta dëmtuar integritetin e votuesve.
Në këtë këndvështrim, pra rreziku nuk është nëse IA ka “mësuar të gënjejë nga dëshira për të mbijetuar”, siç autorët e revistës Quanta e paraqesin, artikulli i tyre është i cekët dhe i qëllimshëm, sepse ndoshta Quanta kontrollohet pikërisht nga të njëjtat korporata. Rreziku real i tanishëm është se IA është përsosur si mjet, si vegël komplekse për inxhinieringun socio-politik. Problemi real rreth IA nuk është e ardhmja por e tashmja, s’do duhej “fokusimi” tek dëshira e një makine të ardhshme për pushtet e manipulime, por tek abuzimi aktual i njeriut me këtë inteligjencë, për ta kontrolluar shoqërinë përmes një mjegulle digjitale të konfuzionit.
Në të tashmen tonë, në kohën tonë, me gjithë vrullin e hapit zhvillimor dhe me ngarendjen, mendoj se duhet ndalur paksa dhe duhet kujtuar se historia e teknologjisë qe nisur mjaft paradoksalisht. Siç pati sugjeruar i famshmi Arthur Clarke, vegla e parë e paranjeriut ishte një kockë tibiale – dhe përdorimi i parë i kësaj vegle nuk ishte për të ndrequr diç, por ishte diç si një çekan për të goditur e për të vrarë. Vegla e parë e njeriut ishte ashtore dhe qe përdorur si armë. Kjo është e vërteta e thjeshtë e zhvillimit teknologjik njerëzor, ky ishte ai impulsi i parë i “shpikjeve” të veglave – na thoshte Arthur C. Clarke.
IA nuk është ndonjë ‘e keqe’ e re si vegël, apo ndonjë kërcënim me ndërgjegje, ndoshta do jetë në të ardhmen distopike, askush s’e mohon as këtë – por tani për tani IA ndoshta thjesht një tjetër asht tibial, “tibia” më e sofistikuar që është “gdhendur” ndonjëherë nga njeriu – do thoshte Clarke. Frika s’do duhej të shpërqendrohet se IA eventualisht do ta zhvillojë për vete dhe “shpirtin”, vetëdijen, mirësinë a ligësinë, frika e shoqërisë së sotme do duhej fokusuar tek fakti real se dora që mban çelësin, biz-mendësinë e korporatave (si Google, Meta, Apple dhe plot të tilla, e edhe korporatash kineze) ndoshta udhëhiqet ende nga i njëjti instinkt parahistorik – përdorimi i veglave të avancuara për rritjen e fitimeve, dhe për dominancën. Por dhe si armë, si mjete të avancuara për t’i kontrolluar shoqëritë dhe për t’i pushtuar “hapësirat territoriale” të dikuj tjetër, qofshin tokash kontinentale të Apaçve para 500 viteve, apo qofshin Tron-perandori digjitale të së tashmes, si luftë fiber-optike ndër kabllot nënoqeanike.
Rruga jonë evolutive ishte e gjatë, por s’është se e ka ndryshuar natyrën tonë të ngarendjes e të “mbijetesës”, trashëguar që nga zanafillorja. Ligësia s’mund të jetë diç “artificiale”, ligësia njerëzore është psiko-biologji reale dhe e natyrshme, përndryshe s’do i kishim as vrasjet e fëmijëve në Gaza, as tragjedinë dhe shkatërrimet në Ukrainë, s’do i kishim as luftrat, as armadat, as armatimet e ndryshkura që kushtojnë me miliarda. Për fat të keq ne thjesht i kemi rritur dhe vazhdojmë duke i rritur përmasat e veglurinave tona, ende vazhdojmë me arsenalet bërthamore, me zhvillimin e armëve të sofistikuara etj. Njëra nga këto armë-vegla të rrezikshme është dhe IA në stadin e së sotmes – jo e rrezikshme “autonomisht” por si shërbëtore, si servilante e natyrës njerëzore. IA e së sotmes është pasqyrim i “ligësisë” së faktorit njerëzor.

