Një parodizim grafik – Dubai, Burj Khalifa dhe Jim Burns!

S. Guraziu – Ars Poetica, Maj 2013

Reporteri në lajmet e RTL7, duke përdorur si ndihmë një grafikë të animuar, komentoi dhe sqaroi për rreth 1 minutë se si krijohen tornadot! Mirëpo mua më iku shpejtë, pata përshtypjen nuk e kapa kënaqshëm “shkencën” e thjeshtësuar sa s’ka më… të tornadove. Vendosa të kërkoj diç në Internet, si “ndihmë” për t’i kuptuar tornadot (ashtu kot – si shkas pra qe rasti në Oklahoma të ShBA, dhe lajmet e freskëta lidhur me njerezit, fatet dhe shkatërrimet atje).

Ndër të tjera gjëra të shumta si info, aty përzier më doli një grafikë e gjelbër e Dubait modern. Pakëz u çudita për aq shumë “gjelbërim” në Dubai! Hm… sa shpejtë na qenka gjelbëruar Dubai! Dhe prapë ashtu kot klikova mbi foton. Besoj, të gjithë dimë tashmë për ndërtesën më të lartë të botës, për Burj Khalifa-në e Dubait, për “çmendurinë” si rrokaqiell, e cila ndërtesë na doli t’mos jetë dhe aq marramendëse për gjithkend. E kam fjalën tani tek ai aktori amerikan Tom Cruise, dhe tek “ecja e tij pingul” xhamave të asaj ndërtese! Pra i pata parë dhe unë vitin e kaluar (apo kur ishte) disa skena gjatë filmimit të Mission Impossible.

Kur u hap tutje fotoja e kuptova se ishte nje lloj “parodizimi grafik” me ndihmën e artit digjital (nga një artist i quajtur Jonas de Ro). Fillimisht mendova grafika e tij të jetë një lloj mjeshtërie e manipulimit fotografik me veglat digjitale (me zhvillimet e kohëve më të reja të artit digjital, edhe fotomanipulimi është një lloj arti në vete, patjetër kjo). Por jo, nuk doli ashtu.
Meqë Google ofron një galeri të gjatë (deri në dysheme) të fotove lidhur me subjektin e kërkimit, hapa dhe një tjetër për ta paralelizuar sadopak “veprën” e artistit de Ro me njërën nga fotot reale, të përafërt me punën e tij. Nuk përputheshin mjaft gjëra, as “skyline” e qytetit nuk përputhej. Grafika e tij me mjaft detaje më tepër i përkiste imagjinatës, e sidomos flora e bujshme… Prandaj sikur ndjeva keqardhje që desh hyra në hakun artistik. Fotot që i krahasova po i bashkëngjes këtu më poshtë.

Por dhe diç tjetër lidhur me Dubain, një foto që nuk e kisha vënë re, se si më ktheu pothuaj 20 e më shumë vite mbrapa në kohë. Fotoja e fundit për të cilën e kam fjalën ishte bërë nga lart… nga maja e Burj Khalifa, madje më duket nga maja e asaj antenës (apo çfarë duhet të jetë ajo shtylla), me të cilën shtyllë së bashku i arrijnë 828 metra, pra afër 1 kilometër – mrekulli arkitekturale e vërtetë!

Më kujtohet në Zagreb të Kroacisë dikur “habitesha” me imagjinatën e një artisti të zhanrit fantastik, me një tabllo sci-fi të Jim Burns (atëherë akoma jo aq por tashmë mjaft i njohur e famoz). Habitesha me përspektivën, me vizionin e me detajet… si përshfaqje e “futuristikës” brenda një kornize. Në fakt nuk ishte aspak “futuristikë”, ose ishte, por pra na paskësh qenë “afatshkurtër”! Nga v. 1989 (kur Burns e pati bërë pikturën “The Long Run”) deri në v. 2009 (kur Burj Khalifa qe shpallur e përfunduar) i bie të kenë kaluar 20 vjet.

Besoj dhe fotot e ngjitura flasin për ngjashmërinë mes realitetit të sotëm dhe të artit fantastik të dikurshëm, që konsiderohej “sci-fi art”. Ja dhe një “dëshmi” që ne veç jetojmë në “futuristikën” – sikur po thosha mëvete, paçka se disa gjëra janë relative sa i përket termave, natyrisht!

(ngjitur)
– disa foto të Dubait
– Jonas de Ro – “Dubai Ruins” (art digjital)
– Jim Burns – “The Long Run”, 1989

Dubai “Futuristik” – Fantazia e dikurshme, Realiteti sot dhe Vizioni për të nesërmen!

S. Guraziu – Ars Poetica, J 2014
(“futuristika” e artistëve të dikurshëm sot është një realitet i mirëfilltë, realitet me të dyja këmbët “zhytur” në të nesërmen)

(Video) Ja si e shohin sot dhe si kanë “dëshirë” ta shohin Dubain vetë arabët – dritat magjepsëse skaj më skaj të një “megacity” supermodern (aspak larg nga fantazia e Jim Burns, dhe fare pakëz “larg” bie fjala nga fantazia lidhur me një “kryeqytet galaktik” si Coruscant i Star Wars : ) – veturat hibride i shohim gjithandej si fluturushe qiellit, e edhe “sterres”.

Në Maj të vitit të kaluar pata shkruar diç si koment: “Një parodizim grafik – Dubai, Burj Khalifa dhe Jim Burns”.
…dikur në rini “habitesha” me imagjinatën e një artisti të zhanrit fantastik, me një tabllo të llojit “sci-fi” të Jim Burns. Habitesha me përspektivën, me vizionin e me detajet… si përshfaqje e “futuristikës” brenda një kornize. Por në fakt nuk ishte “futuristikë” – ose na ishte, ama na paskësh qenë “afatshkurtër”! Ja dhe një “dëshmi” se ne veç jetojmë në “futuristikën”, paçka se disa gjëra janë relative sa i përket termave, natyrisht!

***
Një film lidhur me turistikat e Dubait (padyshim i porositur nga institucionet e Emirateve të Bashkuara Arabe, meqë mbase u takon përgjegjësia për promovimin turistik, punuar nga një studio amerikane, “Stargate Studios”) sikur flet dhe per një “dëshmi” tjetër multimediale (kësaj radhe si video).

Kuptohet, në videon veturat “fluturojnë” me ndihmen e huazuar imagjinative-artistike të Stargate… apo në grafikat artistike të dikurshme ato “fluturojnë” me imagjinatën e Jim Burns, por e nesërmja është sikur dhe e sotmja e Dubait, e cila e sotme kishte aq shumë dallim nga e dikurshmja. Dikur, askush përveç artistëve s’mund ta imagjinonte një “cityline” siç është ajo e Dubait të ditëve tona (shi për këtë i pata paralelizuar me grafikat e Jim Burns), por ja që “futuristika” e atyre artistëve sot është një realitet i mirëfilltë, realitet me të dyja këmbët “zhytur” në të nesërmen!

***
Lidhur me videon, kuptohet “all rights reserved by Stargate Studios”
[ Stargate Studios was founded in 1989, it’s a production company offering visual effects and production services to the film and television industry. Headquarters: South Pasadena, California, USA ]