Piramidat misterioze, hijerënda, grandioze, pluhuroze!

(sguraziu – ars poetica, shk 2019)

…m’u duk mjaft e bukur kjo fotoja e sfinksit – piramidat dhe fotot e piramidave ashtu-kështu sikur duken të ndonjë bote tjetër (ndoshta dhe janë… s’kemi si ta dimë, ose dmth. nëse kihen parasysh mijëvjeçarët e vjetërsisë, mund të spekulohet se janë të “tjetërbotëshme”, dhe spekulimi do ngelej i pafajshëm – bie fjala, jo ashtu kot industria e Hollivudit panumër filma i ka bërë duke u bazuar në fantazinë se ngrehinat e lashta madhështore mund t’kenë patur ndonjë “lidhje” me alienët, me jashtëtokësorët : )

…sepse s’ka faj as Hollivudi, piramidat se ç’fshehin diç të panjohur, sikur prore mbuluar me ndonjë plaf të “misterit”, studioji sa të duash, bëhu arkeolog, egjiptolog, piramidolog, shpenzoje gjithë jetën rreth shkencave dhe fakteve që njihen, kam përshtypjen sikur ato prapë do shtiren misterioze, hijerënda, pluhuroze, të paarritshme, krye-lartësore, majë-madhështore… piramidat dhe thjesht si varre grandioze të lashtesisë gjithmonë do ta mahnitin njerëzimin : )