SG – Hanxhiu në halle, 2001

HANXHIU NË HALLE
S. Guraziu, 2001

në hanin tonë njëmijë udhëtarë
kaluan natën, bajgat nëpër saç
pranvera sython me bar të keq

shenjë e ligë, keni për t’parë
qengji-qengjit do i thotë “plaç”
ustallarët do shtiren kryeneçë

tash është dimër, borë e bardhë
bar të thatë, barishte, jo spinaq
lejlekët vijnë nesër për përpeq

ballë i oxhakut, plak përmbi plak
tre rreshta urtësi, tre renda fli
oxhaku s’e ngroh një dordolec

me gisht përzien qullin, qullu pak
me tre rreshta bën një fli-mrekulli
me tri tulla e tri krande një kotec

njëmijë opinga, asnjë e majtë
njëmijë opinga, asnjë e djathtë
hanxhiu s’ka brumë për kulaç

minjtë po qeshin nën samar oiii
usta hanxhi ore zotni dallavesh
kot e ke, lejlekëve s’ua hedh dot

– – –
(foto: …paska një restorant në Tiranë, u quajka “Mullixhiu” (e paskan madje dhe një faqe shumë simpatike në Internet), menuja e tyre qenka paksa më “ndryshe”, por dhe atmosfera (interieri) se ç’paska diç të ngrohtë nga vetë “ngrohtësia e tradicionales shqiptare” (sakaq m’u kujtua një “hanxhiu…” i poetikave, dikur pata shkruar “Hanxhiu në Halle” – më shkoi mendja ndoshta sepse u rimua, hanxhiu-mullixhiu), uroj t’mos “mbyllet Mullixhiu” derisa t’i kem provuar dhe unë simitet e tyre : )