SG – Ars Gratia Artis, 2016

ARS GRATIA ARTIS
S. Guraziu, 2016

Qirinjtë e Naimit u shkrinë,
i hëngri vetë drita – fjalët
e tij ngelën, nuk u tretën,
ikja matanë s’i djeg
shpirtrat, as fjalët
as poetikat, shpirtrat janë
fjalë, përjetshëm fjalamanë,
i flasin Mnemozinës,
Lethës, herë harresës,
herë kujtesës, bredhin
Hadesit të pafund,
Letha i bënë harrestarë,
Mnemozina ngutet
shpik fjalë, “ars gratia
artis”, ambroz, mjaltë
i kulluar hyjnor,
ushqim shpirtëror, me fjalë –
fjalët ngelin gjallë.

Le t’treten vargjet e Safosë,
librat, letrat e gjithë botës,
le t’behen shkrumb buzet
e vetë Kaliopës, asgjë…
shpirtrat janë fjalë, bredhin
si Bajroni… matanë – dikur
poet-endacaku i Europës.

* Mnemozina (Titanidë), mit. greke – perëndesha e Mbamendjes, nëna e Nëntë Muzave, ajo i pati shpikur Fjalët dhe Gjuhën, ishte gjithashtu emri i një lumi në Hades (Hadesi i kishte pesë lumenj), të vdekurit që do pinin nga ujërat e Mnemozines do t’mbanin mend të kaluarën e gjallimit, nuk do ta harronin jetën e tyre

* Kaliopa – vajze e saj, njëra nga nëntë muzat…

* Letha, mit. greke – perëndesha e Harresës dhe emri i njërit nga pesë lumenjtë në Hades, ne te cilin lumë të vdekurit do pinin për ta harruar jetën e tyre tokësore.

[ ngjitur: Dante G. Rossetti – Mnemozina (Jane Morris si model, studim për ‘Mnemosyne’ (djathtas), 1876 ]

[ Piktura: Ladislas W. von Czachorski (1850-1911) – Buqetë Lulesh ]