Nereidat – 50 Motër-Perëndeshat e Bukura Akuatike

S. Guraziu – Ars Poetica, Q 2026

(…meqë ra fjala, mitologjia greke nuk “pretendon” kurrë t’jetë më e saktë se, le t’themi, herologjia moderne e Hollivudit – në të dy rastet kemi mijëra heronj dhe figura të rëndësishme, shumë prej tyre ndonjëherë dyfishohen : )


[ Grafika: Stevyn Llewellyn – Shtatë Nereida (Art digjital, dhe Akuarel), 2019 ]

***
Nereidat janë nimfa deti (shpirtra femëror akuatikë) të cilat i personifikojnë aspektet e ndryshme të oqeanit – nga valët e qeta dhe plazhet me rërë, e deri tek shkathtësitë e marinarëve. Ndryshe nga shumë lloje nimfash, Nereidat janë të pavdekshme, janë diç si perëndesha të “vogla”. Ato janë 50 vajzat e zotit të detit, Nereus, dhe Oqeanides Doris, si dhe motrat e vëllait të tyre, Neritit. Nereidat simbolizonin gjithçka që është e bukur dhe e këndshme e detit. Ato paraqiteshin si femra të bukura, të kurorëzuara me degëzash të kuqe koralore dhe të veshura me rroba mëndafshi të bardhë, qëndisur me ar. Në artin klasik, ato përshkruhen si virgjëresha të reja, jashtëzakonisht të bukura që kalërojnë mbi kurrizin e delfinëve, hipokampëve (kuajve të detit) dhe krijesave tjera detare.

Zërat e tyre melodiozë këndonin teksa vallëzonin rreth babait të tyre. Anise nuk dihet nëse emri i Nereusit ishte i njohur për Homerin apo jo – emri i Nereidave është i dëshmuar përpara Nereusit, dhe 34 emra Nereidash përmenden nga Homeri në Iliadë (si burimi i vjetër). Kështu që del se Nereusi ka “rëndësi mitologjike” vetëm si babai i Nereidave, nuk dihet për ndonjë “rol” tjetër mitologjik, andaj është sugjeruar se emri i tij mund t’ketë rrjedhur faktikisht nga ai i vajzave të veta. Sikur që është sugjeruar dhe rrjedhja e emrit të Nereidave nga Nereusi, dmth. si emër patronimik (emër trashëguar nga babai).

Emri i Nereidave ka mbijetuar në folklorin grek si neráides (νεράιδες) që do t’thotë ‘zana (ujore)’, ndonëse kuptimi i emrit ka ndryshuar përgjatë shekujve për t’i përfshirë gjithë llojet e zanave, sirenave dhe nimfave. Në astronomi, hëna e tretë më e madhe e Neptunit quhet Nereidë, duke ruajtur kështu tematikën qiellore të emërtimit të hënave sipas figurave që lidhen me perënditë akuatike.

Në mitologji Nereidat shpesh e shoqërojnë Poseidonin, kryezotin e detit, dhe mund t’jenë miqësore, ndihmuese të detarëve (psh. për Argonautët gjatë kërkim-lundrimit të tyre). Detarët dhe peshkatarët e Greqisë së lashtë i nderonin ato thellësisht. Ndërtoheshin tempuj, faltore në portet për t’i adhuruar dhe lutur për mbrojtjen gjatë stuhive të rrezikshme. Në një rrëfim, Kasiopeja mburret se vajza e saj, Andromeda, ishte më e bukur se Nereidat, dhe kështu nimfat e bukura do hidhëroheshin. Në shenjë solidariteti me to, Poseidoni e nisi një përmbytje dhe një monstër deti në tokën e Etiopasve, duke kërkuar madje dhe flijimin e princeshës. Flitej gjithashtu se këto perëndesha deti u zbulonin njerëzve misteret e Dionisit dhe Persefonës.

Nereidat janë veçanërisht të lidhura me Egjeun, ku banonin me babain e tyre, diku në thellësi të detit, në një pallat të artë. Më të njohurat prej tyre janë Thetisa, Amfitrita, Galatea, Psamata. Thetisa, ishte e dashur e Zeusit e po ashtu dhe e Poseidonit (vëllazëria e Olimpit ndonjëherë i ndanin ëmbëlsirat mes vete : ) Mirëpo Thetisa e bukur do martohej me mbretin vdekatar Peleusin, pasi një profeci thoshte se djali i saj do ta tejkalonte babain për nga fuqia. Ky detaj i pati “frikësuar” vëllazërinë Zeus-Poseidon dhe thjesht gjoja na qenkeshin “ftohur”, nuk e vizitonin. Zotash fort të zotët të Olimpit por dhe ngapak “frikacakër” të profecive, apo tekefundit shtireshin se qenë ngopur me ëmbëlsi.

Pastaj Thetisa do martohej me Peleusin dhe do bëhej nëna e heroit legjendar të luftës së Trojës, Akilit. Në Iliadën e Homerit, kur Thetisa qan nga dhimbshuria për pikëllimin e Akilit, i cili vetë kryetrim i madh, vetë qaralaç i paparë, i ligështuar mozomokeq për Patrokliun e vrarë nga princi trojan Hektori, prekur për dhimbjen e motrës së tyre, shfaqen disa nga motrat e saj, mbase shfaqen për ngushëllim 12-13 motër-perëndesha. Katër nga motrat, Kimodoka, Talia, Nesea dhe Spio, më vonë, së bashku me motrat tjera, me perëndeshat Thetisa, Melita dhe Panopea, do ta ndihmonin heroin Enea dhe ekuipazhin e tij gjatë një stuhie.

Amfitrita ishte bashkëshortja e Poseidonit dhe nëna e Tritonit – Poseidoni u dashurua dhe e zgjodhi si bashkëshorte hyjnore. Krah tij Amfitrita i sundon oqeanet dhe ndihmon në qetësimin e erërave shkatërruese. Është interesante që Homeri nuk e përmend Amfitritën, gruan e Poseidonit – ndonëse është një emër i rëndësishëm ndër Nereidat, qoftë dhe vetëm për faktin se bashkëshorte e Poseidonit (Amfitrita është gjithashtu emri i njërës nga 3000 Oqeanidat, vajzat e Titanit Oqean dhe Titanidës Tetisa). Homeri nuk e përmend as emrin e Azisë (e cila, përveçse një nimfë-Nereidë, është gjithashtu emri i njërës nga Oqeanidat). Amfitrita përmendet vetëm nga Hesiodi dhe Apollodori, ndërsa as këta nuk e kanë përmendur Azinë. Azia përmendet vetëm disa shekuj më vonë, nga Higini.

Galatea, një nimfë e bukur që personifikonte shkumën e bardhë të detit, ishte dashuria e pakthyer për ciklopin Polifem. Ajo u ndoq në mënyrë agresive nga ciklopi i ngathët me një sy, megjithëse zemra e saj i përkiste djaloshit vdekatar, Acisit. Polifemi ishte i biri i Poseidonit dhe qe verbuar nga Odiseu, e pati humbur të vetmin sy që e kishte, për t’u xhindosur pastaj Poseidoni dhe për t’ia nxirë jetën Odiseut. Deti do ngrysej e do errësohej qielli, e pati pësuar dhe e ngrata Penelopa duke u tretur e pritur Odiseun stoikisht për 20 vjet. Pas 10 viteve të luftës së Trojës Odiseut do i duheshin dhe 10 vite tjera që t’i shmangej mllefit të Poseidonit dhe t’arrinte në shtëpi.

Motër-perëndesha, Nereida Psamata do bëhej nëna e Fokusit, me mbretin Aekus të Eginës, si dhe do ishte nëna e Teoklimenit dhe Theonoasë me Proteusin, një zot akuatik, ose mbret i Egjiptit, nuk dihet aq saktë.


[ Piktura: Friedrich Ernst Wolfrom (1857-1920) – Poseidoni dhe Nereidat, 1920 ]

***
Në mitologji ndodhë 50 bëhet 100, thuase ashtu na qenkësh matematika e mitologjisë, e sidomos ajo greke i ka “matematikat” mjaft lëmshatike. Anise, meqë ra fjala, mitologjia greke nuk “pretendon” kurrë t’jetë më e saktë se, le t’themi, herologjia moderne e Hollivudit (Marvel & DC etj) – në të dy rastet kemi mijëra heronj dhe figura të rëndësishme, shumë prej tyre ndonjëherë dyfishohen. Për herologjinë moderne të Hollivudit dhe s’jemi aq të sigurt, sa Marvel-heroinat e sa Spidermanat, sa Batmanat e Bananamanat… mbase as Fandomiada komplete (e kontinenteve dhe akullnenteve) s’mund t’jetë 100% e sigurt : ) por në mitologjinë greke ndonjëherë mund t’i kesh madje më shumë se 3, 4, 5, 6 apo 7 versione të të njëjtit emër.

Thuhet se Nereidat ishin 50 vajzat e zotit të detit, Nereus, dhe Oqeanidës Doris. Mirëpo, për arsye se lista e Nereidave zakonisht vilet e ndërthuret nga katër burime kryesore, nga Iliada e Homerit, Teogonia e Hesiodit, Biblioteka e Apollodorit (apo Pseudo-Apollodorit) dhe nga Fabulat e Higinit, numri i emrave të tyre shkon pothuaj në 100 – në total 97 emra Nereidash. Po po, në mitologji ndodh dhe kështu: 50 bëhen ~100 : )

Vetëm Hesiodi (në Teogoninë e vet) i përmend saktësisht 50 emra, dmth. i lumtë Hesiodit. Homeri (në Iliadën e vet) i përmend 34 emra Nereidash [ le t’i cekim, meqë burim i popullarizuar – Aktea, Agave, Amateia, Amfinome, Amfitoa, Apsevdesi, Kalianasa, Kalianira, Klimena, Kimodoka, Kimotoa, Deksamena, Dorisa, Dotoja, Dinamena, Galatea, Glaukeja, Halia, Iaera, Ianasa, Ianeka, Limnoreia, Maera, Melita, Nemertesa, Nesea, Oreitia, Panopa, Ferusa, Protoa, Speia, Thaleia, Tetisa, Toa ], Pseudo-Apollodori (në Biblioteka) i përmend 45 emra Nereidash, Higini (në Fabulat) i përmend 47 emra Nereidash. Katër burimet në total i përmendin 97 emra Nereidash.

Higini (autor latin, rreth vitit 64 p.e.s – 17 e.s., në ‘Fabulae’) i përmend gjithsej 47 emra Nereidash. Ai i shton + 13 emra të tjerë që Homeri (i cili jetoi 7-8 shekuj para Higinit, rreth viteve 800-700 p.e.s.) nuk i pati përmendur. Dhe jo vetëm Homeri… por as Hesiodi (rreth viteve 750-650 p.e.s.) dhe as Biblioteka (e Apollodorit, shkruar rreth viteve 100-200 e.s.) nuk i përmendën ato. Higini i përmend + 13 Nereidat [ Aretusa, Azia, Beroja, Klia, Kreneisa, Kidipa, Diopea, Dimoja, Efira, Euridika, Leukotoa, Ligea, Opisa, Filodoka ] pra ku i gjeti ky +13 emra që asnjë burim nuk i kishte përmendur para tij?! Anise, prapëseprapë, Higinit i “mungonin” 3 emra për ta kapur numrin e plotë 50.

Siç e cekëm më lart, vetëm xha Hesiodi ia pati dalur t’i përpilonte saktësisht e denjësisht 50 emra Nereidash. I lumtë, pirolla i qoftë xha Hesiodit, s’duhet hyrë në hak të meritokracisë mitologjike. Meritokracia gjithmonë nderohet, duhet nderuar në njëfarë mënyre, anise çmim Nobel post-mortem s’mund t’i japim, sigurisht që jo, rregulloret janë rregullore. Por bie fjala do ishte njëfarë nderimi modest nëse mitologët dakordohen dhe e shpikin shprehjen “t’jesh po aq i saktë sa xha Hesiodi në mitologji” : ) Nderim modest, tmerrësisht i vonuar dhe i thjeshtë, por s’është pak – më mirë diç sesa hiç.

Gjithë emrat e Nereidave, nga 4 burimet, varg e varg > Amateia [ shfaqet pranë motrës Thetisa kur ajo qan nga dhembshuria për pikëllimin e Akilit ] – Amfinoma [ e ushqen kopenë e Poseidonit ] – Amfitoa [ shfaqet pranë motrës Thetisa kur ajo qan nga dhembshuria për pikëllimin e Akilit ] – Amfitrita [ bashkëshortja e Poseidonit, po ashtu emri i një Oqeanide, Homeri nuk e përmend ] – Apseudesa – Aretuza – Azia [ po ashtu emri i një Oqeanide ] – Autonoa [ Përmendet vetëm si emër ] – Beroa [ po ashtu emri i një Oqeanide ] – Kalianasa [ shfaqet pranë motrës Thetisa kur ajo qan nga dhembshuria për pikëllimin e Akilit ] – Kalianira [ përmendet vetëm si emër në Iliadë ] – Kalipsoja [ po ashtu emri i një Oqeanide ] – Ketoja [ po ashtu emri i një Oqeanide, përmendet vetëm si emër ] – Klioja [ po ashtu emri i një Oqeanide ] – Klimena [ po ashtu emri i një Oqeanide, shfaqet pranë motrës Thetisa kur ajo qan nga dhembshuria për pikëllimin e Akilit ] – Krantoja – Kreneisa – Kidipa [ në shoqërinë e Kirenës së bashku me motrat e saj ] – Kimatolega [ përmendet vetëm si emër ] – Kimoja [ përmendet vetëm si emër ] – Kimodoka – Kimotoa [ shfaqet pranë motrës Thetisa kur ajo qan nga dhembshuria për pikëllimin e Akilit ] – Deiopea – Deroja [ përmendet vetëm si emër ] – Deksamena [ shfaqet pranë motrës Thetisa kur ajo qan nga dhembshuria për pikëllimin e Akilit ] – Diona [ po ashtu emri i një Oqeanide ] – Dorisa [ po ashtu emri i një Oqeanide ] – Dotoja – Drimoja [ njëra nga nimfat në shoqërinë e Kirenës ] – Dinamena – Eiona [ përmendet vetëm si emër ] – Efira [ po ashtu emri i një Oqeanide ] – Eratoja – Eugora – Euarna – Eukranta – Eudora [ po ashtu emri i një Oqeanide ] – Eulimena – Eumolpa – Eunika – Eupompa [ përmendet vetëm si emër ] – Euridika – Galena – Galatea – Glaukeja – Glaukonoma [ përmendet vetëm si emër ] – Halia – Halimeda – Hiponoa – Hipotoa [ përmendet vetëm si emër ] – Iara [ shfaqet pranë motrës Thetisa kur ajo qan nga dhembshuria për pikëllimin e Akilit ] – Ianasa [ shfaqet pranë motrës Thetisa kur ajo qan nga dhembshuria për pikëllimin e Akilit ] – Ianira [ po ashtu emri i një Oqeanide, shfaqet pranë motrës Thetisa kur ajo qan nga dhembshuria për pikëllimin e Akilit ] – Iona – Isfianasa [ përmendet vetëm si emër ] – Laomedeia [ përmendet vetëm si emër ] – Leiagora [ përmendet vetëm si emër ] – Leukotea – Ligea – Limnoreia – Likoriasa – Lizianasa – Maera [ shfaqet pranë motrës Thetisa kur ajo qan nga dhembshuria për pikëllimin e Akilit ] – Melita [ po ashtu emri i një Oqeanide ] – Menipa [ po ashtu emri i një Oqeanide ] – Nauzitoa – Naera [ po ashtu emri i një Oqeanide ] – Nemertesa – Neomerisa – Nesea – Nesoja [ përmendet vetëm si emër, i jep emrin e saj Nesos, njëra prej hënave të Neptunit ] – Opisa – Oreitia [ shfaqet pranë motrës Thetisa kur ajo qan nga dhembshuria për pikëllimin e Akilit ] – Panopea – Pazitea [ përmendet vetëm si emër ] – Ferusa [ shfaqet pranë motrës Thetisa kur ajo qan nga dhembshuria për pikëllimin e Akilit ] – Filodoka – Pleksavra [ po ashtu emri i një Oqeanide ] – Plotoja [ përmendet vetëm si emër ] – Polinoa – Polinoma [ përmendet vetëm si emër ] – Pontomeduza [ përmendet vetëm si emër ] – Pontoporeia [ përmendet vetëm si emër ] – Pronoa [ përmendet vetëm si emër ] – Protoa – Protomedeia [ përmendet vetëm si emër ] – Psamata – Saoja [ përmendet vetëm si emër, emri do t’thotë ‘shpëtimtarja’ ] – Speja [ shfaqet pranë motrës Thetisa kur ajo qan nga dhembshuria për pikëllimin e Akilit ] – Thaleia – Themistoja [ përmendet vetëm si emër ] – Thetisa [ Nëna e Akilit ] – Thoa [ po ashtu emri i një Oqeanide ] – Ksantoja [ po ashtu emri i një Oqeanide ]

 
[ In English, AI-translated (Logios, Deepseek), 2026 ➔ Nereids – 50 Sister-Deities, the Beautiful Aquatic Ones ]