(S. Guraziu – Ars Poetica, 7 Shtator 2026 – Koment)
Zgjedhjet shtetërore të Saksonisë, mbajtur dje, 6 Shtator 2026, rezultuan me pjesën më të lartë të votave për të djathtën ekstreme – AfD (Alternativa për Gjermaninë). Nga 16 shtete të Gjermanisë, në 1-rin prej tyre, në Saksoni, shumicën e votave i fitoi e djathta ekstreme. E djathta ekstreme s’ka fituar kurrë më shumë vota, që nga viti 1945, thonë mediat e Evropës.
Dmth. lajm i madh, lajm i bujshëm (po aq sa dhe i ububushëm, mbase) jo vetëm për Gjermaninë por për mbarë Evropën, pasi AfD (në Gjermani) i nënshtrohet të ashtuquajturës “politikë mbrojtëse”, të gjitha partitë e tjera të mëdha e refuzojnë bashkëpunimin me AfD. Dega federale e AfD-së madje është prore nën mbikëqyrje nga Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës (e cila në v. 2023 AfD-në e klasifikoi si “lëvizje ekstremiste e krahut të djathtë”).
Dihet se Gjermania është një shtet i madh federal, përbëhet nga 16 shtete (Länder), 13 prej tyre janë të ashtuquajtura “shtet-zona” (Flächenländer). Dy shtete, Berlini dhe Hamburgu, janë diç si qytet-shtete (Stadtstaaten), në këto 2 shtete nuk ka ndarje mes qeverisë shtetërore dhe administratës lokale. Çdo shtet (Land) e ka kushtetutën e vet dhe është kryesisht autonom, sa i përket organizimit politik. Nga v. 2017 në nivel komunal Gjermania është e ndarë në 401 rrethe (Kreise), këto përbëhen nga 294 rrethesh rurale dhe 107 urbane.
Dmth. Gjermania është një vend i madh, me pothuaj rreth 84 milionë banorë (me popullsi pothuaj sa 1/3 e ShBA), qëkur Gjermania e implementon “politikën mbrojtëse” ndaj AfD, pakashumë do t’thotë se platforma e AfD-së e sfidon dinjitetin universal njerëzor, çdo parti tjetër politike tradicionale ka mbajtur një “brandmauer” (mur zjarri) të rreptë, duke e përjashtuar çdo qeverisje a koalicion me AfD. Kjo e krijon një realitet të tensionuar politik, ku AfD si drejtim politik i mbështetur nga miliona votues izolohet plotësisht nga establishmenti parlamentar, duke e intensifikuar kështu polarizimin shoqëror. Dhe ja tani, e djeshmja sikur e “vulosi” vështirësinë – votat e Saksonisë vetëm sa e vështirësojnë dhe apo e bëjnë akoma më kompleks mozaikun politik të Gjermanisë.
***
Biznismeni dhe pasaniku i madh amerikan Elon Musk e mbështet fuqishëm partinë e së djathtës ekstreme të Gjermanisë, AfD, fjalët e tij ishin: “E kam thënë publikisht, mendoj se vetëm AfD mund ta shpëtojë Gjermaninë. Dhe thjesht dua t’jem shumë i qartë për këtë: vetëm AfD mund ta shpëtojë Gjermaninë, fund dhe pikë. Dhe njerëzit vërtet duhet të rreshtohen pas AfD-së, ndryshe gjërat do t’bëhen shumë, shumë më keq në Gjermani”.
AfD (Alternativa për Gjermaninë – Alternative für Deutschland, AfD) është parti politike e të djathtës ekstreme, parti populiste e krahut të djathtë, parti nacional-konservative dhe pjesërisht “völkisch” nacionaliste. AfD është partia më e madhe opozitare e Bundestagut, i ka 151 vende në Bundestag dhe 15 në Parlamentin Evropian.

