Pezullim Lirie, në Emër të Popullit të Kosovës…

[ …në emër të popullit të Kosovës, trupi gjykues ju shpall juve 4 burrat e Kosovës se jeni “kriminelë lufte” dhe ju dënon me 81 vjet heqje lirie, sepse ju si LUFTËTARË TË LIRISË, SI HERONJ PER LIRINË E POPULLIT TË PËRVUAJTUR, SI PISHTARË LIRIE TË POPULLIT TË SHKELUR PËR 1 SHEKULL TË TËRË (madje e dimë që populli shqiptar ende s’i ka harruar masakrat serbe të 1913-ës, që nga atëherë kur Evropa i coptoi tokat shqiptare si shpërblim për Serbinë dhe për aleatët ballkanikë (gjoja për luftën e tyre ndaj Perandorisë Osmane, Evropa ia dhuroi Serbisë “peshqesh” Kosovën, në këtë vazhdë duhet thënë pirolla i qoftë atij Ismail Qemalit, ai largpamës dhe u ngut e shpalli Pavarësinë e Shqipërisë 1 vit më parë, në mënyrë që Pavarësia e Shqipërisë t’ishte “akt i kryer” dhe kështu ambicjet serbe për detin, për daljen në det të ngeleshin “ëndërr”, ashtu dhe ndodhi, largpamësia e Qemalit vërtet madhështore, i njihte mirë hilet e Evropës – pa t’mos flasim për “varrezat masive” të 1999-ës as për pastrimin etnik të Millosheviqit, për trenat e stërmbushur thuase po i deportonin fëmijët, gratë dhe pleqtë drejt çadër-plastikave dhe baltës së Bllacës), JU SI TRIMA KENI SAKRIFIKUAR GJITHÇKA NË ALTARIN E LIRISË duke i ndihmuar VENDLINDJES, POPULLIT, NATO-s, dhe kuptohet vlen dhe anasjellëza, sepse dhe NATO-ja ju pati ndihmuar juve (qëkur NATO shihte gjithçka nga sateliti, shihte kush masakronte në Reçak e kush jo, ia përgjonte telefonin Mlladiqit, Millosheviqit, Karaxhiqit, gjeneralëve të Millosheviqit, i përcillte me “dylbi” gjithë kriminelët e luftës), dhe kështu së bashku me NATO-n ia sollët LIRINË KOSOVËS… etj. etj. andaj jeni fajtorë, sipas drejtesisë MEQË KENI LUFTUAR PËR LIRINË kundër KRIMINELËVE TË LUFTËS, ju takon rreth 1 SHEKULL HEQJE LIRIE – natyrisht keni të drejtën për ankesat, avokatët tuaj mund t’ia fillojnë me procedurat ankimore menjëherë, s’është nevoja të humbisni kohë… ]
(s. guraziu – ars poetica, 16 shtator 2026)

***
Në emër të popullit të Kosovës, trupi gjykues ju shpall ju, Hashim Thaçi, fajtor për arrestim dhe ndalim arbitrar, si krim lufte, ndaj të paktën 385 personave; për trajtim mizor ndaj të paktën 49 personave; për torturë, si krim lufte, ndaj të paktën 303 personave; dhe për vrasje, si krim lufte, ndaj 96 personave“, njoftoi kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Charles Smith III.

Bashkë të pandehurit e Thaçit, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, u dënuan përkatësisht me 25, 18 dhe 13 vjet burg. Të katër burrat u shpallën fajtorë për përgjegjësinë e tyre në këto krime, në kohën kur ishin zyrtarë të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, gjatë luftës kundër forcave serbe. Të katër burrat u liruan nga akuzat për krimet kundër njerëzimit të përndjekjes, burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes dhe zhdukjeve me forcë, pasi këto krime ishin kryer pas përfundimit të luftës në Kosovë.

Duke lexuar vendimin, gjyqtari Smith këmbënguli se çështja “nuk ka të bëjë me legjitimitetin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Ky proces nuk ka të bëjë me krimet e ushtrisë dhe forcave paraushtarake serbe, të cilat, pa dyshim, kryen krime ndaj shqiptarëve në Kosovë. Gjithashtu, çështja nuk ka të bëjë me pretendime për vetëmbrojtje. Në vend të kësaj, ky proces ka të bëjë vetëm me përcaktimin nëse janë kryer krimet e përshkruara në aktakuzë“, tha ai.
(balkaninsight, 16 shtator 2026)