[ Mbaje mend; mbaje mend; ky çast është tani, dhe tani, dhe tani. Jetoje, ndieje, kapu pas tij. Dua t’bëhem thellësisht e vetëdijshme për gjithçka që e kam marrë si të mirëqenë. ] – [ Ndjeva mushkëritë të më mbusheshin nga vërshimi i peizazhit – ajri, malet, pemët, njerëzit; mendova: “ja çfarë do t’thotë t’jesh e lumtur” ] – Sylvia Plath (1932-1963)

(ngjitur portret i Sylvia Plath, bërë nga unë me ndihmën e AI, 2024)
***
…poetja amerikane Sylvia Plath (1932-1963) vuante dhe qe katandisur në një gjendje të rëndë depresive, i mori jetën vetes në moshën 30 vjeç duke i lënë prapa 2 fëmijë të vegjël, dhe vëllimin “Ariel”… si dorëshkrim mbi tavolinë – libri qe publikuar dy vite më vonë, dhe i solli famë gjithandej – sa ishte gjallë poetja njihej për talentin e veçantë poetik vetëm nga një grup i kufizuar njerëzish, dy librat e botuar qenë pritur me dashamirësi por nuk shiheheshin si diç e jashtëzakonshme, shumica e poezive që ajo i niste për gazetat e revistat refuzoheshin – fama e Sylvia Plath erdhi vetëm pas vdekjes së saj…
…gjatë viteve të studimeve Plath filloi të shfaqte simptoma të depresionit të rëndë, i cili përfundimisht do çonte në vdekjen e saj. Në njërin nga shënimet e ditarit që mbante, datë 20 qershor 1958, ajo do shkruante: “Është sikur jeta ime të drejtohet në mënyrë magjike nga dy rryma elektrike: ajo pozitive, e gëzueshme dhe ajo negative, korrenti i dëshpërimit – cilado që është aktive në një çast, e dominon jetën time dhe e mbush atë plotësisht”…
…sipas Poetry Foundation, ky është një “përshkrim mjeshtëror” i çrregullimit bipolar, i njohur ndryshe si mani depresive – sëmundje shumë serioze, për të cilën nuk ekzistonin medikamente efektive gjatë kohës kur jetonte Plath. Në Gusht të v. 1953, në moshën 20-vjeçare, Plath tentoi ta vriste veten duke gëlltitur ilaçe (për gjumin). Ajo mbijetoi, dhe pas këtij tentimi u shtrua në spital, ku iu nënshtrua terapisë me elektroshok…
…një dekadë më vonë, në Shkurt të v. 1963 vetëvrasja e poetes sikur e “lëkundi” dhe vetë botën e dhimbjes e të pafajësisë – poetja u gjet e vdekur nga helmimi me monoksid karboni në kuzhinën e saj, pasi kishte futur kokën në furrë. Me lecka të lagura e me rroba do t’i izolonte dyert e dhomës mes kuzhinës dhe fëmijëve të fjetur, dhe kështu iku, duke u “çliruar” nga vuajtjet, por duke i lënë prapa dy fëmijët fare të vegjël…
(s. guraziu – ars poetica, sht. 2026)
