Saddam Hussein si shkrimtar, dhe si kopjac pikturash!

(S. Guraziu – Ars Poetica, Sh 2019)

Jonathon Earl Bowser – “Përshfaqja Qiellore“, 1998 dhe “Lumi Gjenezis“, 2000

Sipas M. Bowden (dhe sipas CIA-s po ashtu) “Zabibaja dhe Mbreti” është një roman i shkruar nga askush tjetër por nga Saddam Hussein (presidenti i dikurshëm i Irakut), ndoshta me ndihmën e ndonjë shkronjësi. Përndryshe Hussein ishte autor i 4 romaneve dhe i një numri poezish. Dy librat e parë (Zabibaja dhe Mbreti, si dhe Kalaja e Fortifikuar) qenë shkruar nga “Ai që i ka Shkruar”, një mënyrë tradicionale arabe për ta ruajtur anonimitetin (info bazuar në shkrimet e Mark Bowden – “Tales of the Tyrant”, The Atlantic, 2002)

Në një vend tjetër, nga autori Ch. Moffat thuhej se në v. 2001 Saddam Hussein e kopjoi pikturën “Zgjimi” nga faqja e artistit kanadez J. Bowser dhe e përdori si kopertinë për romanin e vet “Zabibaja…”. Ishte një rast i çuditshëm i shkeljes së autorsisë dhe i pronës intelektuale, Sadami i njihte dhe i pëlqenin pikturat e artistit Bowser – thotë Moffat. Natyrisht që kopjacëria si faj u mvishet njerëzve të cilët punonin për të, pasi ai vetë personalisht s’e ka përgatitur kopertinën, por përgjegjësia etike dhe juridike do duhej të ishin brengë e tij, qëkur ai e dinte se nga ku vinte piktura e Bowser. (vërejtje imja, sg).

Puna e artistit Jonathon Bowser i takon “Artit Vizional”, bukuria femërore dhe e natyrës është preokupimi qendror, Bowser ka pikturuar me dhjetra perëndeshash dhe imazhe impresive të bukurisë hyjnore. Me të njëjtën qasje të dashurisë ndaj femrës njihen bie fjala dhe Patrick Nagel, Eugene Delacroix, William Blake etj. të cilët me brushat e tyre sikur provojnë të gjejnë kuptime simbolike në boshtin tematik natyrë-seksualitet-spiritualitet.