Edward John Poynter – Izraeli në Egjipt, 1867

Ngjeshje, Dyzim i Arkeologjisë, i Artit, i Historisë!
(Senad Guraziu – Ars Poetica, Sh 2019)

[ ngjitur: Edward John Poynter (1836-1919) – Izraeli në Egjipt, 1867 ]

Tablloja konsiderohet si një nga kryeveprat e Poynter, mund të thuhet se është një “përshkrim” grafik i Eksodit (I : 7-11), sipas Poynter duhet t’i shohim me dhjetra skllevër izraelitë duke e tërhequr karrocën e rëndë, ngarkuar me skulpturën gjigante, një luan i madh punuar prej graniti të kuq, derisa mbikqyrësit apo rojet egjiptase i fshikullojnë.

Piktura duket mjaft e ngjeshur, ka panumër figurash e detajesh, skllavëria ashtu-kështu ishte tmerrësisht e rëndë, në plan të parë e shohim një skllav të molisur, dikush duke i ofruar ujë e ndihmë, fare majtas (ose në fund, prapa karrocës) e shohim dhe “ombrellën e hijes”, nën të figura e ndonjë kleriku të lartë, ose ndonjë administrator i faraonit, si dhe shërbëtorët duke e freskuar.
Më thellë në perspektiven pikturale shohim një sfond të “larmishëm”, lloj-lloj tempujsh grumbulluar nga gjithandej, tempuj të ndryshëm në një pikturë të vetme. Bie fjala, e shohim piramiden nga pllaja e Gizasë, pallatet e lloj-llojshme të elitarëve apo pallatesh mbretërore mbushur me figura a vizatime, por shohim dhe Tempullin e Horusit në Edfu…

“…Piktori i ri Poynter ofron “çdo dëshmi të përfitimit të plotë nga studimi i kohëve të fundit të Egjiptit… një shembull tipik i aplikimit të suksesshëm të parimit modern, i dyzimit të arkeologjisë dhe artit”, Poynter i ka bërë së bashku figurat e tempujve të Tebes, të atyre në Edfu e të Filasë, mbështetur nga Piramida e Madhe në Giza, si dhe shkëmbinjtë gëlqerorë të Tebes, për të shërbyer si sfond, ngjashëm me sfondin kinemaskopik – “The Illustrated London News”, 1867

Anise qe pritur mirë në ekspozitën e v. 1867, në fakt ishte një sukses për artistin, dhe derisa nga “Illustrated…” fjalët janë vetëm lavdëruese, tablloja pati hasur edhe në kritikat e kohës. Disa kritikë nuk pajtoheshin me shpërfilljen e dukshme të Poynter sa i përket saktësisë arkeologjike. Sfondi prej tempujsh grumbull (ngjashëm si “përzierje moderne fotoshopike”), ndokujt mbase i dukej si “sfond kinemaskopik” mirëpo dikujt tjetër josaktësia arkeologjike dhe “përzierja” s’i pëlqenin fare.
Ndërkaq, për ndonjë kritik tjetër thjesht tema në përgjithësi nuk ishte “rrahur” në mënyrë të përshtatshme e të pëlqyeshme.

Tempulli i Horusit në Edfu (i theksuar në pikturën) u ka bërë ballë mijëvjeçarëve, thuhet se është nga tempujt e ruajtur më së miri në Egjipt, ndërtimi i të cilit zgjati pothuaj 200 vjet. Tempulli u ndërtua nën sundimin Ptolemaik, mes viteve 237 – 57 p.e.s., punimet qenë nisur nga Ptolemeu III (në v. 237 p.e.s.) dhe puna u vazhdua tutje nga pasardhësit e tij, përfundimisht tempulli qe kompletuar nën Ptolemeun XII, në v. 57 p.e.s.

Sipas “interpretatio graeca” Horusi identifikohej si Apolloni, ndërsa dihet, Apolloni ishte hyjnia kryesore i grekëve, njëri nga hyjnitë më të rëndësishme olimpike, njëri nga hyjnitë mjaft komplekse greke e romake. Apolloni ishte zot dhe mbrojtës i muzikës, i vallëzimit, i poezisë etj etj. Nëse Horusi ishte “Apolloni”, dhe nëse qytetërimi greko-romak janë djepi i qytetërimit perëndimor të së sotmes, atëherë…

…duke i lënë mënjanë të gjitha të tjerat (e duhet lënë anash aq shumë), dhe vetëm si udhëheqës i Muzave, si frymëzues i gjenialitetit të tyre, pa Apollonin njerëzimi s’do kishte mbërritur askund. Madje thuhet se ai ishte shpikësi i muzikave me “tela”. Dmth. nuk i pati shpikur komplet të gjitha, pianon duhet ta ketë shpikur ndokush tjetër, instrumentet e frymës po ashtu, por mitologjia na thotë se kitara e lira i takojnë atij si shpikje.

Pra as Rolling-Stonsat as Beatles-at e së sotmes s’do ia bënin “gëk” pa meritat e Apollonit. Gjithkujt duhet njohur meritat e shpikjeve, s’duhet hyrë në hak, sikur që Njutnit i takojnë ato meritat e veta, Njutni s’do thotë kurrë “e zbulova Amerikën”, as Tesla s’do kërkojë çfarë s’i takon, as Ajnshtajni, as Da Vinçi, askush… Andaj meritat apollonike ngelen përjetshëm meritore të meritave. Imagjino çfarë “monotonie” do ishte pa muzikat, do kishim vdekur nga mërzia. Ose bie fjala pa frymëzimin e muzave s’do i kishim as artet, as letërsinë, as shkencat… asgje.

* “interpretatio graeca” – si term i përshkruan përpjekjet greke për t’i shpjeguar besimet dhe mitet e të tjerëve, të kulturave tjera, dmth. si diskurs në kuadër të të cilit konceptet fetare, praktikat e lashta greke, hyjnitë dhe mitet përdoren (ose merren si përpjekje) për t’i interpretuar e për t’i kuptuar mitologjitë dhe fetë e kulturave të tjera (pakashumë si metodologji krahasimtare, duke kërkuar ekuivalenca e karakteristika të njëllojta).