Demokracia i Riciklon Shpresat Tona!

S. Guraziu – Ars Poetica, 15 Tetor 2026 (rreth trazirave… protestave politike në Shqipëri – koment)

Prej kohësh Shqipëria me protestat, protestuesit prore në shesh duke kërkuar ndryshime. Lidhur me këtë subjekt, Fb ma imponi një video të Blendi Fevziu – vështrimi i drejtë por sipërfaqësor i Fevziut sikur më shtyri të komentoj më gjerësisht (për video-komentin e vet, Fevziu ishte motivuar nga fjalët e Kryeministrit Rama gjatë një fjalimi, ku ky i fundit shihej me një fanelë të zezë dhe ku u shpreh se Shqipëria s’na është gjoja ndonjë “shtëpi publiku” ky gjithkush hyn e del sipas qejfit…)

Që në nismë, le t’themi se zemërimi i protestuesve është i drejtë, por rruga për të dalë nga kjo gjendje sikur e mbyllur. Mund t’jemi të pakënaqur dhe të protestojmë, por sipas rregullave demokratike i vetmi mekanizëm legjitim për ndryshim është kutia e votimit. Protestat e shprehin pakënaqësinë tonë por NUK mund ta zhbëjnë rezultatin e zgjedhjeve. E vetmja gjë që mund ta ndryshojë atë rezultat është një tjetër palë zgjedhjesh. Mirëpo, edhe zgjedhjet e reja (nëse t’mbaheshin fillim-javën që vjen) ka gjasa ta sillnin të njëjtin rezultat.

Andaj kryeministri Rama thotë me qetësi “zhvilluam zgjedhje, jo revolucion“, dhe saherë të shprehet ashtu do ketë të drejtë, anise njëkohësisht do jetë tmerrësisht irritues në të drejtën e vet. I pyetur nëse do jepte dorëheqjen, kryeministri Rama qe përgjigjur: “Sa u përket thirrjeve për dorëheqjen time, qeveritë ndërrohen përmes zgjedhjeve demokratike. Ne i zhvilluam zgjedhjet vitin e kaluar, jo revolucion“.

Teknikisht dhe në kuptimin demokratik, ai ka të drejtë – dhe kjo mjafton. Zgjedhjet e fundit u mbajtën në Maj 2025, Partia Socialiste i fitoi 52,2% të votave, duke marrë 83 nga 140 vendet e parlamentit (mandati i 4-t i Ramës radhazi). Opozita i fitoi atëbotë 34% të votave.

Vetë makineria e “demokracisë” sikur i përgjigjet protestuesit – në rregull, mendon se gjërat do duhej t’ishin ndryshe, për të tilla çështje procesi politik shqiptar i përdor zgjedhjet, shko dhe voto. Por dhe nëse mundësia e votimit t’ishte reale këtë javë, i njëjti person mund të fitojë rishtas. Qëkur ashtu ndodhi në zgjedhjet 17-18 muaj më parë, kur Partia Socialiste fitoi me shumicën e qartë.

***
Gjithsesi, ka ca dallime të sistemeve demokratike, për hir të dallimësisë le t’i themi 2-3 fjalë. Nëse parlamenti i një vendi shpall se “nuk ka besim” tek diçka… apo tek një kabinet qeveritar, atëherë procesi përshpejtohet. Në Holandë e dimë fort mirë si funksionon kjo punë, sepse qeveritë tona “rrëzohen” aq shpesh. Pothuaj sikur e kemi kthyer rënien e qeverive në sport politik : ) Jemi mësuar me rënie-ngritjet kabinetike, thuase pikërisht ne e patëm “shpikur” butonin e përshpejtimit, dhe pastaj duke përdorur aq shumë sa gati na është “konsumuar” : )

Në kuptimin teknik, mocioni i mosbesimit është leva e vetme që nuk i kërkon zgjedhjet (komplekse dhe të kushtueshme). Parlamenti s’ka pse të presë deri në v. 2029, thjesht deklarohet “s’kemi besim tek kjo qeveri”, dhe e gjithë qeveria bie brenda një pasditeje. Pastaj vijnë zgjedhje të reja, koalicione të reja, fytyra të reja dhe, ndonjëherë, rezultat më i mirë për të zemëruarit – ose ndonjëherë, madje shpeshherë, rishtas i njëjti rezultat.

Kjo levë funksionon vetëm aty ku parlamenti vërtet e ka pushtetin dhe vendosmërinë e duhur politike. Në Shqipëri (sikur dhe në ShBA, apo në shumicën e sistemeve presidenciale) nuk ekziston një “buton” i tillë përshpejtimi. Pushteti ekzekutiv e ka një mandat me afat të caktuar, dhe asnjë votim në parlament nuk mund ta largojë para se t’ketë mbaruar mandati. Ky është dallimi mes sistemit Parlamentar dhe atij Presidencial.

Kështu që, protestuesit e zemëruar të Tiranës janë të bllokuar në një sistem i cili, në dukje parlamentar por, që funksionon më shumë si një sistem me mandatin e afatcaktueshëm. Holandezët mund ta rrëzojnë një kabinet qeveritar për akëcilën gjë të rëndësishme dhe serioze, mund t’jetë mosmarrëveshje rreth buxhetit… dhe pastaj shkojnë të pinë kafe së bashku, aty në bar-in e parlamentit. Madje teksa dynden korridoreve, mund t’i shohin gazetarët e TV-reporterët me mikrofonat ndër duar, secili prej politikanëve mund t’i shpalosë pikëpamjet dhe prognozat e veta.

Holandezët e kanë “butonin” e përshpejtimit demokratik, shqiptarët jo. S’e kanë as amerikanët, meqë ra fjala. Dhe kjo s’është ndonjë çështje më e mirë apo më e keqe; gjithçka çfarë ia vlen janë rregullat për të cilat njerëzia janë dakorduar. Dhe pikërisht këto rregulla janë thelbi që sheshi i protestave NUK mund t’i ndryshojë. Në demokraci ekziston “butoni” i përshpejtimit, por vetëm në atë sistem demokratik ku parlamenti është në krye, ose e ka fjalën fundimtare.

Nëse Shqipëria ta kishte një sistem Parlamentar (me një mekanizëm funksional të mosbesimit), bie fjala, deputetë të mjaftueshëm do ta nënshkruanin mocionin e mosbesimit dhe qeveria do binte. S’do pritej e 2029-a, por brenda javës. Pastaj një qeveri “kujdestarie” do e merrte drejtimin. Të njëjtët votues do i ri-vizitonin kutitë e votimit dhe, nëse mendimet e tyre t’jenë ato të njëjtat (e para 1 vitit), e njëjta parti do fitonte rishtas. Pastaj do vinim aty ku u nisëm, veçse kuptohet 1 vit më mbrapa në kohë dhe duke e “rrëzuar një qeveri kot” : )

Pra, “butoni” i përshpejtimit nuk na e jep ndonjë rezultat tjetër, na e jep një rreth-o-ciklim demokratik më të shpejtë. Dmth. shpresa riciklohet më shpejtë. Butoni i përshpejtimit demokratik nuk i ndryshon votuesit – ndryshon vetëm fakti sa shpesh u kërkohet atyre të votojnë. Në Holandë “butoni” do t’thotë se qeveritë bien relativisht shpesh dhe zgjedhjet vijnë shpejtë. Në Shqipëri, meqë një buton i tillë nuk ekziston, pakënaqësia e njerëzve s’ka si ekspozohet më bindshëm e më bujshëm… por në shesh. Asnjëri sistem nuk është më i mirë se tjetri – ekziston vetëm dallimi sa gjatë duhet pritur para se t’mund ta provojmë rishtas.

***
Si protestues, e ke parë (jo)efikasitetin e qeverisë tënde për katër mandate rresht dhe sinqerisht beson se është qeveri e korruptuar, dalja në shesh është mënyrë legjitime për ta shprehur mosbesimin dhe pakënaqësinë, për këtë dhe shërbejnë sheshet politike. Protestuesit kanë të drejtë të protestojnë. Në rastin shqiptar, përgjigjja e shtetit është gjithashtu e drejtë – e vetmja mënyrë për ta ndryshuar një qeveri pa DHUNË është përmes zgjedhjeve.

Zgjedhjet qenë mbajtur vitin e kaluar dhe qeveria aktuale pati fituar. Edhe protestuesit kanë të drejtë, edhe pushteti aktual e mbron të drejtën legjitime. Të dyja këto çështje janë të vërteta, asnjëra s’e anulon njëra-tjetrën. Ky është ai kurthi i ironisë politike që e ka pllakosur Shqipërinë – është vetë demokracia jonë e dashur, është vetë marrëveshja jonë politike.

Problemi bazik me demokracinë është se nuk na premton se do t’kemi qeverinë që duam. Na premton se do ta kemi qeverinë që merr më shumë vota (sipas rregullave, që jemi marrë vesh). Pastaj mund të provojmë rishtas më vonë, radhën tjetër, zakonisht pas 4 viteve. Demokracia është sistem për të humbur politikisht me dinjitet, gjëja më e vështirë në politikë – dhe për të cilin aspekt jemi akorduar jokushtimisht.

Zgjedhjet vijnë e shkojnë – ndryshimi rrënjësor dhe radikal nuk është demokratik, dhe as ndryshimi demokratik nuk është ndonjë radikalizim, a zgjidhje radikale politike. Mund ta kemi njërin ose tjetrin, por jo të dy ndryshimet njëherësh. Kjo thjesht është ajo gjeometria e sistemit demokratik që e njohim. Sheshi i protestave dhe kutia e votimit janë dy mekanizma të ndryshëm që nuk përputhen.

Shpesh them se “gjëja më e mirë që na e ofron demokracia është riciklimi i shpresës”. Sistemi demokratik nuk është i përsosur – qëkur s’është i përsosur në vetvete, sigurisht s’mund të jetë as për rezultatet, as për parapritjet. Por demokracia i riciklon shpresat tona. Si shoqëri, kjo ishte ajo marrëveshja jonë politike-demokratike, dhe demokracia pikërisht këtë bën. Demokracia nuk i përmbush “shpresat tona”, thjesht i vë ato në qarkullim. Çdo disa vite, cikël pas cikli, i nxjerrim nga sirtari shpresat, vizionet politike, ua shkundullosim pluhurin dhe e provojmë rishtas. Shpresa jonë ndonjëherë fiton, ndonjëherë humbet, ndonjëherë fiton… e megjithatë sikur kot, prapëseprapë na zhgënjen. Pastaj presim ciklin tjetër për t’ia nisur nga e para.

E njëjta gjë në Shqipëri, e njëjta në Holandë, sistemi demokratik s’është as “difekt” as i përsosur. Sistemi bën pikërisht atë për të cilën punë dhe qe ndërtuar – që t’na e jepë të gjithëve të njëjtën mundësi për t’u zhgënjyer sërish më vonë (herëdokur). Demokracia s’është diç e përsosur, por është sistem riciklues dhe i riciklueshëm. Dhe kjo është më shumë sesa kanë ofruar ndonjëherë shumica e sistemeve gjatë historisë njerëzore. S’ka alternativë për gjoja demokraci më të mirë, ka vetëm alternativa për ndonjë sistem tjetër ku shpresat tona do treteshin në askund. Natyrisht se ka sisteme tjera, por ku “sirtari i shpresës” sonë mbyllet dhe ndoshta nuk hapet kurrë më.

Demokracia është “marrëveshja” më e bukur për të gjithë ne. Sheshi i ka zhurmat e veta, kutia e votimit vendos – nëse humbim, shpresa jonë kthehet në sirtar, pas disa vitesh e provojmë sërish. Demokracia është ajo makineria për të cilën Shqipëria kishte dhe ka nevojë aq shumë. Pothuaj sikur kurrë në historinë e vet shtet-ngrehina shqiptare s’e ka patur shansin ta shijojë mirëfilli. Dekadat e fundit sikur janë “hera e parë e mirëfilltë”. Për fat të mirë, demokracia shqiptare s’ka diç difekte, rrotullohet ashtu siç pati qenë menduar të rrotullohet, siç qemë marrë veshë. Vëzhguesit e EU dhe të mbarë botës i përcjellin zgjedhjet dhe janë bindur për pjekurinë e zgjedhjeve shqiptare.

Afërmendsh, si protestues ke plotësisht të drejtë t’jesh i pakënaqur, i zemëruar, i revoltuar (andaj dhe proteston njeriu), por rrugëdalja politike që e kërkon kam frikë nuk gjendet në sheshin e Tiranës. Asnjë variant i dhunës s’do ishte ndonjë rrugëzgjidhje demokratikisht. Siç e kuptoj unë demokracinë dhe dinjitetin civil të shoqërive demokratike, rrugëdalja gjendet tek zgjedhjet e ardhshme, dhe tek ato që vijnë pas tyre. Demokracia s’është tradhti ndaj zemërimit tënd – dhe kjo ndoshta do jetë gjëja më së paku ngushëlluese për t’u thënë a shkruar si përmbyllje këtu (sepse kërkohet nga protestuesi ta përmbajë zemërimin dhe të merret me pritjen denjësisht). Por kjo është e vërteta më e thjeshtë që mund ta shpreh, njëkohësisht duke e mirëkuptuar zërin tënd të protestës, zemërimin dhe revoltën tënde si qytetar.