Arti (Vizual), Fiksioni, Shkenca, Ajnshtajni… Nobeli!

(…Ajnshtajni, para 100 viteve e deri dhe sot e kësaj dite vazhdon t’i “intrigojë” shkencëtarët e botës – Filmi “Interstellar” i Nolan u publikua në v. 2014, LIGO-projekti i “konfirmoi valët gravitacionale” të Ajnshtajnit në v. 2015…)

S. Guraziu – Ars Poetica, N 2018 (gjithçka e kësaj bote aq e “lidhur”…)

Stelios Mousarris, me ndihmën e 3D-modelimit, dhe i frymëzuar nga filmi “Inception” (2010), i ka shkrepur mendja për “Wave City Coffee-Table”, dhe për “…Dining Table”! Tavolina mjaft të bukura, s’duhet hyrë në hak të idesë. Si 3D-ide dhe s’kushtojnë aq, por si vepra arti, punuar realisht me materialet përkatëse… mund të jenë mjaft të shtrenjta.

Aydın Buyuktas, i cili qenka një grafist dhe fotograf-dronist nga Stambolli, i frymëzuar nga libri “Flatland” (siç mësova), i paska bërë ca seri të fotove ajrore të Stambollit, pastaj i paska “fotomanipuluar” ato përmes Photoshop. Efekti përfundimtar si “mashtrim optik” na i kujton qytetet e lakuara, siç qenë paraqitur në filmin “Inception”, 2010 të regjisorit Christopher Nolan. Për mua 3D-lakueshmëria e tavolinave dhe mashtrimi optik i grafistit turk s’janë as diç e re dhe as aq interesante.

Mirëpo efektet fotoshopike të Buyuktas, sikur dhe “3D-tavolinat” e Mousarris, ma kujtuan aty për aty konceptin e “Inception”, m’i kujtuan Hollivudin dhe skenaristët “avangardë” (të cilët dinë ta “miksojnë” aq bukur shkencën e mirëfilltë me fanta-shkencën – e që kuptohet, madje dhe Ajnshtajni e dinte se ky “miksim” a përzierje është kushti “kyç” për avancime të shkencës REALE), ma kujtuan LIGO-projektin, m’i kujtuan të arriturat shkencore, Nobelat e freskët… etj.

Filmi i Ch. Nolan ishte një “skenar” mjaft kompleks psikologjik dhe fanta-shkencor, prodhim i përbashkët “usa-uk”, në rolin kryesor Leonardo DiCaprio, i cili film si temë e kishte “ndërthurjen” e reales-joreales, ose përzierjen e realitetit dhe të jorealitetit (ëndrrave). “Inception” për shikuesit e sillte një botë ku ëndrrat mund të manipuloheshin, kontrolloheshin dhe koordinoheshin nga ëndërruesi. Personazhet e filmit mund të ndërtonin qytete të tëra thjesht me “mendjen” e tyre, mund t’i sfidonin ligjet e gravitetit “njutnian e ajnshtanian”, sikur dhe vetë ligjet e arsyes dhe të fantazisë.

Përndryshe Christopher Nolan njihet për filmat e tjerë si Interstellar, Memento, Prestige… dhe mjaft të tjerë. Numrin e saktë të filmave të tij nuk e di, unë kam parë vetëm 2 filma të Nolan, në v. 2010 “Inception”, dhe “Interstellar” në v. 2014 (këtë të fundit jo vetëm parë, por dhe pothuaj “studiuar”, kam lexuar dhe skenarin e Nolan, si dhe pata “trasuar” mjaft materiale tjera (si frymëzime eventuale të tij). Sepse më interesonte diç, Nolan sikur ia del ta “provokojë” kureshtinë e shumkujt : )

Sepse “rrëfimi” i Nolan bazohej kryesisht në teoritë shkencore të fizikanit amerikan Kip Thorne (i cili në v. 2017 dhe e mori Nobelin e Fizikës për punën e tij në detektorin LIGO dhe në vëzhgimin e valëve gravitacionale).
Para 1 shekulli tashmë, në v. 1916 Ajnshtajni pati “supozuar” për ekzistencën e “valëve gravitacionale”, në teorinë e Përgjithshme të Relativitetit supozimi i Ajnshtajnit është diç si një “valëzim” i lakimit të hapësirës, e që nga burimi “hipotetik” dmth. përhapet si një valë (ngjashëm siç përhapen valët e ujit). Nga qarqet shkencore, në v. 2015 thuhej se ekzistenca e “valëve gravitacionale” u konfirmua, shkencëtarët thoshin se konfirmimi u arrit në bazë të vëzhgimeve direkte nga 2 aparate njëkohësisht. Qenë ndërtuar enkas për këtë punë 2 mega-aparate, dhe të cilët patën “pritur me durim” të madh me vite e dekada. Në v. 2017, 3 shkencëtarë rreth e rrotull LIGO-projektit u shpërblyen me Nobel.

E qartë, filmaxhiu Ch. Nolan mua dhe ndoshta miliona të tjerë nga mbarë bota na pati “intriguar” me fiksionin e tij.
Ajnshtajni, para 100 viteve e deri dhe sot e kësaj dite vazhdon t’i “intrigojë” shkencëtarët e botës. Filmi “Interstellar” i Nolan u publikua në v. 2014, LIGO-projekti i “konfirmoi valët gravitacionale” të Ajnshtajnit në v. 2015, në v. 2017 filloi “reshja” e Nobelave për shkencëtarët rreth LIGO-projektit. Mrekullia… thua se ia kalon dhe vetë “Inception”!