Orbium Celestium

S. Guraziu, 2012

(Mona Liza “Elementare” – II)

Para Kopernikut heliocentrizmi
aq kaotik, flinte në bisht,
si bakteriet në brushat e dhëmbëve,
atje diku në mustakun egocentrik
të Jupiterit, për gjysmë shekulli
Mona Liza buzëqeshi “djallëzisht”,
pastaj sikur ta kishte parë vetë
Meduza, u ngurtësua përjetësisht,
ashtu e shtangur i premtoi ego-s
(pikturale), tani e tutje çdo gjë
do vërtitet rreth kërthizës tënde,
“orbium celestium” – duhet
një rend i ri heliocentrik për botët
e dalldisura jashtë heliosferës artistike –
por motivi i protestës në vetvete
se ç’kishte diç fetishiste – për fluturat
s’është “egoizëm” joshja e dritës,
pse pra të mbyllet një buzëqeshje
në Metropolitan, në Louvre, në
vakuum, në ndonjë dhomë gjumi,
kur s’ka gjë kontradiktore statusi im,
as kjo mrekulli e qetë, enigmatike,
që i kullufitë ëmbël të gjitha shikimet,
vallë paskan faj me miliona shpirtra
që tinëz ma thonë çdo ditë “you’re
sexy, and you know it”, pa le të tjerat,
mos ta shpalosë tani secilin sekret,
çdo befasi shpirtërore ndër shekuj.

majtas, “Mona Liza” në Louvre – djathtas, versioni i mëhershëm i Lisa del Giocondo… nga Leonardo Da Vinçi, rreth 1503-1506