Post-Poetika e Ëndrrës

S. Guraziu, 2012

(Mona Liza “Elementare” – I)

Buzë piramidës së qelqtë
Mona Liza shtiret si statujë
e mermertë, si Venerë
fildishi në shesh, s’ka ikur
nga Louvre… i duhet
ajri i pastër, i duhen rrezet,
pak diell – sytë i shpërthejnë,
diç si qumësht bazalti
derdhet faqeve, qafës,
gjokset si kupola të tulatura
nisin e ngjallen, si fontana
të Trevit, nga “quattro fiumi”
mezi ngopen – symbyllur më
drejtohet – njomi buzët i lirë,
pi nga lotët e mi, mos ngurro,
etjen e shpirtit tënd e njoh,
ende ka freskinë limfatika
e gjoksit, lobula e enjtur,
stroma në mua, por besomë,
në luftën e fundit diç e ëndrres
është tretur, si pikturë
post-traumatike kam ngelur,
anise thellë zëri yt më flet,
për botën rri aty, ekspozim
për inat, mos lëviz, kujtimet
të mbajnë vertikalisht,
e denjë për përjetësinë,
secilën ditë me diellin e syve
lahesh, me rrezet diç e jotja
kthehet në pafajësi.