Baladë për Zgjimin

S. Guraziu, 1998

O lot i valë i nënëlokës ilirike, lot djepi e strehe,
kocka t’përziera me kurora, me dheun e pafajësisë,
lahuta në gozhdat e ndryshkura, odave të kohës,
këngë e unit, zemër e harlisur, mall stërgjyshor,
ja po zgjohen rojet e dritës, agimeve t‘përflakura
si – eshkë e shpirtit t’baballarëve poreve të lashtësisë
dhe – vulë e pagjurmë, ballëhapur, feksim krenarie
si – fjalë e kulluar urtësie, fortesë e besnikërisë
dhe – kalitur, rrahur në kudhërat e fisnikrisë së fisit
si – qëndresë e pathyeshme në istikamet e përskuqura
dhe – zemër bujarie, peshqesh në altarin e nderit.

1998, CH – Zvicër


Notë:
Trimave, guximtarëve patriotë, shpirtit revoltues sporadik dhe filizave të parë të qëndresës së hapur për lirinë e Kosovës, nën “ish-Jugosllavinë” millosheviçiane – vjershë kushtuar dikur sakrificës dhe ëndrrave të pionierëve si gurthemel moral i ushtrisë së ëndërruar… ndoshta një shekull të tërë, të Kosovës si shtet i lirë!

Fotot: Kryetrimi legjendar… dhe djathtas, pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës – FSK, foto e 2015 ose 2016