Kukullë Amishësh

S. Guraziu, 2011

Kukullë e bardhë pa sy, pa gojë
as buzë… pa fytyrë, gjithandej
më puth – i ndiej buzët në lëkurë,
shoh plot gjurmë, por as buzëkuq,
kontura buzësh, vetëm ca
shenjash blu, si luminol policësh,
oksidant, grimca kristalidesh –
vallë ç’të jetë – e pyes Holmsin
në mua, ekspertin kriminalistik,
detektivin për puthjet e paligjshme
poetike – hemoglobina e ëndrrës
bën dritë, nënlëkura alienike,
hipoderma fosforike, ndonjë
“magji” e padëgjuar kimike, cilado
të jetë… dëshmi mjaft e trishtë!

Klith i tmerruar – pasqyra u lëngëzua
dhe m’u hodh fytyrës, diç e shpuploi
errësirën, isha tani në dritë, i zgjuar
si një bust i fildishtë, mumje e bardhë
gjysmake, torzo mermeri në shtrat,
një kokë guri e rëndë… pa fytyrë!