Feminizmi “elektrik” i Evropës – “Victoria” e Bond!

S. Guraziu – Ars Poetica, 2017 (Koment)

Dy dekada më parë violinistja Vanessa Mae e pati elektrizuar “Stuhinë” e Vivaldit si askush deri atëherë. Sot pothuaj të gjitha “vajzat elektrike” të Evropës e kanë Stuhinë në repertoarin e vet. Vanessa mund të mburrej dikur, ishte se ç’na ishte, tani s’është më e “vetmja”, pas saj panumër “Duo”, “Trio” e “Kuartete” vajzash me instrumente elektrike u shfaqen anembanë Evropës dhe në mbarë botën.

Muzika klasike të shumtën e rasteve sikur s’mund të imagjinohet pa violinën, mirëpo po ashtu, muzikat klasike sikur s’kanë vend për “violinat elektrike”. Këto të fundit përdoren kryesisht nga muzikantë joklasikë, në zhanre të ndryshme, si rock, hip-hop, pop, synth-pop, jazz dhe në muzikat eksperimentale. Ose, sëpaku kështu pandehim ne, kështu na e thotë mendja.

Në vitin 2000 u shfaq kuarteti “Bond” (diç si bashkëpunim vajzash australiano-britanike), debutimi i tyre ngjalli polemika e reagime të çuditshme e herë kontradiktore lidhur me “ç’është muzika klasike, dhe çfarë ajo NUK është”?!
Muzika e tyre qe cilësuar “jo mjaftueshëm klasike”, mirëpo pa vonuar suksesi i tyre do t’ishte i pandalshëm.
Para 6-7 viteve dhe vetë Andre Rieu i pati ftuar vajzat e buzëqeshura të Bond, dhe së bashku e patën ekzekutuar “Victory”. Pothuaj sikur e patën “elektrizuar” gjithë publikun, jo vetëm “gjunjëzimin” e Andre Rieu…

Sot katërshja e bukurosheve Bond krenohen dhe thonë “…vajzat tjera janë imitimi ynë, ne jemi kuarteti origjinal i harqeve elektrike dhe kuarteti elektrik më i shitur në historinë e industrisë muzikore, i kemi shitur mbi 4 milionë albume në mbarë botën, fansat na duan në mi 60 vende të botës…”!

Performancat me “harqet elektrike” sikur sjellin freski muzikale, diç si ëmbëlsi të ritmit dramatik, energji, magjepsje… Tashmë përveç “Bond” të konsoliduara dhe krenare defilojnë lloj-lloj grupesh, kuartete femrash si Asteria (Londër), Spectre (Londër), Palatine (Londër), Sahara (Londër), Asturia (Ukrainë), Electric Angels (ShBA), Destiny (Bulgari), Fortissimo (Greqi), Stringspace (Australi), Amadeus (Rumani)… thjesht sa për t’i përmendur disa sosh, pasi lista mund të zgjatet ndoshta deri në “dysheme” : )

Vanessa Mae – Stuhia, 1997 (nga “4 Stinet” e Antonio Vivaldi)

Andre Rieu & Bond – Victory
https://www.youtube.com/watch?v=AbaNGU1CrXI