Pikturat e Gustav, Ernst Klimt dhe Franz Matsch në Rijekë të Kroacisë!

S. Guraziu – Ars Poetica, P 2019 (Rijeka – Kryeqytetit Evropian i Kulturës, 2020 – pak fjalë)

Rijeka, siç e dimë nuk është kryeqyteti i Kroacisë (kryeqytet është Zagrebi) ama qyteti i Rijekës me krenari e mban titullin “Kryeqytet Evropian i Kulturës për v. 2020”. Pra s’është pak, përkundrazi, sidomos kur flitet për arenën evropiane.
Andaj qyteti i Rijekës pati filluar me përgatitjen e një sërë projektesh që synojnë përparimin kulturor dhe përmirërsimin e përgjithshëm të qytetit. Një nga projektet qe planifikuar të jetë ekspozita e Muzeut të Qytetit, që do t’përfshinte prezantimin e pikturave të piktorëve austriak, nga vëllezërit Klimt dhe nga Franz Matsch, punuar dikur nga ta për Teatrin Kombëtar Kroat “Ivan Zajc” në Rijekë.

Sa i përket piktorit Gustav Klimt, kroatët thonë se ishte një nga artistët më të famshëm në botë dhe se jeta e tij profesionale e private është hulumtuar e përshkruar mjaftueshëm, pothuaj tërësisht. Megjithatë, teatri “Ivan Zajc” në Rijekë ruan një pjesë të karrierës së tij të “eksploruar me modesti” – vetë fillimin e karrierës.

Për t’siguruar ekspozimin optimal të pikturave të tyre, Instituti Kroat i Konservimit do t’i çinstalonte ato dhe do t’fillohej me hulumtimin e konservimit. Deri në v. 2020 do duhej të përfundonin punët rreth konservimit të plotë të veprave. Hulumtimi do t’përfshinte të gjitha shkencat e mundshme dhe top-ekspertizat, skanime të spektrit IR dhe UV, si dhe aso “X-ray imaging”, nëse e nevojshme do kryheshin dhe analizat laboratorike të pigmenteve etj.

Fillimi i konservimit të këtyre veprave do duhej të ishte dhe si “përputhshmëri simbolike” me 2018-ën, “Vitin Evropian të Trashëgimisë Kulturore”, por dhe me përvjetorin e 100-vjetorit të vdekjes së Gustav Klimt. Deri në v. 2020, Instituti Kroat i Konservimit qe zotuar të mblidhte dhe gjërash të tjera që do pasuronin historinë e Rijekës, “Kryeqytetit Evropian të Kulturës, 2020”.

Gustav Klimt, së bashku me vëllain e tij, Ernst dhe një mik të vjetër Franz Matsch, e patën formuar atëherë një shoqatë artistësh (të ashtuquajtur “Die Künstler – Compagnie”). Ata e filluan bashkëpunimin me firmën arkitektonike “Fellner und Hellmer” (specializuar për ndërtimin e ndërtesave teatrale), dhe piktorët e rinj e patën pranuar komisionin për pikturat e teatrit të Rijekës. Pikturat qenë punuar në Vjenë, dhe pas një ekspozite të shkurtër në Muzeun Historik të Artit, u transportuan dhe qenë instaluar në Rijekë.

Sipas tekstit të kroatëve, atëbotë gazeta “Neue Freie Presse” i paskësh pritur pikturat fort pozitivisht dhe thuhej “tre artistët me famë duhet të autorizohen së shpejti për t’ekzekutuar punë të ngjashme dhe në Vjenë”.

Sipas meje ashtu dhe pati ndodhur, unë vetë pata shkruar se “… ende s’e kishin famën e Mikelanxhelos as të Rafaelit, dhe nga shteti austriak (në “Burgtheater” të Vjenës) qenë punësuar si “grup” artistësh. Ama, larg keqkuptimeve, jo se na ishin më të “dobët” sesa Mikelanxhelot a Leonardot e kësaj bote, por thjesht ende s’kishin patur shansin ta gjenin një tavan që ia vlente, për ta mahnitur botën. (Jo se tavani i teatrit të Rijekës na kishte diç mangut, thjesht Rijeka s’ishte Kryeqytet Perandorak, Rijeka s’ishte ajo Vjena e “stileve perandorake” dhe e famozitetit, Rijeka s’është madje as sot e kësaj dite “kryeqytet” : ) Pikturat në tavanin e “Burgtheater” të Vjenës e “përshkruajnë” historinë teatrale që nga antikiteti e deri…” etj etj.

shih dhe:
Teatri “shekspirian” i Gustav Klimt, dhe Nudistika Imagjinare! – S. Guraziu – Ars Poetica, Sh 2018

– Gustav Klimt (1862-1918) – Teatri Antik në Taormina, 1886 (Burgtheater, Vjenë)

– Gustav Klimt (1862-1918) – Teatri mobil i Thespisit, 1886 (“Thespiskarren” – Burgtheater, Vjenë)

[ Fotot dhe Info: Teatri Kombëtar Kroat “Ivan Zajc”, Rijekë, Kroaci – faqja zyrtare ]