SG – Anës së përtejme (të gjuhës), 2012

ANËS SË PËRTEJME (TË GJUHËS)
S. Guraziu, 2012

(në driza janë gjarpijt e zez / e rrijnë buzë në buzë / e rrijnë buzë në buzë, / e jeta e tyne asht e bardhë… – Martin Camaj)

Për hir të frymës që gjithë jetën
jua fala, sot, ju germa të zeza
do doja… t’ishit të bardha.

***
T’na qëllonin me penat drejt
e në sy, do ishte akt më fisnik,
madje dhe diç si ngushëllim,
p.sh. Homerin s’e vrisnin
germat… në verbërinë e tij.

Anës përtej, “buzë në buzë,
në driza” serpentë djerrinash,
zvarranikë ligatinash, zezona
fsheh mjeranë që as idenë si
merrni frymë ju… nuk e kanë.

Por ja që dinë ta shkrepin, secili
e ka një gisht të marrëzisë – me
plumbash gome vrasin poezi,
vrasin zogj e miqësi, çdo gjë që
vret gomëzeza… e hipokrizisë.

Germat e tyre vrasin shqip, me
paramendim, gjithçka që merr
frymë, me gjuhëzezën e ligë,
gjuhës më të ëmbël, gjuhës së
perëndisë… ia vrasin pafajësinë.