J. W. Beyer – Fontana e Neptunit (Schönbrunn, Vjenë)

J. W. Beyer (1725-1796) – Fontana e Neptunit (Kopshti i Pallatit Schönbrunn, Vjenë)
S. Guraziu – Ars Poetica, P 2019

(…dihet se Zeusi ishte zot suprem, njëkohësisht Kryezot, zot i madh mashtrimtar, por dhe transformer a metamorfogon i paparë. Herë kthehej në ndonjë dem, herë në diç si skifter, mirëpo kësaj radhe si duket vetëm një detaj paskësh harruar ta “transformonte”…)

Thuhet se ngasja e Neptunit nëpër det (si simbol i vjetër që nga koha e “mitologjikave”, si simbol i kontrollit mbi elementin ujor) është motiv që gjendet gjithandej në artin e shekujve XVI-XVIII. Skenat “neptuneske”, qoftë nëpër pikturat a në skulpturat përdoreshin si simbolikë për fuqinë e perandorëve, mbretërve apo në përgjithësi për monarkët që e kanë fuqinë sunduese dhe fatin e popujve në duar, që me vendimmarrjet e tyre politike i caktojnë rrjedhat e “historisë”, ose shkurt… e kontrollojnë fatin e kombeve të tyre.

Pasi kuptohet, aq e lehtë s’ishte as për mbretërit a perandorët. Të vendosësh për fatin e popullit gjithmonë ishte dhe ngelet përgjegjësia më “ultime”. Shpesh një vendim i pamatur, a një lëvizje e gabuar politike-diplomatike, dhe konsekuencat do t’i mbante populli në kurriz… ndoshta me shekuj tutje. Tjetër është se historia njerëzore shpesh kishte dhe mjaft “papërgjegjësi”. S’e mohon kush se kishte dhe monarkë të dehur nga “ego-istikat e nga arrogancat” aq sa ndonjëherë totalisht sundues të papërgjegjshëm. Jo nga të gjithë mbretërit dhe jo gjithmonë është vendosur për gjërat jetike të popujve me aq “mençuri”, ndonjëherë kishte dhe gjykime e “vendime” katastrofale. Sidoqoftë kësaj dhe mund t’i rikthehemi pakëz më vonë.

Kur themi “Neptuni” dmth. nga korniza jonë kohore njeriu i referohet mitologjisë romake, mirëpo asgjë s’ndryshon me faktin që fjala është për të njëjtën figurë hyjnore greke (për ekuivalentin e mitologjisë “pararendëse” greke, Poseidonin). Ashtu-kështu kur flitet për cilindokend të mitologjikave fjala gjithmonë do jetë vetëm “simbolikisht”, si referencë simbolike, supozoj kjo dhe vetëkuptohet. Njësoj, bie fjala siç u referohemi dhe simbolizmave e metaforizmave të artit.

Në rastin e “Fontanës së Neptunit” në Schönbrunn, pothuaj secili detaj është “simbolik” dhe kompleksi sikur ka aq shumë gjëra të ndërlidhura, i gjithë kompleksi skulptural është i stërngjeshur me alegoritë artistike (dmth. duke u bazuar në “domethëniet” mitologjike). Është diç si “thuktim” mitologjik… jo me kronikat e metamorfozat, jo me “homeriadat”, me gjuhën e librave e të germave, por me gjuhën e mermerit, me gjuhën e mjeshtrisë e të artit, me gjuhën e figurave skulpturale. Andaj mendoj se ia vlen të flitet për ndërlidhjen sadopak më gjerësisht.

Planifikimi i Kopshtit në Schönbrunn ishte rezultat i bashkëpunimit mes Johann Wilhelm Beyer (skulptor gjerman) dhe arkitektit të oborrit mbretëror, Johann Ferdinand Hetzendorf von Hohenberg. Nga aspekti skulptural, Fontana e Neptunit konsiderohet të jetë monumenti kurorëzues i Schönbrunn, ose më mirë të thuhet, qe projektuar të jetë monumenti kurorëzues i Parterrës së Madhe. Qe porositur nga Perandoresha Maria Theresa, punët patën filluar në v. 1776 dhe qenë përfunduar brenda katër viteve (pak para vdekjes së perandoreshës). Grupi skulptural qe ekzekutuar pra nga studioja e J. W. Beyer.

Për ta kuptuar simbolikën e “detit”, pastaj Poseidonat a Neptunat, të dashurën e tij, nënën e Akilit, nimfën Thetisa dhe (siç e përthekonte mitologjia) lidhjen me “tokën” (ku dhe ndodhen realisht mbretëritë, pasi e qartë, pallatet perandorake e as mbretëritë e njerëzve të vdekshëm nuk “ndërtohen në det” – tjetër janë Tritonat e Atlantidat, këto janë kapitull mitologjik në vete…) mbase duhet folur sadopak dhe për vetë mitet e legjendat e lashta, qofshin greke a romake.

***
Sidoqoftë, mënyra e “racionalizimit” tim me mitologjikat i ngjanë pakashumë racionalizimit të Palapatusit të Greqisë së para Erës Sonë. Nëse t’isha në kohën e Greqisë së atëhershme padyshim do ta pësoja rëndë. Do më kishin dënuar, syrgjynosur e dëbuar deri diku larg… në akullnajat e Siberisë. E them pa shaka, do ta pësoja më keq sesa vetë Anaksagora i ngratë, atë e patën ekzilosur pa mëshirë. Paradoksologët e kohëve moderne e dinë shumë mirë, do ta kisha pësuar që ç’ke me të.

Por jo vetëm unë si racionalizues i pakompromis, do ta pësonte dikur dhe vetë Palapatusi i Greqisë. Mirëpo si duket emri i tij ishte një pseudonim, shkollarët thonë se ishte emër tepër i rrallë dhe i çuditshëm, padyshim do ketë qenë ndonjë pseudo-emër i përdorur mençurisht nga dikush. Problemi atëherë e edhe sot është që askush s’e dinte kush na ishte Palapatusi… andaj dhe pati shpëtuar sa u përket racionalizimeve të veta. Paradoksologët e dinë saktë se ç’jam duke thënë, pasi paradoksografia është një zhanër i letërsisë klasike që merret me studimin e shfaqjeve të fenomeneve të pashpjegueshme të natyrës ose të botës njerëzore. Mitologjia dmth. është fusha më ideale për lërimin e paradoksografisë.

Fatmirësisht, fati deshi t’jetë në anën tonë, fat sepse jemi në kohën e lirisë. Mund t’i shprehim idetë e skepticizmat lirisht, në kohën “tonë” s’na gjenë gjë. As që i lexon kush madje, s’i bëhet kujt vonë ç’shkruaj unë. Andaj s’kam pse mërzitem, thjesht pata dëshirë ta cekë që nëse ta kisha “shkapuritur” mitologjinë kështu dikur në kohën e Platonit a të Aristotelit, ndoshta as ata vetë, sado të mençur, të mëdhenj e me influencë s’do t’më shpëtonin : )

Perëndia i detit, Poseidoni i përkiste panteonit të “perëndive olimpike” (për hir të “fontanës… tematike”, meqë po flasim për Fontanën e Neptunit, tani bën ta zëvendësojmë Poseidonin me Neptunin). Mirëpo ai nuk “jetonte” në Olimp, s’i kishte pallatet e veta në malin e perëndive. Aty ishte ujdisur, si të thuash një lloj “parlamenti hyjnor”, qeveriste Zeusi si kryezot, si zot suprem. Ai kollitej për gjithçka të universit. Postin e kryzotllëkut (diç si Prime-Ministër) Zeusi e pati fituar me bast, thjesht i pati ecur fati. Siduket dhe zotave të mitologjisë u duhej nganjëherë fati.

Natyrisht, Neptuni i kishte të gjitha privilegjet e Olimpit. Nëse pallatet olimpike t’kenë patur dyer… të gjitha dyertë rrinin hapur për të, mund të endej kah të donte, s’kishte odaja sekrete për zotat. Mund t’ishte si fqinj i vëllait, Zeusit, ta kishte vilën aty ngjitas. Por jo, pati zgjedhur ta kishte pallatin e vet të artë diku në fund të detit a të oqeanit.

Në rregull, zgjedhja e tij, ashtu i pëlqente… S’donte t’ishte fqinj i Zeusit, mirëpo të dashurat e nimfat aty-këtu i qëllonte t’i ndante me të. Diç e tillë, si dashnore e përbashkët neptuniane-zeusiane pati ndodhur t’na ishte askush tjetër por vetë Thetisa, nëna e kryetrimit të luftës së Trojës, nëna e vetë Akil zemërluanit, vrasësit të Princ Hektorit.

Ja pse Thetisa ka zënë “vend” në fontanën e Schönbrunn, sepse ishte e dashura e Neptunit, dhe nëna e Akilit (anise jo nga ai – as Neptuni as Zeusi s’ishin “babai” i Akilit, sepse dhe vetë ata si zota kishin “frikë”, kishin paragjykime. Që të dy patën dëgjuar që një fëmijë i bukuroshes Thetisa do ia “kalonte babait për nga fuqia”… dhe hooop, vëllezërit-zota na u zmbrampsën, i morën masat. As Zeusi as Poesidoni s’u martuan me të, e distancuan dhe ia “kënduan” ca magjira e dredhira që të martohej me babain e Akilit, me babain e vdekshëm.

Për krye-arkitektin e oborrit mbretëror (ose për mbikqyrësin e punëve rreth fontanës) si dhe për skulptorin gjerman Beyer sot mund ta shtronim pyetjen: “vallë pse duhej nimfa Thetisa, nëna e Akilit të figuronte aty përkrah Neptunit, e jo gruaja legjitime e tij”?
Pasi mjaft e çuditshme përzgjedhja e subjekteve nga skulptori Bayer. Neptuni qe martuar me një tjetër nimfë, me dikend si e “bukura e detit” që quhej Amfitrita. Ajo ishte gruaja legjitime dhe me të cilën i kishte madje katër fëmijë, tri vajza dhe vetë Tritoni ishte djali i tyre. Neptuni ia pati bërë me “hile” nënës së Akilit… pse pa duhej Thetisa në Schönbrunn, ç’kërkonte nëna e Akilit aty!?

| – – – v i j o n – – –

Pallati ose Kështjella Schönbrunn (ndodhet në perëndim të Vjenës, në lagjen Hietzing) konsiderohet si një nga “pikat” më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore dhe të krenarisë austriake, që nga vitet 1960 ishte atraksion dhe ende është ndër vendet më të vizituara të kryeqytetit.

Fotot: Alexander E. Koller
Infot & Referencat:
– Schönbrunn, Wien (faqja zyrtare)
– Erwin Frohmann, Rupert Doblhammer
– Schönbrunn. Eine vertiefende Begegnung mit dem Schlossgarten, 2005
– Jacob Stern – “Heraclitus the Paradoxographer: ‘On Unbelievable Tales’, 2003