Shpirti si “cantus” zogjsh – Rrugëtimi kabaistik!

S. Guraziu – Ars Poetica, Sh 2016 (Përsiatje – refleksione, ndërlidhje tekstuale me poetiken e “Drama e Zogjve” të Aleksandër Peçi)

Është diç si privilegj nëse për një kompozim të caktuar muzikor ndjehemi të kapur “për dore” nga vetë kompozitori, tashmë nëpërmjet ndihmës autoriale, nëpërmjet introduksionit, nëpërmjet guidës profesionale… dhe që na udhëheq përgjatë shtegut të përjetimit.
Pasi që, kuptohet, gjuhën e zogjve në pyll, para se ta kuptojnë të tjerët, aty për aty e kuptojnë vetë zogjtë Diç e natyrshme dhe afërmendsh, gjuhën e zogjve më së miri e kuptojnë zogjtë. Pra, sa për zogjtë, kur është fjala për komunikimin poetik-muzikal, atyre s’iu duhen fare “guidat”.

Në rastin tim, introja e z. Peçi, për “Sonata Nr. 1 për piano – Drama e Zogjve” më bëri të vetëdijshëm që pa “guidën”, vetëm duke “lexuar” me veshët… për disa nuanca do ngelesha më i varfër. Sigurisht, nuk ma mohon kush pafajësinë, por desha të them që pa “guidën” sikur shumçka do më shmangej e humbej diku prapa veshëve, as pa qenë i vetëdijshëm. Sepse edhe tingujt “fluturojnë” e na ikin. Ose na anashkalojnë, ndoshta sepse disa gjëra vijnë në jetë sipas ligjeve të caktuara, sipas parakushteve të caktuara të cilat pritet nga ne t’i kemi bërë gati.

[ Zhurma si “muzikë”, dhe muzika si “zhurmë” ]

Varësisht nga sa i kuptojmë disa segmente “brenda” muzikës (apo sa nuk i kuptojmë), këtë mangësi zakonisht e konsiderojmë si jopërgatituri, si deficit personal, si mosinteres, si mospërputhje shijesh etj. etj. Rrallë, tepër rrallë i “akuzojmë” vetë muzikat. Zakonisht i flasim vetes dhe i sjellim në mendje shijet tona, gjërat që na pëlqejnë, ndonjëherë ato që s’na pëlqejnë, mendojmë për “disponimin”, për muzikalitetin e veshëve e të zemrave… Por duke i lënë muzikat “rehat”, duke e marrë gjithë “fajin” për vete sa u përket shijeve, preferencave etj.

Muzikat na vijnë të këndshme, i përjetojmë si diç e këndshme, nuk i definojmë kurrë si “zhurmë”. Por athua vallë pse nuk i përjetojmë si “zhurmë”?
Mos ndoshta sepse të këndshme – dhe kaq na mjafton. Apo ndoshta thjesht sepse na e ofrojnë njëfarëlloj “qartësie”. Ndoshta pavetëdijshëm, muzikat gjithmonë i marrim, i përjetojmë si qartësi tingujsh.

Nga ana tjetër, jo gjithçka që dëgjojmë, ashtu tek vibrojnë membranat e veshëve tanë, medoemos është, ose duhet të jetë “qartësi”, dmth. s’do jetë as muzikë. Nëse jo, atëherë pse jo? Mos vallë të jetë kompleksiteti ai që shkakton “paqartësinë”, dhe tutje gjërat na vijnë si “zhurmë”? Apo thjesht është joharmonia e tingujve? Apo ndoshta diç e tretë, diç e katërt… apo të gjitha së bashku, apo ndoshta dhe fare diç tjetër? Unë vetë nuk e kam idenë.

Sa për vete, që nga kur di për veten, dëgjoj vetëm gjëra që më pëlqejnë. Meqë ra fjala, mund t’më duken të këndshme dhe ato “hoooi-aaaa-hooootë” e apaçëve tek hedhin valle ashtu të përhumbur a në “trans”, rreth e rrotull zjarrit. Se ç’kanë diç të ngrohtë, diç mistike… përherë më ngjallet buzëqeshja kur i dëgjoj. Them buzëqeshje sepse nuk i kuptoj, e megjithatë sikur e kanë një lloj “qartësie”, sikur e ndiej njëfarë qartësie, anise dmth. pa kuptuar asgjë. Pra thjesht sa për ta përmendur ndonjë shembull bazik.

Por shmangem dhe rri sa më larg zhurmave, prapë meqë ra fjala, ta zëmë të aso grupeve ekstreme si “heavy metal” e të ngjashme.
Vallë e si nuk qenka “zhurmë” një përzierje e tingujve të egër metali, e quajtur “thrash”, “death metal”, “grindcore” (për disa gjëra shqipja sikur është aq e “prapangelur” : ) Si mund të shkohet aq larg sa të pohojnë se “zhurmat” e tilla qenkan ose na paskan stil unik? Atëherë sikur detyrohemi te pyesim vallë ç’na qenka vetë “stili” pra? Tutje, si mund të jenë këngë kur tekstet e tyre flasin përherë për vrasës serikë, pastaj për vrasës në masë, për dhunime, për gjëra jashtëzakonisht banale… dhe ku gjithçka përshkohet me humorin më të sëmurë që ekziston mbi rruzullin?!

Por ja që, sipas fansave zhurma e tyre është muzikë e përtej muzikës. Nëse zhurma e tyre është muzikë për fansat, atëherë pse vallë nuk është dhe për mua?! Pakëz e çuditshme, i kuptoj tekstet dhe muzikat e “metalistëve” pothuaj plotësisht, e megjithatë më vijnë ose i përjetoj si zhurmë! Apaçët nuk i kuptoj asfare, e megjithatë ma ngjallin buzëqeshjen dhe mund të kënaqem me këngëtimin e tyre!

[ Ndihma për ta “kuptuar” zhurmën… ]

Le t’largohemi për pak… larg muzikave. Le t’i harrojmë zogjtë e pyllit e cicërimat e ëmbla, le t’i lëmë anash ariet e meloditë, të gjitha gjërat e këndshme muzikale. Le të flasim për vrazhdësinë e ndonjë diçkaje që e regjistrojnë veshët tanë.

Ndonjë mokër mulliri, ashtu me monotoninë e vet, fare lehtë do t’na vënte në gjumë si ninulat e ëmbla, meqë në vazhdimësinë e saj ritmika sikur fillon e ëmbëlsohet për veshin. Tjetër, nëse t’i pyesnim bretkocat, sa u përket koncerteve të bujshme moçalike – sipas tyre, ato fare nuk bëjnë “zhurmë”. Po t’i pyesnim gjinkallat e fushës, ndoshta njëjtë do t’na përgjigjeshin. As bretkocat as gjinkallat s’do ta pranonin që këngëtimi i tyre, le që është bezdisje, kakofoni e pashije, por dhe zhurmë. Ne audienca, për fat të keq s’kemi si ta definojmë ndryshe pasionin e tyre koncertal… përveç si zhurmë. Hm, duke bërë kështu, mos vallë dhe hyjmë në “hak” të lloj-lloj krijesave, si muzikante të pakontestueshme që na qenkan? Mirëpo, s’kemi si ta dimë.

Se faktori i relativitetit ka rëndësi, kjo qëndron, por sa më shumë “paqartësi”, ndoshta pikërisht atëherë kemi prirjen t’i përjetojmë si “zhurmë”. Mirë, në rregull, por ç’na qenka vetë zhurma? Si t’i definojmë pra zhurmat, qoftë dhe teknikisht, me gjuhën më të “ftohtë”.

Fjalori prestigjioz “merriam-webster” sa i përket “zhurmës” për botën anglishtfolëse i ofron sqarimet si vijon:

1) diç e zëshme, e hutuar (përhumbur), ose thirrje e pakuptimtë dhe pa ndjenjë, klithmë
2) a – zëri; sidomos i tillë që i mungon cilësia e pranueshme muzikore apo që është dukshëm i pakëndshëm – b – çdo tingull që është i padëshiruar ose që ndërhyn në dëgjimin e dikujt për diçka – c – sinjal i padëshiruar ose një çrregullim shqetësues (si diç statike ose si një variant i tensionit) i një pajisjeje elektronike apo instrumenti (psh. radio ose televizioni) – d – rrezatim elektromagnetik (si valë drite apo si radio-valë të lehta) që është i përbërë nga disa frekuenca dhe që përfshin ndryshimet e rastit në frekuencën ose në amplituden – e – info, të dhënat e parëndësishme ose të pakuptimta, apo emitim që ndodhë së bashku me informacionin e dëshiruar
3) të folurit e zakonshëm: thashetheme; në veçanti: shpifjet, përgojimet
4) diç që tërheq vëmendjen
5) diç e folur ose e shprehur
6) një stil i muzikës rock që është shumë i zëshëm, shpesh i vrazhdë, dhe zakonisht e përdor zhurmën elektronike (si prapaveprim)

Ndërsa fjalori shpjegues i shqipes së sotme “zhurmën” na e sqaron si vijon:

1) Zëra e tinguj të çrregullt e të përzier, zakonisht kur përplasen a fërkohen sende njëri me tjetrin, kur punon një makinë ose një mjet tjetër, kur pëlcet diçka, kur lëviz, shtypet a thyhet ndonjë gjë etj.; krismë, rrapëllimë. Zhurmë shurdhuese. Zhurmë e lehtë (e mbytur). Zhurmë hapash. Zhurma e erës. Zhurma e aeroplanit (e traktorit, e makinës, e rrotave të trenit). Zhurmat e pyllit. Zhurma e ujit (e përroit, e detit). Zhurma e lopatave. Zhurma e armëve. Bën zhurmë. Ra (u shemb, u përplas) me zhurmë. Hyri (u ngjit) pa zhurmë. Pushoi (u pre) zhurma. Nuk dëgjohej asnjë zhurmë.
2) Britma e thirrje njerëzish që grinden ose që flasin njëkohësisht, zëra të ndryshëm të përzier e të çrregullt që të vrasin veshin, potere. Zhurma e nxënësve në klasë. Zhurma e dasmorëve. Ka shumë zhurmë. Mos bëni zhurmë! Pa zhurmë!
3) spec. Tinguj të çrregullt që lëshohen nga aparate të posaçme për të penguar dëgjimin e radios etj.; tingëllim i çrregullt e jo i qartë i zërit që del nga një radio a nga një aparat tjetër. Zhurma e aparatit radiomarrës. Zhurmat e zhurmuesit. Zhurma e radios (e stacionit).
4) mjek. Tingull që nuk shfaqet me tone të qarta. Ka zhurmë në zemër.
5) keq. Diskutim i madh e i fryrë, që bëhet qëllimisht në shtyp etj. rreth një njeriu, një vepre a një çështjeje për të tërhequr vëmendjen e njerëzve, për të mashtruar, për t’u dukur etj.; bujë. Zhurmë demagogjike. Zhurma e propagandës borgjeze (revizioniste). Prirje për bujë e për zhurmë. Pa zhurmë e pa bujë. Bën shumë zhurmë. E shpallën me zhurmë.

[ Turbullirat dhe pafajësia e audiencës ]

Sidoqoftë, kuptohet duke mbetur mirënjohës për ndihmën e fjalorëve, ndoshta zhurmat s’janë asgjë tjetër por diç si “turbullira” tingujsh. Them turbullira… sepse si të tilla s’na flasin gjë. Turbullirat s’kanë transparencë (përndryshe dhe s’do quheshin ashtu – na e thotë logjika). Megjithatë koncertalja e bretkocave është zero në krahasim me ndonjë shembull më ekstrem, ta zëmë me “muzikën” avionëve. Këtu, e kisha në mendje zbutjen e “decibelazhit”, teorikisht – aq sa gjithçka të ishte e durueshme për veshët tanë. Nëse jo tani turbullirë e tmerrshme, padyshim do ishte një “turbullirë” e jashtëzakonshme. S’marrim “vesh” gjë nga muzika motorike, absolutisht. Mbase veshët tanë janë tepër të vegjël për të procesuar turbullira aq të dendura.

Për hir të shembullit, le t’supozojmë se veshët tanë e kanë fuqinë e tillë analitike – nëse të hidhej në kartë secili instrument i “orkestrës” motorike, secili dhëmbëzor, secila fletë turbine, pra duke e shtrirë për së gjeri e për së gjati gjithë gamën e valëve sonike, padyshim do ta kishim të qartë edhe “muzikën” e tyre marramendëse.

Shkurt, çfarë po doja të them është: ndoshta sa më shumë qartësi, dhe vetë “zhurma” (cilado zhurmë) do na kthehej në muzikë. Nëse nuk e kapim kthjelltësinë, nëse nuk e përjetojmë transparencën sikur shumë gjëra ikin e treten diku, paçka se nuk e kemi idenë. Pa qartësinë e “zhurmës” shumçka e harmonisë tingullore do na shmangej diku prapa veshëve tanë, pa qenë fare të vetëdijshëm.

Pse i rendita gjithë këto?
Sepse, lidhur me “pafajësinë”, m’u kujtua pafajësia e audiencës londoneze lidhur me dramat shekspiriane, e përshkruar shkurtazi nga kritiku i mirënjohur letrar, Northrop Frye.

Pa “guidën” e z. Peçi sikur do m’ishte shmangur pjesa dërrmuese e materies poetike. Ngjashëm siç humbisnin sipri kokave të audiencës londoneze metaforat shekspiriane. Punëtorët, shtresat e varfëra që s’kishin patur fatin apo mundësinë për studime, i përcillnin shfaqjet po ashtu (me bileta më të lira, shpesh dhe falas). Dhe atyre, duke mos e patur fuqinë “analitike” e përgatiturinë për t’i kapur finesat shekspiriane, padyshim shumçka iu përvidhej mbi kokat, pa i kuptuar. Ndersa, kuptohet, ata kënaqeshin dhe me aq sa “kapnin”. Shfaqjet teatrale të asaj kohe, e sidomos perlat dramaturgjike të Shekspirit, ishin mjaft të ngjeshura me surpriza për secilën audiencë. Edhe për vizitorët e tillë pra kishte gjërash të panjohura, elementesh kyç që humbisnin diku në “erë”, por dhe kishte mjaft kthesash interesante, bujë e të papritura, segmente argëtuese, tension e mahnitje.

[ Piktura: Angelica Kauffman (1741-1807) – Alegoria e Muzikës dhe e Poezisë, 1782 ]

Angelica Kauffman (1741-1807) – Alegoria e Muzikës dhe e Poezisë, 1782