Thjeshtësia “platonike”, dhe kompleksiteti i thjeshtësisë!

S. Guraziu – Ars Poetica, 2012 (Ese – Vështrim eseistik…)

Jo gjithkush ia del t’jetë një “Pikaso” apo një “Mondrian” poetik, të thuhet sa më shumë me sa më pak mbetet gjithmonë problematike dhe e “xigëlueshme”. Minimalizmi në art, në të gjitha llojet e arteve vizuale… e po ashtu dhe në artin poetik sa është i lehtë për ta kornizuar (në dukje), në fakt është akoma më i vështirë.
Nëse të duhej një paralelizim psh. mund të referohemi në pikturat e Mondrian, dhe në anën tjetër në artin e ndonjë piktori të akademizmit klasik, cilindo prej tyre ta merrnim si shembull, pa përjashtime. Do ta kemi të qartë se pëlqimi dhe ndjenja për “minimalizmin” janë absolutisht përbrenda domenit të artit, me gjithçka që arti si i tillë përfaqëson.

Ne rastin e Mondrian do t’i shihnim ca vija e ngjyrash të ndryshme, herë më të trasha e herë të holla, herë tek shtrihen në vertikalen dimensionale (të pikturës, si kornizë e kufizuar krijuese) e herë në atë horizontale, herë ca katrorë tek mbështillen a ndërfuten në njëri-tjetrin, herë tek largohen… etj. etj.
Në pikturën tjetër, të ardhur në jetë si krijim për shtatë vite rresht (ose pesë vite, ose dy, ose katër vite, p.sh. si Mona Liza) do t’i shihnim ndoshta me dhjetra figura të plota njerëzish, të punuara deri në detaje, me ambient e sfond, me vegla, armë apo relikte… me gjithçka të nevojshme për ta rrumbullakësuar “realen” artistike.
Shtrohet pyetja: sa do ta ngopë artistikisht vëzhguesin piktura me tri-katër trakash laramane e Mondrian, dhe sa ajo piktura tjetër?

Është relative si fenomen, vetë “ngopja” si term është term relativist. Qëkur vëzhguesi apo “konsumuesi” i artit në momentin e caktuar është i mbështetur në pathosin subjektiv të eksperiencës, të njohjeve, të kapacitetit, të parapritjeve… dhe çfarë është më e rëndësishmja, të nevojës.
Vetë lindja e artit modern (do ta rrumbullakësoj këtu gjithçka me përspektivën artistike të Pikasos, si “babai” i artit modern) e qartë që ishte rezultat i disa segmenteve – por njëri prej tyre është minimalistika, si koncept dhe si gjendje, paragjendje shpirtërore.

Shumë lexues modernë, shumë autorë dhe kritikë letrar e parapëlqejnë pikërisht minimalizmin. Jo vetëm për arsye të finesës dhe të “thjeshtësisë” (dmth. për t’u përballur me të, për të qenë në të njëjtat valë dhe brenda rrathëve të të njëjtit spektër, për ta përthithur me efikasitet e për t’iu afruar sa më afër).
Madje kam përshtypjen, në “mentalitetin” e letërsisë shqipe, tash e sa dekada sikur dhe është ngulitur si bindje se poezia vetëm si stil e përmbajtje minimaliste duhet të jetë (mendoj, deri në njëfarë mase këtij “mentaliteti” i paraprinë, është e ndikuar nga… dhe është e ndërlidhur me tendencat moderniste fillimisht të poetikes kosovare). Sipas kësaj bindjeje sa më shumë e “krasitur” dhe e përthjeshtësuar përmbajtësisht poezia, në njëfarë mënyre sikur vetëm atëherë është “poezi” me plotkuptimin e fjalës.

Nuk është kjo preferencë vetëm e lexuesve të “lodhur” dhe sipërfaqësor, nuk është vetëm pasqyrë e shkallës-nivelit të “urisë dhe nevojave artistike” të lexuesve. Por dhe vetëdijshëm e vetë poetëve të cilët në një kohë të caktuar kanë zgjedhur e përqafuar një stil që iu përshtatet më së shumti, dhe me të cilin stil ata mëtojnë t’i shërbejnë traditës artistike (po ashtu të përzgjedhur dhe kuptimplote, si subjektivitet).

Kjo “mendësi” a ky pëlqim… të tilla qasje nuk bien ndesh me asgjë, artistët, poetët dhe të gjithë krijuesit në radhë të parë krijojnë për vete. Unë iu qasa këtij vështrimi duke e marrë si shembull minimalizmin në pikturë me qëllimin për të sjell në sipërfaqe një diç të vjetër: “rregullën e artë” të dizajnit artistik. Që moti Platoni e pati rrahur këtë problematikë të thjeshtësisë si koncept, problematikën e minimalizmit përmbajtësor. Thënia e tij, në artin e dizajnit objektual është vetë themeli i të ashtuquajturit “design equilibrium”: “bukuria e stilit, elegancës dhe e harmonisë është në vartësi të thjeshtësisë” (Platoni).

Problemi është, mendoj unë, se piktura e as arti poetik nuk janë “design” në tërësinë e tyre – pasi forma është vetëm njëri nga dimensionet e substanciales artistike. Mund të “gdhendet” stili, figuracioni e metafora por jo dhe vetë substanca e “poetikes”, jo dhe vetë ndjenja. Për më tepër, madje poetikja sikur nuk duron as “rroba”, ajo duhet t’jetë siç lind nudo, e zhveshur totalisht. Është e pamundur por në thelb poetikja sikur nuk e “duron” as vetë stilin, si shtojcë e jashtme. Vetë poeti, figurativisht duhet të zhvishet “cullak”, jo pa asnjë arsye skulptori francez Auguste Rodin e pati gdhendur atëherë “poetin” (ose figurën e famshme të “mendimtarit” ulur) pikërisht lakuriq – sepse vetëm ashtu mund t’i përafrohej brishtësisë, ndjeshmërisë ultime dhe pafajsisë poetike.

Në një skicë që e pata titulluar “Glida poetike e një gjeniu” shkurtazi e pata ndërfutur çështjen e dialektikës artistike duke e lidhur atë me ngjashmërinë e zhvillimeve teknologjike. Në një vend pata shkruar (lidhur me Da Vinçin): “…padyshim ai duhet ta ketë ditur që arti s’rri në vend, as ajri, as poezia dhe asnjë shkencë, ai duhet ta ketë ndjerë se të fluturojë një “Airbus” me 500 njerëz, një “Hercules” i mbushur me tankse… mbase duhet të jetë më i rëndë se një balon ajri, dhe sigurisht më kompleks”.

Jo vetëm piktura e poezia por çdo gjë nëse duhet ta ngërthejë kompleksitetin, padyshim do rezultojë më “e rëndë”. Pas balonave pati ardhur një balon akoma më kompleks, më i madh dhe më i rëndë, Zeppelin. Pastaj u mor vesh se ajri megjithatë mund të pushtohet pa balona fare, me tjera mjete e zgjidhje më komplekse.
E gjithë rruga e artit dhe historia e tij na e dëshmojnë të njëjtën – nganjëherë vijnë momente vendimtare kur duhet të thyhen kanone e teori dominante, të cilat kanë dominuar me dekada. A nuk është shembull i mrekullueshëm fakti që një Servantes me një “Don Kishot” i mëshoi si me fshesë mentalitetit letraristik të sa e sa shekujve të mëparshëm, romanet kalorsiake dhe një fiksion i tillë, apo një fantazi e tillë… ishin bërë aq “bajate”!

Pra, siç dhe dihet tashmë, as minimalizmi dhe as kompleksiteti artistik nuk kanë gjë mangut në vetvete si qasje krijuese apo si prurje. Thomas S. Eliot assesi s’do ta shkruante të famshmen “Toka e Shkretë” po t’mos besonte fuqishëm edhe në kompleksitetin artistik. Përkundrazi, pikërisht ajo poemë e bëri të famshëm sepse ia doli të dëshmonte diç shumë të rëndësishme… njëjtë sikur dhe Braque, Picasso e të tjerë ia dolën të dëshmojnë se “artbërja” e tyre pothuaj fëminore s’ka aspak rëndësi (sa mund t’jetë kompleks kolazhiteti me ca pako e bujashkash!), por thyerja e kanoneve “anti-minimaliste” dhe “anti-abstrakte”, ngulitur me shekuj në kokat e realistëve puritanë. Vlera kryesore e pikturave të Pikasos ndoshta nuk janë asfare përmbajtja dhe “kalamallëqet” e tij, por dëshmia historike përbrenda vetë historisë së artit, vizionalja si përthyerje dhe hapje e shtigjeve të panumërta, më parë të paimagjinueshme.

Çështja e masës (volumit artistik) dhe e kompleksitetit mbeten gjëra që duhet të “përtypen e kapërdihen” nga nofullat e lexuesit e të kritikes, secili sipas kapacitetit dhe pëlqimit, por po ashtu shpesh dhe sipas “vendit e kuvendit”. Dmth. për t’i thjeshtësuar tani disa gjëra – si “ushqim shpirtëror” sot do të mjaftohem thjesht me 4-5 figuracione të qëlluara e të gdhendura bukur, përbrenda 2-3 poezive të vetme. Mjafton, mjaftueshmëri optimale… Aq më ngop sot dhe nuk ma rëndon stomakun, nuk ma çoroditë as gjumësinë dhe as ëndrrat. Në plazh madje s’do t’i përdor as ato fare, por ndonjë novelë “rozë”, aso të kiosqeve që flasin për dashuriçka të sukseshme apo… për pakëzzzzz jo të sukseshme. S’jam i çmendur dhe s’kam vajtur në plazh për t’u marrë me “pollavrat” e Shekspirit, me Xhulietat e me Hamletat etj. etj.
Të gjitha të qarta, kristal.

Mirëpo si duket, me vërshimin e aq shumë krijimeve, me gjithë ato fabrika e furrash publikuese, me gjithë këtë begati germatike, ndër silosë të panumërt germash e gerrmnajash (edhe nëse t’i harronim të gjitha të tjerat: imagjinoni vetëm dimensionin virtual, Internetin) përherë e më shumë sikur na vështirësohet madje dhe vetë seleksionimi, përherë e më rrallë ia dalim të gjejmë diç që nuk na rëndon shumë dhe që s’na le të “zhgënjyer” pasi ta kemi marrë gjithë mundin, të leximit… ia kemi falur kohën tonë, vëmendjen, kemi lodhur kokën me zbërthimin etj.

[ Bashkëngjitur: Auguste Rodin (1840-1917) – “Mendimtari”, 1880-81, dhe djathtas një version suvatik, v. 1903 ]

Auguste Rodin (1840-1917) – “Mendimtari”, 1880-81, dhe djathtas një version suvatik, v. 1903