Nekrologjia e ngatërruar franceze, dhe “eurocentrizmi” i Nobelit!

S. Guraziu – Ars Poetica, J 2016

(…rreth 360 patente e shpikjesh e mbanin emrin e Nobelit, por vallë cili do ishte çmimi real i shkëlqimit prej shpikësi e biznismeni, sa shpirtra do t’i kalavareshin në “qafë” andej në rrugën e amshimit… andaj “shpikja” më gjeniale e Nobelit padyshim ishte testamenti (ideja për çmimet Nobel), “çmimet” ishin një lloj apologjetike ndaj humanizmit, ishin “klithma” e fundit e ndërgjegjes humaniste…)

***
Çmimi Nobel padyshim sot konsiderohet njëri nga çmimet më prestigjioze në botë. Tashmë me traditën më shumë se një shekull të gjatë, ai medaljoni i artë sikur është larë e praruar me ndërgjegjen e mbarë njerëzimit, sikur i është veshur dhe një shtresë e kulluar prestigji e shkëlqimi, sikur është pasuruar mirëfilli me dimensionin real universal.

Mirëpo në historinë 115-vjeçare ka patur dhe zbehje sa i përket “shkëlqimit”! Shpesh ka patur “pikëpyetjesh” lidhur me etikat, dhe akoma më shpesh “pikëçuditjesh”! Ka patur polemika, ka patur gjykimesh kontestuese, ka patur rrëshqitjesh, e madje dhe gjërash që mund të quhen “skandale”. Tutje, ka patur detajesh të pahijshme, bie fjala konflikte interesash mes institucionesh e sponzorësh. Ka patur dyshime e paragjykimesh politike (psh. lidhur me “eurocentrizmin”). Ka patur fitues të “diskutueshëm” sa u përket meritave, ka patur dhe fitues që thjesht e kanë refuzuar si çmim – refuzues të çuditshëm… që s’kanë marrë mundin as ta “pranojnë” këtë nderim, ardhur nga rrafshnalta e botës akademike!

Gjatë historisë, kuptohet sipas këndvështrimit tim, polemikat më të “zjarrta”, ose “njollat më famëkeqe në kostumin” e Nobelit, kanë qenë ato rreth ndarjes së çmimit për Letërsi, për Paqe dhe Ekonomi.

***
Padyshim ndër njollat më problematike për t’i rrahur e për t’komentuar janë ato për çmimet e Paqes dhe Letërsisë. Përtej opinioneve dhe kontestimeve se kontributi i kujt ishte më i madh apo më i denjë, ndër kritikët më së shpeshti janë hetuar “paragjykimet” dhe motivet politike. Psh. në v. 2009 çmimin për Letërsi e pati marrë Herta Muller. Sipas shkrimeve në mediat amerikane Washington Post, Huffington Post etj. shumë kritikë letrarë amerikanë, profesorë të letërsisë nga dhjetra universitete, as që kishin dëgjuar deri atëherë për autoren H. Muller.

Vallë a nuk i ka nuancat nga më të verdhat e gjithë ironia rreth autores “nobeliste”! Sipas tyre, ndahet çmimi, dhe e marrin autorë… për të cilët Amerika kurrë s’ka dëgjuar! I bie ngjashëm si ajo mahnitja e bukur e nuseve kosovare: “moj hyri, ra Nobeli e u pamë unë dhe ti”. Andaj, mbase dhe e natyrshme, kritikat se mos vallë nobel-komisioni na qenka paksa “eurocentrik” sikur ishin të pashmangshme.

Mirëpo, tekefundit profesorët dhe kritikët amerikanë ishin të sinqertë – ndoshta dhe vetë gjysma evropiane për Muller pati dëgjuar vetëm kur ajo qe shpallur “nobeliste”. Ndërsa dyshimi rreth “eurocentrizmit” mund t’jetë ose është një ekzagjerim kot, e edhe diç si ves i mediatikëve me zhargonesh e tingullimash gjoja interesante. Për më tepër, madje dhe vetë kritikës tejoqeanike mund t’i vishet ndonjë motiv “politik”. Meqë është fjala për “dyshime” e spekulime, atëherë gjithkush mundet dhe ka të drejtën të dyshojë, pse jo dhe evropianët.

***
Ekzagjerimi i kritikes amerikane atëbotë ma pati kujtuar “nekrologjinë” e një gazetës së dikurshme franceze. Nekrologji e parakohshme për vetë Alfred Nobelin, sa e gabuar aq dhe qesharake sa i përket saktësisë gazetareske. Sepse gazeta franceze, mbase në ngulëshim e sipër për të qenë e furishme me lajmin, në vitin 1888 e pati ngatërruar vdekjen e vëllait Ludvig Nobel dhe e pati shpallur vetë Nobelin të vdekur.

Titulli ishte epik, i ngjeshur e i tendosur, pothuaj si ndonjë varg poetik-dramatik i Baudelaire: “Le Marchand de la mort est mort” (Tregtari i vdekjes është i vdekur), dhe vazhdohej tutje se Nobeli “u pasurua duke gjetur mënyra si të vriteshin sa më shumë njerëz, më shpejt se kurrë më parë” (dmth. me shpikjen e dinamitit)!

Ndoshta pikërisht kjo “nekrologji” franceze ishte ajo që e pati shqetësuar Nobelin atëbotë! Si t’mos shqetësohej?! Kështu u shpreha tani unë, dmth sa i përket shqetësimit të tij, por lidhur me këtë shqetësim, Britannica është më e matur: “…mund vetëm të spekulojmë për arsyen e themelimit të çmimeve nga ai”!

Hm, në rregull, por unë s’jam “Britannica”, unë mund të shkruaj më shlirshëm : )

Për shumë vite pas “nekrologjisë” së pafajshme, Nobeli mund ta ketë vrarë mendjen se, kur vërtet të vdiste, assesi s’do mbahej mend për mirë. Vallë si mund t’ruhet mbamendje pozitive për një “tregtar të vdekjes”! Sipas të ngratit Nobel ndoshta tingëllonte dhe alogjike, asfare s’pinte ujë një shufër e tillë “logjike”. Skuqe e rrahe nga të duash në kudhrën e mendimeve, ngelej shtrembalaçe. Thuase as vetë dëshira që ta kujtonin për mirë, që t’mbahej mend “pozitivisht”, sikur s’ishte aq realiste.

I kishte rreth 360 patente e shpikjesh në emër të vetin. E saktë, meritë e pamohueshme. Ndonjëherë mbase dhe i kujtonte, por ama pjesa dërrmuese e listës kishin të bënin me shpikje eksplozivesh, me rishpikje pluhurash të barotit, me përmirësime eksplozivesh e armesh, me përmirësime minash e bombash… dhe ndalej. Ndoshta s’guxonte as t’i sillte ndërmend gjithë gjërat e listës. Do fillonte të dridhej, sikur do ta pllakosnin ethet e djersët, tmerrohej kur i kujtohej lista e gjatë. Thua se për çdo gjë që pati shpikur t’i kishte përshpëritur në vesh ndonjë djall luftrash e ngatërresash. Kishte krijuar shumë pasuri, e saktë, por gazetat e quanin “tregtar i vdekjes”. Dhe gazeta franceze nuk ishte e vetmja.

Sipas Nobelit të ndërgjegjësuar, pas ikjes në botën tjetër, reputacioni këndej në botën e të gjallëve do t’ngelej mozomokeq, aspak “noble”. Sepse perandoria e tij biznesit përbëhej nga më shumë se 90 fabrika që prodhonin pandalë lloj-lloj eksplozivesh dhe municionesh. Bisneset e tij operonin gjithandej faqeve të globit, në mbarë botën prodhohej dhe tregtohej “vdekja” e tij. Vallë cili do ishte çmimi real i shkëlqimit prej shpikësi e biznismeni, sa shpirtra do t’i kalavareshin në “qafë” andej në rrugën e amshimit?

E thamë, ne s’jemi “Britannica”, ndërgjegjia është ndërgjegje, si dikur si tani. I ngrati Nobel, padyshim s’do ketë mbyllur sy, as një sy gjumë. Mbase s’guxonte as të ikte në botën matanë. S’ka njeriu si ikën andej pa një grimë ndërgjegje të kulluar.

Dhe kështu, në v. 1895 pati vendosur ta linte pjesën më të madhe të pasurisë për Çmimet Nobel. Vdiq pak kohë më pas, në v. 1896. Sipas meje “shpikja” më gjeniale e Nobelit ishte pikërisht testamenti i tij (ideja për çmimet Nobel), “çmimet” ishin një lloj apologjetike ndaj humanizmit, ishin “klithma” e fundit e ndërgjegjes humaniste.

“Britannica” e ruan neutralitetin e gjykimit, provon të jetë skajshmërisht e “butë” duke mos i shkapuritur mjaft gjëra relevante, megjithatë figurën e Nobelit e cilëson kështu:
“…mbetet një figurë e paradokseve dhe e kontradiktave: njeri i shkëlqyer, i vetmuar, pjesërisht pesimist dhe pjesërisht idealist, i shpiku eksplozivët e fuqishëm që përdoren në luftën moderne, por dhe i themeloi çmimet më prestigjioze në botë për shërbimet intelektuale të njerëzimit…”!