“Oranjegekte” – Ethet e Portokallisë (si fenomen)!

(sguraziu – ars poetica, qershor 2019)

Dihet që portokallia është ngjyra kombëtare e Holandës, është pjesë e pandashme e kulturës holandeze. Kjo ngjyrë ka “zanafillë” mbretërore, por sot “portokallia” simbolizon një krenari të gjithanshme e të paskajshme, madje e ngërthen dhe krenarinë e të qënit holandez.
Në holandisht “Oranjegekte” (Portokalli-mania) ose “Oranjekoorts” (Ethet e portokallisë) është si të thuash obsesion i papërshkrueshëm, psh. gjatë eventeve sportive kombëtare. Që nga v. 1934 tifozët janë veshur dhe ende vishen “portokallisht” për t’i mbështetur ekipet (dmth. gjatë futbollistikave të Botërorit, të UEFA etj).
Fanelat, kapelat, çorapet, brekushet, shallet (se mos vetëm kaq, çfarë tjetër jo) janë rekuizite “ordinere” të pashmangshme, por tifozët më të zjarrtë i portokallizojnë madje dhe makinat e tyre, shtëpitë, dyqanet… mustaqet, gjithçka. Gratë e tifozëve, ose të dashurat, solidarizohen po ashtu, edhe ato vishen ekskluzivisht portokallisht, dmth. tekefundit nëse për asgje tjetër… atëherë për nder të burrave të tyre, tifozë.
Kompania ajrore e Holandes KLM e pati portokallizuar madje dhe një avion komplet, Boeing 777. Aq larg mund të shkojë “portokallizmi” i krenarisë. Në fakt, sipas meje sa i përket “oranjegekte”… kufizimi i vetëm për holandezët është imagjinata.
Në rregull, por pse holandezët janë kaq të fiksuar pas portokallisë?! E di “pse”, teknikisht dhe mund ta sqaroj, por prapë sikur s’e kam idenë mirëfilli pse ky fiksim kaq “gjerësisht-portokallisht”! : )
Ndoshta shfaqja më e madhe e krenarisë dhe “ethet e portokallisë” hetohet gjatë festës së 27 Prillit, gjatë “Koningsdag” (Dita e Mbretit – deri në v. 2014, festa njihej si Dita e Mbretëreshës, për nder të monarkut të mëparshëm, Mbretëreshës Beatrix).
Portokallia pra është ngjyra e familjes mbretërore holandeze. Dinastia aktuale (e Willem-Alexander) daton që nga Princi Willem van Oranje (Shtëpia Oranje-Nassau). Willem qe bërë Princ në v. 1544, dhe dmth. ishte “dega e parë monarkiste” e Shtëpisë Oranje-Nassau, ai ishte udhëheqësi i revoltës holandeze kundër Habsburgëve spanjollë. Revolta pati çuar në pavarësinë holandeze në v. 1581.
Dihet po ashtu që Holanda e ka flamurin më të vjetër me tri trakat (kuq, bardh, kaltër), flamur i miratuar që në v. 1572 gjatë Luftës së Pavarësisë. Për çudi të shumkujt “portokallia” nuk figuron në flamur (ngjyrat e flamurit patën ardhur nga stema e Princit Oranje-Nassau).