SG – Shteg (Poetik), 2011

SHTEG (POETIK)
S. Guraziu, 2011

jam unë… po aq sa ti vetë afër shpirtit – “aura” blu që e mbështjell shpirtin tënd, prushi i ndjesisë, streha e gjithë qenies, ylli polar i vetëdijes, “sfondi” i mugët i nëndijes, tik-taku memec, “zilja” e zgjimit të mendjes, parandjenja që i bën dritë bebzës, shtegu i njohur në humbellat e zemrës, jam pranësi e papeshë, e pamasë… si dritë – ende pa u “zgjuar” mendja, shpirti yt sheh me sytë e mi, si xixëllonjë e pashterrshme, ca hapa para teje… dhe anash mund të rri, në cilindo krah të duash ti, si shpresë trumcakësh, si cicërimat… si universalja e çerdhes, si “nektari” që ushqen shpresën – jam për ty secila dritë që njeh ti, secila rreze, secila xixë e universit, njësia kuantike e shpirtit, flaka e pishtarit t’labirintit, “elektrikat” në fund të detit, llamba për hartat e kapitenit, vetë flatrat e dritës, timoni, kompasi i çdo fotoni – më ndiq pa frikë, nëse ndalem do ndalesh dhe ti, por mos ik kurrë nga drita… jam unë.