Pol Oster – “Të bëhesh shkrimtar nuk zgjedh vetë…”!

Shkrimi për mua s’është tutje një akt krijues i vullnetit të mirë, është çështje e mbijetimit! /… / Të bëhesh shkrimtar nuk është ‘vendim kariere’, sikur për t’u bërë doktor a polic. Ti nuk zgjedh vetë një gjë të tillë, më parë se që je i zgjedhur. Dhe kur ta kesh pranuar faktin që s’je më i ‘përshtatshëm’ për diç tjetër, duhet t’jesh i përgatitur për ecjen e gjatë, rrugës shumë të vështirë, ditëve të mbetura të jetës tënde.” – – Paul Auster (1947, ShBA)

[ “proza ëndërrtare” – në një tekst në holandisht lexova të thuhej se për shkak të “prozës së tij të pasur dhe papritshmërisht ëndërrtare”, Paul Auster konsiderohet si njëri nga shkrimtarët e gjallë më të mëdhenj në ShBA ]

***
Paul Auster (1947, ShBA) – Bio-bibliografi e shkurtër!

…është njëri nga romansierët më të rëndësishëm të letërsisë së sotme amerikane, poet, eseist, skenarist, regjisor, përkthyes. Në v. 2006 u nderua me çmimin “Prince of Asturias Award” për Letërsi, çmim që është marrë me parë psh. nga Günter Grass, Arthur Miller, Mario Vargas Llosa, në v. 2009 nga Ismail Kadare etj.
Autor i romaneve “Qyteti i qelqtë” (1985), “Fantazmat” (1986), “Dhoma e mbyllur” (1986), – e njohur si “Trilogjia e Nju Jorkut”, 1987. “Në vendin e gjërave të fundit” (1987), “Pallati i Hënës” (1989), “Muzika e fatit” (1990), “Leviathan” (1992), “Z. Vertigo” (1994), “Timbuktu” (1999), “Libri i iluzioneve” (2002), “Nata e Orakullit” (2004), “Çmenduria e Bruklinit” (2005), “Rrugëtimi në skriptorium” (2007), “Njeriu në Errësirë (2008), “I padukshëm” (2009), “Sunset Park” (2010), “4321” (2017).
Ka shkruar librin me ese “Arti i urisë” (1982), pastaj po ashtu disa libra memoaresh (lib. biografikë), “Shpikja e vetmisë” (1982), “Blloku i kuq i shënimeve” (1995), “Pse të shkruash” (1996) etj.
Vëllimi eseistik “Arti i urisë” (1982) përmban ese lidhur me shkrimtarët Kafka, Beckett dhe tjera figura letrare të shek. XX, si dhe refleksione të autorit lidhur me krijimet e veta – për nevojën që të thyhet kufiri ndërmjet “të jetuarit” dhe “të shkruarit”, dhe mbi përdorimin e standardeve të caktuara zhanrore për të pasur qasje më efektive në mbamendjen dhe identitetin.
Ka publikuar vëllimet poetike: në vitin 1980 (vëllim – poezi të zgjedhura), 1990, 1998 (vëllim – poezi të zgjedhura), 2004 (vëllim – përmbledhje).
Është autor i skenarit për filmin “Tymi” (1995), Bluja në Fytyrë (1995) dhe i disa filmave të tjerë, pastaj bashkëregjisor i filmit “Kutia e Pandorës”.

***
Pol Oster (1947, Newark, ShBA), pas diplomimit në Universitetin e Kolumbias (M.A., 1970), vendoset në Francë, ku fillon të merret me përkthimin e krijimeve të shkrimtarëve francezë. Ndërkohë publikonte krijimet e veta në periodikët amerikanë (të dhënat: Enc. Britannica)
Në ShBA kthehet në vitin 1974, dhe vazhdon me publikimin e romaneve, eseve, poezive të veta, si dhe përkthimeve të autorëve francezë (Jean-Paul Sartre,1977 – bashkëpunim me Lydia Davis, ish-gruan e tij, pastaj Stéphane Mallarmé, 1983, Pierre Clastre, 1998, Joseph Joubert, 2005).
Librat e tij janë përkthyer në më shumë se njëzetë gjuhë të ndryshme të botës. Është Nën-Kryetar i PEN-Qendrës Amerikane. Gruaja e tij e parë ishte shkrimtarja Lydia Davis. Me gruan e dytë, Siri Hustvedt (po ashtu shkrimtare), është martuar në v.1981.

Vërejtje: Titujt e librave janë përkthim “i lirë” nga unë, S. Guraziu. Materialet nga anglishtja, bazuar në burime të ndryshme, si: Enc. Britannica, Reference Encyclopedia, Paul Auster – The definitive Web site etj.

[ S. Guraziu Ars Poetica, 2007 – përplotësuar: Gusht, 2018 ]