Amerika e Madhe, me Zemër të Madhe!

S. Guraziu – Ars Poetica, K 2019

Urime Pavarësia… Amerikë, faleminderit për Dorën e Madhe të Miqësisë, faleminderit për gjithçka që keni bërë për Kosovën – Urime Liria dhe Miqësia, Kosovë!

Shkëlqesia e tij, Amb. Kosnett u thërret kosovarëve për t’vazhduar me pozitivitetin dhe me hapat e aspiratave, për ta ndërtuar të tashmën dhe për ta “kornizuar” prosperitetin e së ardhmes, për t’i çliruar potencialet, energjinë e sektorit privat, për ta luftuar korrupsionin, e quan Kosovën “vend i madh”.
Jo se Kosova me termat e “gjeo-demografisë është aq e madhe, por sepse “zemren e bardhë” të popullit kosovar ai e ka njohur të jetë jashtëzakonisht e madhe. Të njëjtën mirënjohje dhe vlerësim, kosovarëve ua pati shprehur dikur dhe vetë ish-Presidenti i Madh, Bill Klinton.

Për Kosovën amerikanët kanë bërë aq shumë (pothuaj sikur s’do kapërthehej, pa miqësinë amerikane ndoshta Kosova siç e njohim sot, do ishte e paimagjinueshme). Zyrtarisht… kuptohet, marrëdhëniet diplomatike mes ShBA dhe Kosovës qenë fuqizuar në v. 2008 (pas shpalljes së Pavarësisë).
Por “amerikanët kurrë nuk i ndalojnë përpjekjet për një të ardhme më të mirë“, ata mbesin të përkushtuar në ndihmën rreth ndërtimit të një vendi demokratik ku sundon ligji, si Kosovë moderne shumetnike, si Kosovë e së tashmes dhe e së ardhmes, njësoj… ose si akordancë me “standardet” evropiane-amerikane, si shtet tolerant dhe me prosperitet, miqtë amerikanë pandalë impenjohen në forcimin e institucioneve, pandalë impenjohen në përparimin e vazhdueshëm të Kosovës…

Dhe prapë, jo vetëm parë nga “prizmi” vendor politik, as vetëm i ruajtjes së stabilitetit politik rajonal, amerikanët impenjohen në shumë drejtime, ata kujdesen madje dhe për detaje ekologjike. Bie fjala, për ta ruajtur ardhmërinë mjedisore të Prishtinës, ambasada e tyre ka instaluar madje dhe monitorues të cilësisë së ajrit (për ta mbajtur një “sy realistik” rreth ndotjes së kryeqytetit – qytet i cili tashmë 2 dekada të lirisë në hovin e industrializmave e të zhvillimit, afërmendsh që dhe ndotet).

Apo, rishtas bie fjala, në specifikat arkitekturale e të dizajnit, në përshkrimin e kompleksit të ambasadës së tyre (objektit të ri), duke patur synim ndërtimin e një objekti ekologjik, maksimalisht “green”, amerikanët patën shkruar: “Prishtina nuk ka impiant për trajtimin e ujërave të ndotura, të gjitha ujërat e zeza të patrajtuara derdhen direkt… Për të shmangur dëmtimin e mëtejshëm ekologjik të sistemit të ujësjellësit në Prishtinë, dhe në mungesë të objekteve të besueshme për trajtimin e ujërave të ndotura komunale, ofrohet trajtim në vend i ujërave të ndotura…”.

Dmth. ujërat e zeza të ambasadës trajtohen nga instalacione “autonome”, pasi Prishtina në këtë drejtim i ka punët shumë keq. Për ujërat e zeza të “veta” kujdesen vetë amerikanët. Dihet se, kur është në pyetje trajtimi i ujërave të zeza, mungesa e mjeteve ose e investimeve substanciale, kompleksiteti i sistemit prishtinas… apo bën të thuhet dhe “hidrografia” e varfër e Prishtinës, i vështirëson gjërat aq shumë. Në fakt është problem madhor i kryeqytetit kosovar. Ka kohë që prishtinasit ankohen rreth kundërmimit nga kanalizimet, ankohen rreth ujërave të zeza. Banorët e lagjes Taslixhe padyshim ende e kanë të vështirë daljen në oborr apo t’i hapin dritaret, gjatë ditëve kur temperaturat fillojnë e rriten kundërmimi që sjellin ujërat e zeza bëhet thjesht i padurushëm.
Urojmë që në të ardhmën e afërt, qoftë me kapacitete vendore qoftë në kuadër të projekt-financimeve të EU, njësoj siç ka marrë ndihma bie fjala dhe Vlora, qyteti i Prishtinës t’i përvjel mëngët dhe ta finalizojë një impiant serioz për trajtimin e ujërave të ndotura.

Me rastin e përvjetorit të 243-të të Pavarësisë së Amerikës, në fjalimin me 4 Korrik, Shkëlqesia e tij, Amb. Kosnett kosovarëve u flet me shumë optimizëm e dashamirësi: “qytetarë të Kosovës, amerikanët kurrë s’i ndalojnë përpjekjet për një të ardhme më të mirë, as ju s’duhet të ndaleni. Kam besim të plotë në aftësinë e udhëheqjes dhe të qytetarëve të këtij vendi të madh për ta vazhduar përparimin. Për ta çliruar energjinë e sektorit tuaj privat. Për ta luftuar korrupsionin dhe për ta forcuar sundimin e ligjit… Çdo qytetari të Kosovës i them: zëri juaj ka rëndësi. Ngriteni zërin lart”! Pastaj Ambasadori e mbyll fjalimin me një citat kuptimplotë, me fjalët e B. Stevenson, një mbrojtës i shquar i të drejtave civile, “nuk ndryshohet bota vetëm me idetë në kokë. Ndryshimi arrihet me besim të plotë në zemër“.