Mullinjtë e erës, si “krenari e si trashëgimi” mbarënjerëzore!

S. Guraziu – Ars Poetica, G 2019 (pak fjalë…)

(thuhet se Deklarata e Pavarësisë së ShBA, në v. 1776 qe shkruar në letrën e prodhuar në Holandë, dmth. dhe falë mullinjve të erës… Kinderdijk është një monument i historisë së njerëzimit…)

Sipas Universitetit të Groningen sot në Holandë kanë ngelur gjithsej 991 mullinj të erës. Mullinjtë (ashtu si dhe “klompen” – nallanet e drunjta) janë “emblemat” kryesore të Holandës. Në gjuhën holandeze ka shumë shprehje rreth e rrotull mullinjve (thëniet e popullit, siç i quajmë në shqip, në Holandë njihen si “uitdrukkingen”). Psh. kur thuhet “met molentjes lopen” (të ecësh me mullinjtë) përdoret në kuptimin “të jesh pakëz i çmendur” (mua se përse kjo përherë ma kujton Don Kishotin 🙂

Mulliri më i vjetër është ai në Zeddam (Provinca Gelderland). Është një nga katër mullinjtë e mbetur të llojit të vet, dhe i cili ende funksionon. Mulliri në Zeddam është një mulli mesjetar, për herë të parë përmendet në v.1451, njëri nga më të vjetrit ndërtuar me tulla në Evropën Perëndimore.

Në Mesjetë, pronësia e tokës ishte e barabartë me fuqinë e pushtetit, pronari i tokës ishte zot në zonën e vet. Mirëpo pronarët s’i mbanin për vete vetëm të drejtat e tokës, në fakt edhe ato të ujit e të erës. Kjo nënkuptonte që vetëm atyre u lejohej të ndërtonin mullinj. Banorët e rrethinës ishin të detyruar t’i çonin drithrat për bluarje atje. Prandaj të tillë mullinj njiheshin si “dwangmolens” (mullinj të detyruar), i tillë ishte dhe mulliri në Zeddam.

Që nga fillimshekulli XVII e tutje, duke e arritur kulmin në gjysmën e dytë të shek. XIX, merret si “periudha e lulëzimit” të mullinjve. Atëbotë mullinjtë ishin të shumtë gjithandej, në Belgjikë, në Francë, Britani etj. Thuhet se vetëm në Holandë në atë kohë kishte rreth 9000 mullinj. Tradicionalisht, një mulli përdoret për bluajen e drithrave, dihet kjo, por gjatë kohës gama e aplikimeve të tyre do t’zgjerohej. Gradualisht, me avancimet teknologjike qenë shtuar lloj-lloj përdorime e aplikime industriale, të tilla si pompimi i ujërave, nxjerrja e vajit (dmth. shtypja, presimi), sharritja e lisave (dërrasëzimi, psh. për ndërtimin e anijeve), bërja e letrës (thuhet se Deklarata e Pavarësisë së ShBA, në v. 1776 qe shkruar në letrën e prodhuar në Holandë, dmth. dhe falë mullinjve të erës).

Në fakt, falë këtyre mullinjve industrialë, zona të tilla si Zaanstreek e Amsterdam do t’rriteshin si qendrat e para industriale të Holandës. Natyrisht, me fillimin e përdorimit të makinave me avull dhe të përparimit të revolucionit industrial, përdorimi i mullinjve të erës do t’pakësohej dukshëm.

Tani mullinjtë, kuptohet, janë monumente historike që mbrohen. Sidoqoftë një numër i tyre qenë shkatërruar gjatë L. së Dytë Botërore, dhe shumë të tjerë janë shkatërruar nga vetë koha, nga mosmirëmbajtja e tyre e nga pakujdesia. Që nga 1997, kompleksi prej 19 mullinjve në Kinderdijk nga UNESCO është shpallur “Trashëgimi Botërore”.

Për gati një mijëvjeçar holandezët janë ballafaquar me ujin që i rrethon. Përdorimi i mullinjëve për pompimin e ujit dhe të krijimit të “polder-tokave” ishte element kyç i luftës shekullore me ujin. Sipas UNESCO, kontributi i jashtëzakonshëm i holandezve në teknologjinë e trajtimit të ujërave në mënyrë të admirueshme dëshmohet nga instalimet në zonën Kinderdijk-Elshout. Ndërtimi i punimeve hidraulike për kullimin e tokës (për bujqësi dhe për ndërtimin e vendbanimeve) filloi që në Mesjetë dhe ka vazhduar deri në ditët e sotme. Kinderdijk është një lloj epitome e të gjitha tipareve tipike që lidhen me këto avancime e teknologji – digat, rezervuarët, stacionet e pompimit, ndërtesat administrative dhe mullinjtë.

Sipas vetë holandezve, në luftën e vazhdueshme midis njeriut dhe fuqisë së ujit, sistemi i mullinjve dhe i stacioneve të pompimit e ka mbajtur tokën të tharë në Kinderdijk për gati njëmijë vjet. Andaj lehtë e kuptueshme që Kinderdijk është një monument i historisë së njerëzimit. Historia e Kinderdijk është tashmë një pjesë e mirëfilltë e historisë botërore, e ruajtur dhe konsevuar për brezat e ardhshëm.

[ ngjitur: disa foto, Kinderdijk (NL)… ]