S. Guraziu – Ars Poetica, Shkurt 2017 (Koment)
Ndoshta ndërlidhja mes dashurisë dhe bukurisë varet nga “sytë” e zemrës, varet nga si e sheh zemra realitetin. Thuhet se “dashuria është e verbër”, mirëpo ndoshta s’është verbëri, është vetëm këmbëngultësia e zemrës për t’parë me sytë e saj (dmth. duke i injoruar sytë e arsyes : )
***
Për të dashuruarit e huaj Shqipëria është papritur “parajsë e padyshimtë”, për ne shqiptarët është, ose duhet t’jetë gjithmonë parajsë. Natyrisht që Shqipëria është e bukur, s’ka vend më të bukur… por si vizitor i huaj s’ke si flet më bukur për Shqipërinë, e njëkohësisht të ngelesh dhe realistik. I buzëqeshur sikur po thosha mëvete: “ja dhe një here dëshmia, ose prova që dashuria gjithçka e kthen në bukuri” : )
S’kam parë ndonjë video që e paraqet Shqipërinë më bukur – apo ndoshta dhe mund të kem ngelur mbrapa sa u përket “travel” idilikave videografike. Faqja ku është postuar videoja ka dhe mjaft foto të bukura, së bashku me artikullin (në frëngjisht), një faqe e gjaaaaatë deri në dysheme – ku dy francezet e dashuruar e kanë përshkruar përjetimin e tyre gjatë udhëtimit në Shqipëri.
Leksioni i “fshehur” për ne, nga francezët e dashuruar – Duhet të dashurohemi vazhdimisht në Shqipërinë. Jo vetëm të thuhet “e dua Shqipërinë”, duhet 100% dashuri e pakushtëzuar. Pastaj na shpaloset me gjithë bukurinë e saj. Nuk do t’jetë tutje ndonjë bukuri “e zakonshmme”, por e jashtëzakonshme. Sepse atëherë do jetë bukuri që shihet me zemrën, jo vetëm me sytë e mendjes…
Fuqia transformuese e dashurisë është e jashtëzakonshme. E dimë këtë, por të njëjtën na e thotë dhe mitologjia, kudo që perëndesha e Dashurisë, Afërdita shkilte (ose Venera, sipas vers. mitologjik romak), aty për aty errësira, zymtësia kthehej në dritë, gjithçka rrotull saj rrethohej nga lule të pranverës dhe ngjyrat e jetës përndizeshin, ngopeshin me ngrogtësinë.
Gjithkush i dashuruar e ka njohur këtë “magji” të dashurisë. Por madje ndoshta mjafton cilado “alternativë” e lumturisë : )
Ndoshta ndërlidhja mes dashurisë dhe bukurisë varet nga “sytë” e zemrës, varet nga si e sheh zemra realitetin. Në dashuri bukuria gjithmonë mbizotëron. Thuhet se “dashuria është e verbër”, mirëpo ndoshta s’është verbëri, është vetëm këmbëngultësia e zemrës për t’parë me sytë e saj (dmth. duke i injoruar sytë e arsyes : )
Gourmand Voyageur – L’Albanie, un paradis insoupçonné, 2016
>> http://legourmandvoyageur.com/retours-voyage-albanie/

