Puthja Pikturale si “Celebrim” i Krijimit të Italisë!

S. Guraziu – Ars Poetica, G 2019 – Arti dhe Historia – Ndërlidhje dhe (Pa)Saktësi

(…piktura e Hayez mund të “lexohet” dhe si përfaqësim simbolik i “aleancës” midis Italisë dhe Francës – thonë njohësit e artit. Unë vetë s’e kam idenë si lexohet aleanca italo-franceze nga piktura e Hayez, anise e di… disa njerëz me anë të imagjinatës shohin madje dhe UFO në qiell. Gjithsesi, s’dua t’ua prish qejfin as njohësve të artit as askujt… : )

Italia s’qe bashkuar as ëmbël as lehtë, sa për duke u “puthur” as që bëhet fjalë. Në fakt ishte një proces i gjatë, i rëndë dhe tejet kompleks. Po ashtu bashkimi i Italisë, afërmendsh ishte diç “politike”, assesi ndonjë diç “romantike”. Ama bashkimi i Italisë simbolikisht sikur mund të celebrohet me një puthje të vetme pikturale. Tekefundit kështu pohojnë ekspertët që merren me analizat e Romanticizmit artistik italian. Bashkimi i Italisë (i njohur si “Risorgimento”) përfundimisht i konsolidoi shtetet e pavarura të gadishullit italian në një shtet, siç e njohim dhe sot e kësaj dite.

Puthja” e Hayez (i pati bërë nja 5 versione “puthjesh”) nga njohësit e artit konsiderohet të jetë njëra nga pikturat ikonike të “Romaticizmit” artistik italian. “Puthjes” së tij i vishen madje dhe kuptime patriotike e politike. Ekspertët rreth e rrotull “Christies”, New York, në v. 2016 patën konkluduar: “Kryevepra e Francesco Hayez, Il Bacio, mund të konsiderohet si epitomë apo mishërim i artit Romantik Italian. Kompozicioni, i cili vërtitet rreth një puthjeje mes dy të dashuruarve në një ambient mesjetar, është konsideruar prej kohësh si një nga përfaqësimet më intensive dhe sensuale të puthjes në historinë e artit perëndimor, është përshfaqje natyrore dhe moderne e çiftit të përqafuar, përshfaqje që kontribuon në tërheqjen ose në joshjen jashtëkohore pikturale. Kjo vepër është një simbol i “Risorgimento-s” italiane dhe, falë riprodhimeve të shumta, është vërtet një ikonë e pikturës së shek. XIX dhe e artit italian në veçanti.”

Në rregull, le ta qartësojmë eventualisht dhe ndonjë detaj. Versioni i parë qe punuar nga Hayez në v. 1823 (Ultimo Bacio di Giulietta e Romeo – ruhet në Pinacoteca di Brera, në Milano, por një kopje e kësaj pikture ndodhet dhe në Villa Carlotta, Como – sa për t’mos u ngatërruar lexuesi eventual, duhet nënkuptuar dmth. që fjala gjithnjë është për 5 kopjet bërë nga vetë Hayez, jo për “kopjet” e tjera të këtyre versioneve të tij.

E qartë, versioni i parë ishte frymëzim nga vepra e Shekspirit, nga drama shekspiriane që flet për dashurinë e Romeos dhe Xhulietes. Siç e dimë, të dashuruarit pervec tjerash merren dhe me puthje, pra edhe piktura ka të bëjë troç me puthjen e të dashuruarve, na e thotë dhe me titullin. Krahasuar më versionin e mëvonshëm “Il Bacio, 1859” (apo dhe me “Il Bacio, 1867”), kritikët thonë se në këto të fundit Hayez implikon alegorinë politike, e edhe atë sociale.

S’na nevojitet sugjerimi i tyre tani për t’parë dhe vetë se puthja tashmë shkëmbehet mes të dashuruarve “anonimë” në një ambient mesjetar, s’është tani fjala për Romeon “specifik” as për Xhulietën. Piktura mund të “lexohet” si himn i lirisë dhe i dashurisë atdhetare – thonë ata. Njëri nga kuptimet politike që mund të “lexohet” është se një ri italian është duke u nisur të luftojë për Italinë kundër Perandorisë Austro-Hungareze, dhe dmth. duke i falur të puthurën e ndarjes të dashurës së vet.

***
Kuptohet, pak histori evropiane ndoshta ndihmon për ta kuptuar sadopak kontekstin e “patriotizmit” piktural të piktorit italian, Hayez, patriotizmin për të cilin sugjerojnë njohësit e artit. Le t’ia fillojmë “historisë” duke thënë se Shqipëria atëbotë (në 2-3 dekadat e para të shek. XIX) ende s’e kishte shpalluar Pavarësinë e vet, duhej pritur 1 shekull të tërë, ishte thjesht një llokume ballkanike e Turqisë. Nën ninulat turke… e qetë, e rehatuar, njerëzia i shihnin punët e veta, iluministët e romanticizmit shqiptarë gjithandej diasporës këndonin e thërrisnin ama gjërat nuk binin në vesh dhe aq shpejtë, jo gjithkush i blinte e lexonte gazetat. Gjithsesi, andej kah Perëndimi… Evropa assesi ta gjente rehatinë e vet, mjaft e trazuar, aspak më ndryshe sesa “zakonisht”, pakashumë si gjithmonë – e ngatërruar si mos më keq – do thoshte ndoshta shakaxhiu Nonda Bulka.

Pas humbjes së Francës Napoleonike, në v. 1814-15 në Vjenë u mblodh Kongresi i Vjenës për ta “ridefinuar” hartën e Evropës. Historianët e shkollarët u shmangen thënieve të pahijshme (ata duhet ta përdorin “gjuhën akademike”) mirëpo s’është ndonjë “fshehtësi” – kur është fjala për politikat, aty-këtu edhe Kongreset bëjnë “hile politike” : )

Të fortit e Kongresit (ata që “kolliteshin”) atëbotë s’kishin ndonjë interes për republikanizmin, për revolucionarizmin… e të tillash “koncepte”. Sa i përket Italisë, kuptohet Kongresi s’ishte asfare i interesuar për republikanizmin që ishte popullarizuar bukur fort gjithandej, nën Napoleonin. Ashtu-kështu shumica e shteteve të “pavarura” italiane ishin të ndikuara nga fuqitë e mëdha evropiane, veçanërisht nga Perandoria Austriake dhe Habsburgët, të cilët e shtypnin nacionalizmin e italianëve (ndjenjen, dëshirën për bashkim).

Objektiva “zyrtare” e Kongresit ishte të sigurohej një plan afatgjatë për paqe në Evropë, duke zgjidhur çështje kritike që patën ardhur nga Luftërat Revolucionare Franceze dhe nga ato Napoleonike. Jo thjesht rivendosja e kufijve të vjetër, por njëfarëlloj rikufizimi, një lloj ridefinimi kufitar i fuqive kryesore, në mënyrë që ato të balancoheshin politiko-ekonomikisht me njëra-tjetren dhe të kënaqeshin në paqe.

Rishtas e qartë, të fortit do ta ndanin “torten politike”. Franca psh. i humbi të gjitha “pushtimet” e veta të fundit, Rusia i “kullufiti” disa pjesë të Polonisë, Prusia i “kullufiti” dhe disa shtete më të vogla gjermane, Austria e “kullufiti” Venedikun dhe pjesën më të madhe të Italisë Veriore. Pra, bashkimi i Italisë thjesht nuk përputhej me “vullnetin” e Kongresit, zor ta ketë përmendur kush, as si pëshpëritje as me zë. E pamundur… pasi vetë Austria duke u marrë me pangopësinë e vet rreth shteteve italo-veriore : )

Sidoqoftë, boshti i “lyer” i Kongresit të Vjenës ishte humbja dhe dorëzimi i Francës Napoleonike. Dorëzimi francez u dha fund mbi 20 viteve luftë, pothuaj të pandërprerë. Ndërskamcat e negociatat diplomatike të Kongresit do t’vazhdonin megjithë luftimet shkaktuar me kthimin dramatik të Napoleonit të mërguar. “Akti i fundit” i Kongresit qe nënshkruar, dhe s’do vononte as 10 ditë do t’vinte humbja e fundit e Napoleonit në Vaterlo.

Në v. 1859, si aleancë kundër Perandorisë Austro-Hungareze, do kishte një traktat të fshehtë midis Francës (Napoleonit III) dhe Kontit italian, Kavur. Dy vite më vonë, Viktor Emanueli II e shpalli Mbretërinë e Italisë. Mbreti Viktor do ta bënte Kavurin Kryeministër.

Siç e thonë historianët, krijimi i Italisë s’ishte diç e lehtë, por dhe qeverisja do ishte mjaft e vështirë. Aq e vështirë sa, pas muajve me ditë të gjata e të ngarkuara me stres lidhur me shtetformimin, me pagjumësi e shqetësime të vazhdueshme, Kryeministër Kavuri do ta dëmtonte keq shëndetin e vet. Pas vdekjes së tij, tek në v. 1870 me Marrjen e Romës do t’përfundonte bashkimi i Italisë. Roma ishte diç si “përmbyllje” e procesit të gjatë të bashkimit italian të njohur si “Risorgimento”. Dmth. do vinte humbja përfundimtare e shteteve Papale nën Papën Pius IX, për t’u arritur bashkimi i gadishullit italian, nën mbretin Viktor Emanuel II.

***
Tani le t’i rikthehemi kontekstit të “patriotizmit” të puthjes së Hayez. Pas versionit fillestar “Ultimo Bacio di Giulietta e Romeo”, 1823, Hayez e pikturoi versionin e parë të “Il Bacio” (Puthjes) në v. 1859. Dy vite më vonë erdhi pra shpallja e Mbretërisë Italiane, në v. 1861. Si pasqyrë e këtyre ndryshimeve politike në Itali pasoi një rritje e numrit të pikturave që vërtiteshin rreth temës patriotike. Në mesin e tyre, “Il Bacio” në veçanti – thonë ekspertët, e paraqiste një temë të fortë patriotike, sipas tyre mashkulli putharaç asokohe do duhej të shihej si figurë e një ushtari italian që vullnetarisht po e linte të dashuren e vet dhe të nisej të luftonte për vendin e vet, kundër Austro-Hungarisë.

Piktura e Hayez mund të “lexohet” dhe si përfaqësim simbolik i “aleancës midis Italisë dhe Francës” – thonë njohësit e artit. Unë vetë s’e kam idenë si lexohet aleanca italo-franceze nga piktura e Hayez, anise e di… disa njerëz me anë të imagjinatës shohin madje dhe UFO në qiell. Gjithsesi, s’dua t’ua prish qejfin as njohësve të artit as askujt, le t’supozojmë se Franca dhe Italia janë ngërthyer në puthjen e zjarrtë. Pëlhura e bardhë në shkallët, mbase sapo të ketë rrëshqitur nga supet e zonjës, e përfaqëson momentin e pasionit. Bluja e çelur e fustanit, ca ngjyra të veshjeve të saj, e gjelbërta e mantelit të të dashurit, e kuqja e brekusheve… na i sjellin ndërmend ngjyrat e flamujve të Francës dhe Italisë, bashkuar në përqafim – dmth. pohojnë të tjerët, jo unë. Skepticizmi im s’dorëzohet dhe aq lehtë : )

– – –

Ngjitur: Pikturat e Francesco Hayez (1791-1882)
1. Puthja, Romeo e Xhulieta (Ultimo Bacio di Giulietta e Romeo), 1823
3. Puthja (Il Bacio), 1859
3. Puthja (Il Bacio), 1867
[ Pinacoteca di Brera, Milano, Itali ]