SG – Terraforma Poetica, 2002

TERRAFORMA POETICA
S. Guraziu, 2002

Në kokë një lëmsh vijash të harlisura
një shtatore, trupore… statujë
skicuar në bllokun fletëzverdhur
orvatet të merr jetë me trup e pa trajtë
ndërsa poeti pyet veten përse në kokën e tij
nuk përfton befas imazhi i Euterës.

Më kot ëndërron shtatorja
t’i sheh gjymtyrët, të ngjallet,
bronzi s’është embrion (nisje me pahir)
me shurrën e spermën mëngjesore
sepse të gjitha shtatoret e botës
do t’dilnin të përçudnuara, makabre,
mutacion “à la natura” – kokteje të dështuar

Matanë grilave të mjerimit, zezonë
ku shpirti është përmbytur, skëterrë
në honin e brendësisë-boshatisur
kërpudhë helmuese pikaloshe
tek tymon pluhur djegës helmatisur
statujat ngelin pa jetë…

Shtatoret nuk derdhen, nuk gjallojnë
në emër të poetikës pikante
me sharje e zbrazje moderne
ato s’mund të frymojnë
me pak lëkurë të bardhë, lëkurë zombish
mbështjellë si me dashuri mize
Shtatoret kurrë s’do t’i hidhërojnë muzat
më me dëshirë heshtin të vdekura…

– – –
(Publikuar në të përjavshmen kulturologjike “FjalA”, Tiranë, Prill 2005)
Grafika: Ian Edwards – “Creation of Self” (Vetëkrijimi)

…qebesa jam pakëz më i “avancuar” tani, ka 2-3 ditë ma kanë dhuruar një iPad Pro (aso gjoja i “mirë”, i shtrenjtë, aq i mirë sa… vetë s’do ta bleja, do më dhimbseshin paratë : )
[ e testova lapsin, e “shkrova” një poezi… pothuaj njësoj si me “laps”, pothuaj dmth ]